Kokëdhima: Stop koncesionit të ri të analizave shëndetësore
Kreu i Lëvizjes Zgjidhja Koco Kokëdhima e ka konsideruar vendimin e qeverisë për koncesionin e laboratorëve një nga paturpësitë e kryeministrit Rama.
“Kryeministri i kaloi edhe një herë caqet e paturpësisë dhe të talljes me popullin tonë.
Rama, pa pikën e turpit dhe në mënyrë antiligjore u dhuron miqve të tij një koncesion 100 milionë dollarë për analizat mjekësore të njerëzve më të varfër të këtij vendi. Unë e denoncoj me rreptësinë më të madhe këtë maskaradë që konsiston të nxjerrësh dhjamë nga shtresat më në nevojë që s’kanë se ku t’i bëjnë analizat veçse në shtet. Edhe në spitale tona shtetërore, aty ku laboratorët e analizave që do mbyllen punësojnë personel mjekësor në shërbim të popullit, kryeministri gjeti mënyrën më të keqe për të bërë para për grupet private të biznesit. Nuk janë vetëm 100 milionë dollarë të popullit që fluturojnë, por janë po ashtu dhe me dhjetëra e qindra gra e burra që punojnë në këta laboratorë publikë që do hidhen në rrugë. Jetët e tyre vlejnë shumë më shumë se fitimet e miqve të Edi Ramës”, deklaon Kokëdhima.
ZGJIDHJA i thotë stop këtij mercenari të interesave private, vijon deklarata e Kokëdhimës duke shtuar se Rilindja nuk është Partia Socialiste që e ndihmova me gjithë forcën e idealeve të mia që të vinte në pushtet në 2013 për t’u vënë në shërbim të njerëzve dhe jo të organizatave fitimprurëse. Kjo është plaçkitje e vendit. Nuk kam tjetër fjalë për të karakterizuar koncesionin e ri të dhënë dje, 100 milionë dollarë për analizat jetike shëndetësore të njerëzve. I gjithë buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë nuk i kalon 30 milionë dollarë. Dhe Rama me një të rënë të lapsit i jep mbi trefishin e kësaj shumë vetëm një kompanie private që e ka kapitalin 100 mijë lekë. Në katër vjet mandat, vetëm në fushën e shëndetësisë ky është koncesioni i katërt shumë milionë dollarësh pas atyre të “check up”-it, të hemodializës dhe sterilizimit të pajisjeve mjekësore, përfund Kokëdhima reagimin e tij për koncesionin e laboratorëve.