Albspirit

Media/News/Publishing

Erebara merr trofeun evropian të letërsisë

Shkrimtari Rudi Erebara është fitues i Çmimit Evropian të Letërsisë për vitin 2017 me romanin “Epika e yjeve të mëngjesit”. Vepra e frymëzuar nga tabloja me të njëjtin titull e piktorit Edison Gjergo, i dënuar për prirjet moderniste në art në vitin 1978, vit kur nisin ngjarjet në roman. Është fundi i miqësisë shqiptare-kineze, e shoqëruar me një valë të re edhe më të fortë survejimesh, arrestimesh, dënimesh e burgimesh në mesin e njerëzve të zakonshëm dhe të artistëve.

Erebara i shkon deri në fund përshkrimit të dy botëve, turmës dhe individit. Pas “Vezët e thëllëzave”, ky është romani i dytë i Erebarës, ku trajtohet me realizëm të thellë shqetësimi i tij për imoralitetin e diktaturës dhe atë që vetë shqiptarët u bënë shqiptarëve.

Çmimi Evropian i Letërsisë organizohet nga Komisioni Evropian, me partnerë Federatën e Librarëve Evropianë dhe Ndërkombëtarë, Këshillin e Shkrimtarëve Evropianë dhe Federata e Botuesve Evropianë. Çmim i vlefshëm për të gjitha vendet pjesëmarrëse në Evropën Krijuese.

Për herë të dytë, organizatore e çmimit në Shqipëri është Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e cila në vitin 2014 shpalli fitues Ben Blushin me romanin “Otello, Arapi i Vlorës”. Autorit fitues i krijohet mundësia të përkthehet në gjuhë të tjera.

Në Çmimin Evropian të Letërsisë marrin pjesë gjithsej 36 shtete, të ndara në 3 grupe dhe që përzgjidhen një herë në 3 vjet.

Vendet e përzgjedhura për vitin 2017 janë: Shqipëria, Bullgaria, Republika Çeke, Greqia, Islanda, Letonia, Malta, Mali i Zi, Holanda, Serbia, Turqia dhe Britania e Madhe.

Nga Shqipëria u përzgjodhën disa autorë konkurrues, mes të cilëve Vera Bekteshi e Romeo Çollaku. Por shkrimtari Erebara, i dalluar herazi për një stil të ri dhe tepër dinjitoz, ia doli të triumfojë dhe të çojë letërsinë shqipe në një dimension të ri.

Please follow and like us: