SHBA: Në zgjedhje duhen të gjitha partitë politike
Në kohën kur Edi Rama ka intensifikuar deklaratat se PS do të shkojë në zgjedhje dhe pa opozitën, një deklaratë e ardhur nga Departameti Amerikan i Shtetit, bën të qartë rëndësinë e pjesëmarrjes të të gjitha forcave politike në këtë proces.
Nënsekretari amerikan i shtetit për çështjet politike, Thomas A. Shannon, në një takim me ministrin e jashtëm Ditmir Bushati, “theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së të gjitha partive politike në zgjedhjet e ardshme parlamentare”, thuhet në deklaratën e bërë publike në faqen zyrtare të DASH. Ai ka rikonfirmuar mbështetjen për reformën në drejtësi dhe angazhimin ndaj vlerave të përbashkëta demokratike, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Deklarata vjen vetëm pak orë pasi kryeministri Rama, duke folur në parlament, u shpreh se vendi nuk do të kishte asnjë problem nëse shkohej në zgjedhje pa opozitën dhe nuk rrezikonte aspak destabilitetin. Rrezikun për destabilitet nëse opozita nuk merr pjesë në zgjedhje e ka theksuar në vijimësi edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, partnere në koalicionin qeverisës.