Gjyqi për aksionet e Top Channel, nesër hidhet shorti në Apel
Maratona gjyqësore për të drejtën e pronësisë së televizionit Top Channel është ende larg finishit. Nesër, të martën e 18 prillit, në gjykatën e Apelit në Tiranë do të hidhet shorti për të përcaktuar se cili gjytar do të zëvendësojë zonjën Zeqine Sollaku, e cila u largua nga trupa vendimarrëse e gjyqtarëve.
Historia e gjyqeve mes aksionerëve të Top Channel nisi kur Vjollca Hoxha, e cila ka 40 përqind të aksioneve hodhi në gjyq dy aksionerët e tjerë, Aurel Baçi dhe Albert Sino, miq të afërt të të ndjerit Dritan Hoxha, ke pretenduar se asaj i takonte e gjithë pronësia mbi televizionin dhe duke kërkuar kështu që gjykata t’ia kalonte asaj 60 përqind të pronësisë që kishin Baci dhe Sino.
Gjykata e Faktit në Tiranë, pas disa seancash, vendosi të rrëzojë pretendimet e zonjës Hoxha për të patur pronësinë totale të televizionit. Gjykata njohu pronarë me 60 përqind të aksioneve biznesmenët Aurel Baçi dhe Albert Sino, të cilëve u është ndaluar çdo lloj vendimmarrje në televizion me një masë sigurimi të vendosur më parë nga gjyqtarja Teuta Hoxha.
Pas vendimit të shkallës së parë, dy aksionerët kërkuan që kjo masë e ngrirjes së të drejtës së tyre në vendimmarrjen e televizionit, të rrëzohej pasi gjykata nuk e pranoi pretendimin e zonjës Hoxha. Ata e dërguan kërkesën në Gjykatën e Apelit, por kjo kërkesë nuk u pranua nga Apeli, ndonëse për cështjen në themel kishte një vendim nga gjykata e Faktit. kjo gjykatë.
Gjyqtarja Zeqine Sollaku, ishte fillimisht pjesë e trupit gjykues në Apel, por u zëvendësua nga gjyqtari Gramoz Levanaj, pasi vajza e saj dhe vajza e Vjollca Hoxhës kishin marrëdhënie miqësore mes tyre.
Tashmë, cështja e gjykimit në themel të pronësisë së Top Channel ka mbërritur në prag të gjykimit në Apel, pas kundërshtimit që Vjollca Hoxha I bëri vendimit të shkallës së parë.
Pasi humbi gjyqin në shkallën e parë Vjollca Hoxha iu drejtua Gjykatës së Apelit ku kërkonte prishjen e vendimit të Gjykatës së Tiranës dhe njohjen e saj si pronare të 100 përqind të aksioneve të televizionit. Në trupin gjykues në Apel ndër të tjera shorti përzgjodhi përsdëri edhe gjyqtaren Zegjine Sollaku, e cila nisur nga precedenti i mëparshëm, u përjashtua sërish nga gjykimi.
Këtë herë, ndërsa pritej që kërkesën për përjashtimin nga trupi gjykues të Sollakut, ta bënin dy ortakët e tjerë, ishte vetë zonja Hoxha që e kërkoi një gjë të tillë.
Këtë të martë pritet të hidhet shorti për zëvendësimin e saj me një gjyqtar tjetër, por burime pranë palës së paditur kanë shprehur dyshime për paanësinë e këtij shorti. Gjithsesi, ata pritet të deklarohen për mediat menjëherë pas hedhjes së shortit për të plotësuar trupin gjykues që do të vendosë për fatin e pronësisë të një prej televizioneve më të mëdhenj në vend.