Protesta antiqeveritare në Sllovaki kundër korrupsionit
Disa protesta masive anti-korrupsion janë zhvilluar ditët e fundit në Sllovaki. Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në manifestimin e zhvilluar në Bratislavë, ku kërkohet dorëheqja e Ministrit të Brendshëm, i përfshirë në afera korruptive me një biznesmen nën hetim.
Mijëra njerëz manifestuan në kryeqytetin sllovak, ku hodhën parrulla kundër qeverisë së kryeministrit Robert Fico, raporton Reuters.
Kërkesa kryesore e protestuesve ishte dorëheqja e ministrit të brendshëm Robert Kalinak, i konsideruar si një prej zyrtarëve më të besuar të kryeministrit. Protestuesit akuzojnë Ministrin e Brendshëm si të përfshirë në një aferë korruptive, ku nën hetim është manjati sllovak i ndërtimit Ladisllav Basternak.
Ministri i Brendshëm Kalinak ka blerë së fundi 17% të aksioneve në një prej kompanive në pronësi të Basternakut, i cili akuzohet për evazion fiskal.
Kërkesës së protestuesve për dorëheqjen e ministrit i është bashkuar edhe presidenti Andrej Kiska, kundërshtar politik i kryeministrit Fico.
Mediat vendase hedhin dyshime se shumë politikanë të qendrës së majtë janë të lidhur në afera të ndryshme me biznesmenin nën hetim.
Sllovakia u fut në BE në vitin 2004 dhe i ka rritur ndjeshëm standartet e jetesës por prej vitesh sllovakët ankohen për nivelin e korrupsionit. Në rajon ka pasur protesta edhe në Rumani dhe Hungari.