Albspirit

Media/News/Publishing

Jeta Toçila: Politikanë që gënjejnë!

Si rregull, kemi hyrë në stinën e gënjeshtrave, stinë, e cila në vendin tonë nuk varet shumë prej datave apo klimës. Fatmirësisht, ata që na gënjejnë kujdesen të na mbajnë ngrohtë gjatë gjithë kohës. Për këtë u shërben me zell edhe media. Madje nuk mjaftojnë në këto shërbesa as mediat në top formë dhe as ato me klane të forta, as ato me orë apo numra dhe as ato me shkronja, lipsen edhe media që fryjnë ose më mirë të themi bëjnë fresk.

Propaganda, e zhvilluar në kuptimin negativ të kësaj fjale, ia ka kaluar kohës së diktaturës, Ajo sot nuk vjen në formatin e vetëm një RTSH-je si dikur. Ajo vjen nga të gjitha anët, edhe përmes rrjeteve sociale që ne i konsiderojmë si dritare lirie. Shpesh në llogarinë time në fb, ashtu si edhe në llogaritë tuaja, vijnë ftesa të pëlqejmë faqe të caktuara të figurave politike. Ne mund ti japim “like” edhe kot për inerci të aprovimeve që u bëjmë kërkesave dhe ftesave të përditshme në facebook. Por pas këtij pëlqimi, vëren se edhe FB yt pushtohet.

A ke nga t’ia mbash??

Shkon në shtëpi, ndez televizorin dhe çdo kanal të ofron portrete të buzëqeshura apo edhe të varura politikanësh që ditën me diell apo qoftë me shi, rreken t’u mbushin mendjen shikuesve me fjalë të zbrazëta e të gënjeshtërta.

Deri para pak kohësh mund të jetë besuar (sot militantët e bëjnë ende) se politikanët ndonjëherë detyrohen të gënjejnë për shkak të interesave kombëtare madhore, si për shembull siguria apo stabiliteti në vend e rajon. Ok, të tilla gënjeshtra, mund t’i kemi konsideruar të bardha. Dhe kemi vazhduar t’i ndjekim pas me entuziazëm dhe kemi luftuar e jemi zënë për ideale, për të cilat kemi menduar se ai “I pari” ishte më i flakti në mbrojtjen e tyre. I kemi provuar, u kemi dhënë shansin e qeverisjes (të paktën kështu mendohet sikur ua jep sovrani) të majtëve e të djathtëve, madje edhe koalicioneve me shumë flamuj. Por sërish ndihemi të zhgënjyer.

Pse?! Sepse ATA na gënjejnë.

Ka nga ata politikanë, brenda të majtës e të djathtës, madje edhe përtej këtyre të dyjave, që e kanë kthyer gënjeshtrën në natyrë të dytë. Janë bërë mjeshtër të mashtrimit publik. Kanë arritur të besojnë e të jetojnë me gënjeshtrat e tyre. Nuk dinë të thonë të vërteta për veten, gjithmonë kanë një histori të trilluar për ti dhënë ngjyrë bisedës. Këta janë gënjeshtarë kompulsivë-thonë psikologët.

Ka edhe gënjeshtarë pathologjikë mes politikanëve të nivelit të lartë, gënjeshtrat e të cilëve janë të qëllimshme për të arritur atë ç’ka duan. Ata janë manipulues dhe nuk u bëhet vonë për mendimet dhe ndjenjat e të tjerëve. Ata thjesht duan që gjërat të shkojnë sipas planit të tyre.

Në fakt, për ne nuk ka rëndësi se si emërtohen gënjeshtarët. Për ne ka rëndësi të vendosim të mos gënjehemi prej tyre. Sot rëndom kafeneve flitet se politikanët tanë gënjejnë për interesa të ngushta personale, ose për interes të grupit të tyre parellinj që i mbështet. Ata gënjejnë në takime të ngushta kur kërkojnë votën, gënjejnë në mitingje, gënjejnë nëpër emisione televizive, gënjejnë kudo.

A e dini se kur njerëzit me pushtet gënjejnë, ne kemi prirje jo vetëm të distancohemi prej tyre, por të ndjejmë nevojën të distancohemi edhe prej institucionit/organizatës që ata përfaqësojnë. Sa herë që kjo ka gjasa të ndodhë, identiteti dhe mirëqënia jonë merr goditje të re. Identifikimi me punën që bëjmë dhe qeverinë që na drejton janë pika kyçe në konceptin që kemi për veten. Nëse humbim besimin tek ata, ne humbim besimin tek vetja, tek e ardhmja jonë. (e kam fjalën për humbjen e të ardhmes në vendin tonë, pasi një pjesë e madhe e shqiptarëve për të luftuar këtë humbje kanë marrë rrugët nëpër botë).

Ne nuk duam ta humbim besimin tek e ardhmja apo jo?! Për këtë na duhen politikanë që shfaqin respekt ndaj nesh, (pa hipokrizinë e çunit apo gocës së mirë) jo prepotencë, as përçmim, as ironi. Të dinë të ndërveprojnë me thjeshtësi dhe etikë dhe mbi të gjitha të mos gënjejnë, së pari veten e më pas neve. A ka të tillë në planet?

Please follow and like us: