Albspirit

Media/News/Publishing

Kryeministri Rama: I kemi numrat për Presidentin e ri, por po presim opozitën

Në seancën e sotme parlamentare dështoi raundi i parë për kandidaturat për President, pasi asnjë emër nuk u paraqit. Në një deklaratë për mediat jashtë godinës së Parlamentit, Kryeministri Edi Rama theksoi se këtë mënyrë iu dha një tjetër mundësi opozitës që të dialogojë me shumicën për të zgjedhur një president konsensual.

Shefi i qeverisë insistoi se kjo është arsyeja përse sot nuk u paraqit asnjë kandidaturë, pasi mazhoranca i ka numrat e vetme dhe mund ta zgjedhë kur të dojë Presidentin e ri.

“Nëse ata do duan të shkojnë deri në fund me këtë sjellje, do të jetë deri në fund përgjegjësia e tyre. Ne do të bëjmë cdo gjë deri në fund që të ketë zgjedhje gjithëpërfshirëse, por sigurisht që cdo përpjekje e ka një fund.

Sot ishte një tjetër shprehje e vullnetit tonë të mirë. Në sallë janë numrat e Presidenti të Republikës dhe sikundër e kemi thënë më parë për t’i dhënë hapësirën e mundshme PD dhe atyre që bashkë me të janë ngujuar, nuk parqitëm një kandidat sepse duam të krijojmë mundësinë që të mund të gjejmë bashkë me atë pjesë që na mungon në parlament mundësisht konsensus me një figurë gjithëpërfshirëse.

Opozita e parlamentit të ri do të jetë shumë më e larmishme. Ne nuk kemi asnjë paragjykim dhe nuk kemi asnjë kufi të paravendosur. Ne duam t’i japim Shqipërisë një president dinjitoz që të qëndrojë sa më shumë mbi palët. Vendi nuk do të ngelet asnjë ditë pa president, ne e duam për vendin, nuk e duam për vete, se po ta donim për vete sot do ta kishim”, tha Kryeministri Edi Rama.

Please follow and like us: