Albspirit

Media/News/Publishing

Linda Karadaku: Kriza dhe litari i tendosur në bulevard

Po shoh për kuriozitet çfarë do të thotë krizë, cili është definicioni i saj. Ja: një kohë e një vështirësie ose rreziku të madh; një kohë kur një vendim i vështirë ose i rëndësishëm duhet marrë; pikë kthese e një sëmundje kur ndodh një ndryshim i rëndësishëm që tregon ose shërim ose vdekje.

Për ta plotësuar kuadrin e logjikës, ja edhe një citim nga një prej presidentëve amerikanë, Roosevelt, që njihet përveç të tjerash për kufizimin e pushtetit të monopoleve në Shtetet e Bashkuara siç ishte ai i J.P. Morgan: “Mbaji sytë nga yjet dhe këmbët në tokë.” Politika e tij jo-zyrtare ishte “Fol butë dhe mbaj një shkop të madh. Do të arrish larg.”

Dhe në politikën aktuale alla-shqiptare që ka ngecur rëndshëm në pak metra bulevard që kujtohet në këtë vend për shumë gjëra, që nga paradat e 1 Majit, protestat, demostratat, arkivolet, fjala krizë, thjeshtë na kujton çfarë mund të prodhojë ajo përtej asaj që ka prodhuar tashmë. Një krizë që i ngjan shumë litarit të tendosur, loja e famshme kur ishim fëmijë, ku dy grupe e tërhiqnin fort secili nga ana e vet dhe pritej të shihej cili grup do binte I pari. Por në këtë rast, ka një ndryshim, litari mund të këputet kur dy grupet vazhdojnë ta tërheqin fort, duke mos dhënë asnjë shenjë “dobësie” që në gjuhën politike do të quhej tolerancë, kompromis, marrëveshje e plot të tjera që mund tua vëmë emrin si të duam. Dhe pikërisht ky është problemi sepse çdo lloj tërheqje për të mos këputur litarin, konsiderohet “dobësi” personale, individuale, nga njëra palë dhe fitore nga pala tjetër, a thua se kompromisi do të thotë që dikush është më pak “burrë” se tjetri, a thua se kemi vënë istikamet në mes të Tiranës dhe po bëjmë betejën finale për jetë a vdekje kundër njëri-tjetrit.

Dhe në fakt, problemi i vërtetë qëndron tek spektatorët, ata që shohin, bëjnë sehir, duke pritur të shohin kush do ta fitojë luftën e litarit të tendosur, kush do bjerë, a do të këputet litari, kush do fajësohet për këputjen e litarit dhe a do të ndërhyjë “Zoti” për të ndaluar grupet që të mos e këpusin litarin, por të ndalin lojën në atë momentumin e frikshëm dhe të thonë, të dy fituat, hajdeni të festojmë.

Spektatorët jemi ne, që bëjmë tifozllëk me njërën palë apo tjetrën, por këtë herë me shumë më tepër mençuri, kujdes dhe pritje, meqë e kemi provuar dhe kemi mësuar nga ajo që na ka gjetur dhe na gjen nga këputja e litarit. Dhe si spektatorë, ne kemi mësuar nga përvoja e hidhur se është më mirë ta shohësh spektaklin e shëmtuar nga larg sesa të bëhesh pjesë. Se në fund të fundit, ato grupet e litarit nuk janë as ëngjëj, as djaj, janë krijesa njerëzore, me ambicje, të mira apo të këqija, njerëz më pushtet në pozitë dhe opozitë, dhe ky litar është lloji ynë hibrid I demokracisë, është betejë personale, individuale, ku nuk kundërshtojnë njëri-tjetrin Kryeministri me Kryetarin e opozitës, po Rama me Bashën, ku njëri thotë nuk më pëlqen Rama Kryeministër dhe tjetri thotë nuk më pëlqen Basha Kryetar opozite, ku nuk përballet politika e Partisë Socialiste me politikën e Partisë Demokratike, po individët e njërës me të tjetrës, ku politika bëhet lart dhe njerëzit poshtë janë spektatorë që presin me frikë çfarë do ndodhë, kush me kë, se mos ndodh ndonjë rrëmujë, se mos humbasin vendet e punës dhe qindarkat që marrin, se mos ky prishet me këtë apo me atë.

Të huajt janë një lloj tjetër spektatori. Ne kemi krijuar krizën, i kemi shkuar deri në limite me “burrëri” dhe tani që kemi ngecur në istikame, duam ndihmë që dikush të vijë nga jashtë dhe të na e zgjidhë, të na thotë kush duhet të lëshojë pe dhe ku, të na flasë “butë, po me një shkop të madh në dorë”, dhe ne pastaj si “burra” të dalim nga istikamet fitimtarë, me duar në xhepa dhe të festojmë fitoret tona imagjinare. Kjo ka të bëjë më së paku me një shtet që quhet demokratik dhe që synon demokracinë.

Një shtet që prodhon krizë, por jo mekanizma për zgjidhje krize, që prodhon politikanë, por jo autoritete për të zgjidhur kriza, që prodhon debat shterpë në emër të demokracisë, por jo institucione dhe mekanizma vërtetë demokratike që ta bëjnë këtë shtet funksional duke respektuar Ligjin gërmë për gërmë dhe duke mos e kthyer Kushtetutën në një copë letër që ndryshohet sa herë zgjohen në mëngjes me një ëndërr të re “demokratike.” Ky vend nuk ka mungesë ligjesh, ky vend ka problem thelbësor zbatimin e ligjit.

Please follow and like us: