Albspirit

Media/News/Publishing

Gjergj META: Historia 180 gradë në dekorimet e Presidentit

Ideja e këtij shkrimi, që prej kohësh më vërtitej në mendje, u materializua pasi Presidenti i Republikës, Zoti Bujar Nishani, dekoroi me urdhërin “Nderi i Kombit” Eminencën e tij Kardinal Ernest Simonin (Troshani) në ditën e Pashkës. Ndër klerikë, më herët, këtë titull e kishte marrë edhe Atë Zef Pllumi. Një titull i tillë, i dhënë nga Institucioni më i lartë i vendit, për këto kategori personash, në specifikën e historisë tonë kombëtare, në një vend ku institucionet vlerësohen si duhet, merr përmasat e një rishkrimi dhe rishikimi të historisë. Ky veprim dhe të tjerë të ngjashëm kthejnë përmbys ato vlerësime dhe lexime të historisë që bëheshin në kohën e diktaturës komuniste, duke përjashtuar apo duke dhënë vlerësime negative rreth personave apo grupeve te caktuara.

Institucioni i Presidencës kohët e fundit ka pasur një veprimtari të dendur në këtë aspekt. Pak javë më pare në ish Abacinë e Oroshit, vetë emri i së cilës thotë shumë për ata që njohin sadopak analet e historisë së Mirditës heroike dhe të shumëvuajtur. u dekoruan nga Presidenti disa persona, ndër të cilët edhe disa pinjollë të familjeve të rëndësishme mirditore si Gjonmarkajt e Oroshit dhe Mëlyshët e Kthellës, të cilët ishin trajtuar si armiq të popullit gjatë viteve të diktaturës. Po në Mirditë Presidenti ka shkuar edhe në Burgun e Spaçit për të vlerësuar autorët e Revoltës së Spaçit, ndër të cilët edhe bashkëfshtarin tim nga Durrësi Pal Gjergj Zefin, si një ndër nismëtarët e kësaj revolte.

Përmbysja e sistemit komunist në vetevete nuk ishte ipso facto edhe përmbysja e një lloj historiografie të imponuar përdhuni nga ideologët e tij. Kjo e fundit do kohën e vet dhe nuk bëhet me revolucione popullore. Por shenja konkrete, si këto të institucionit presidencial, janë një mënyrë për ta vendosur historinë dhe shkrimin e saj në hullitë e një histriografie sa më afër objektives. Dritëhijet e historisë dhe të veprës së shumë njerëzve, nëse ka pasur të tilla, nuk mund dhe nuk duhet të zbehin kontributet e tyre. Mirdita është rasti tipik i një historie të manipuluar në shumë rrafshe. Është një histori e vuajtur, por ndër më të lavdishmet e kombit tonë. Ashtu sikurse me Kishën katolike dhe me klerin e saj, komunizmi edhe me Mirditën punoi me një llogjikë përçudnuese, vllavrasëse dhe përçarëse.

Të vjen mirë kur përkrah Presidentit, si figurë gjithpërfshirëse, sheh Ipeshkvin katolik të Mirditës, aspekt thelbësor i identitetit të Mirditës, edhe Kryetarin e Bashkisë që përfaqëson shpirtin laik të kësaj krahine. Kanë bashkëjetuar këto dy apsekte në Mirditë gjithmonë, sepse tjetër ka qenë pushteti i Abatit e tjetër ai i Kapedanit apo bajraktarëve. Do t’ia kishte zili çdo shtet modern kësaj bashkëjetese shekullore, si një model laiciteti, pa i shkelur këmbët njëri-tjetrit, por në përplotësim të ndërsjelltë dhe në shërbim të njerëzve. Edhe kjo është një mënyrë për të rishkruar historinë, për ta vazhduar atë e për ta vendosur në vendin e vet.

Është gjithashtu shembulli më i mirë i një qasje ndaj historisë me sytë e dëshirës për ta vlerësuar atë objektivisht, por edhe për të qene promovues të një pajtimi për të cilin Shqipëria jonë ka ende nevojë. Vetëm kështu.mund të shpjegohen edhe emocionet që një miku im i pranishëm në atë ceremoni më përcolli duke para mallëngjimin dhe përlotjen e familjarëve të dekoruar të cilët ishin lënë në harresë gjithë këto vite.

Por dua të kthehem edhe një herë te dekorimi i Kardinalit. Kisha katolike, me lumnimin e 38 martirëve, dashje pa dashje, e rishkroi historinë, atë histori që gjithmone ajo në fakt e ka besuar. Nuk munguan zëra, edhe pse ndoshta të heshtur apo nëpër forume të ndryshme shpesh anonime, e nuk do të mungojnë kurre ndoshta, qe akuzuan se po shenjtëronim kolaboracionistë dhe armiq. Kjo është në fund të fundit demokracia që gjithkush të mendojë atë don. Por gjithashtu mund të themi se brezave të ardhshëm u bëhet një shërbim i madh kur edhe institucioni i kreut të shtetit vlerëson ata që vuajtën pse donin të ishin të lirë e shpresojmë që këtë gjë të vazhdojë ta bëjë në çdo rast e për çdo person që ka vuajtur apo është përbaltur padrejtësisht nën atë sistem. Kur brezat e ardhshëm të jenë të lirë nga kushtëzimet ideologjike do të kuptojnë që rehabilitimi nuk është vetëm një çështje fjalësh, por ka të bëjë me gjeste konkrete.

Ndërsa Presidenti Nishani dekoronte Kardinal Troshanin i viheshin re emocionet në çdo fjalë që thonte. Megjithatë, përtej emocioneve, dekorimi i Dom Ernestit si Nderi i Kombit është edhe një akt pafajësie, atë pafajësi që presin shumë ta marrin ende. Dom Ernesti u shpall edhe nga shteti i tij i pafajshëm për veprën e kremtimit të meshës për shpirtin e Presidentit Kenedi. Kjo është një rrugë për të rishkruar historinë e një kombi, por edhe historinë e jetës së individëve dhe familjeve shqiptare. Ky rishkrim nuk bëhet vetëm në akademi, që për fat të keq në Shqipërinë tonë prej shumë dekadash janë të politizuara, por edhe nga zëri i njerëzve dhe nga aktet e institucioneve e për më tepër nga kreu i shtetit.

Kardinal Troshani dhe Mirdita janë vetëm dy shembuj të nevojës së një historie që kërkon ende të shkruhet ashtu di duhet. Nga veriu në jug ka ende situata të cilat duhet të rivlerësohen dhe të rehabilitohen për t’u dhënë vendin e vet. Kontributi dhe shembulli i Institucionit të presidencës duhet të shtyjë patjetër edhe institucione të tjera, e siodomos ata që merren me histori, të rishikojnë tekstet dhe t’i reformojnë thellësisht ato.

Please follow and like us: