Sonila Meço: Shumë mjegull në Francë, mund të ketë dhe ujqër!
Një kandidat jashtë sistemit partiak francez është në balotazh për zgjedhjet presidenciale në Francë. Lëvizja e tij politike En Marche u krijua një vit më parë, për të zhbërë establishmentin aktual politik.
Bankier dhe ish Ministër Ekonomie, ka një program të majtë liberal, jo tipik për Francën e ideologjive të ndara. Pra një udhë e mesme ku takohen politika të majta e të djathta me dëshirën e mbrojtjes së projektit Europian.
Përballë tij një e djathtë ekstreme. Që mbyll kufijtë e Francës, për një lamtumirë ndaj Bashkimit Europian dhe që i mbron shpatullat vendit me proteksionizëm.
Pra në 7 maj zgjedhjet janë referendumi për një Francë brenda a jashtë BE-së, ku e sigurt është se francezët vendosën të dalin nga sistemi aktual politik i dominuar nga partitë klasike, Republikane e Socialiste që kanë ndarë pushtet me dekada.
Krejt i paqartë programi i Macron, i përgjithshëm, me ide të majta e të djathta shkartisur zhurmshëm nga kandidati më i ri presidencial në historinë politike franceze. Kandidati i gatshëm për të shpjeguar se të qënit bankier nuk e bën të preferuarin e sërës, madje programi i tij ka për të gjithë, edhe më pak shtet, edhe më shumë ndihmë sociale. Tremb për metodën jashtë koncepteve klasike franceze. Tremb për ngjitjen e shpejtë. Por qetëson me Francën e paqtë që do të ndërtojë dhe aftësinë joshëse (pranohet se një adoleshent që joshi mësuesen 24 vjet më të madhe, një zonjë të kultivuar për t’u martuar me të, mund të joshë edhe zonjën Francë).
E frikshme Le Pen, me përvojën e një politikaneje të regjur, bijë politike, trashëgoi Frontin Nacional, por arriti të ‘vriste atin’ në politikë. Njohëse e mirë e sistemit, me ide të konsoliduara anti emigracion, anti BE kërkon t’u kthejë francezëve dy gjëra: zërin e munguar dhe paratë. Një parti e djathtë që me krenari pohon se përfaqëson edhe klasën punëtore, edhe bujkun (!). E akuzuar për bindjet anti-islam, si raciste, diskuri i saj politik është zbutur ndjeshëm, megjithëse nuk bind skeptikët se ky ndryshim është thelbësor. E forcuar nga një mbështetje e elektoratit prej terrorit të akteve që kanë gjunjëzuar zemrën e Francës, Parisin, apo Nisën.
Pra francezët votuan për ndryshim sistemi, duke përjashtuar qendrën e majtë e të djathtë, dominuesit historik të establishmentit, duke sjellë në balotazh një kandidat të qendrës dhe një të së djathtës ekstreme, në një mjegull ideologjish, bindjesh, metodash e programesh politike. Në Francën e një të majte të shparrtalluar nga fraksionet e një të djathte përulur ekstremit.
Njëri për shpëtimin e Europës e tjetra për shpërbërjen e saj, me të njëjtin qëllim: të mbrojnë Francën.
Shumë mjegull në Francën e pas raundit të parë të zgjedhjeve, e ku ka mjegull, zakonisht ka ujq…
Vive la France!/