Me dialog ose me përballje, populli gjithmonë do të fitojë
Sot në agorën e lirisë kanë ardhur përfaqësues të fushave dhe shtresave të ndryshme shoqërore, ekonomike, intelektuale, të Qarkut të Fierit. Nga Fieri, Lushnja, nga Patosi dëgjuam disa prej dëshmive rrënqethëse të të vërtetave të dhimbshme që përjetojnë çdo ditë banorët e Qarkut të Fierit, qarku i dytë më i madh në Shqipëri pas Qarkut të Tiranës. Një qark me pasuri të jashtëzakonshme natytore, siç është nafta, në këtë qark gjendet pellgu më i madh naftëmbajtës në Shqipëri, Ballkan dhe Europë. Në këtë qark ndodhet sasia më e madhe e tokës së punueshme bujqësore në Shqipëri.
Në këtë qark kalon dhe një nga investimet kryesore të huaja në Shqipëri, i kontraktuar gjatë qeverisjes së kaluar me të cilën vetëmburret kryeministri i dështuar i këtyre 4 viteve, që nuk ka sjellë një investim të huaj, por ka larguar disa investime përmes pasigurisë, krimit dhe korrupsionit, dhe ky është gazësjellësi TAP.
E megjithë këto pasuri, resurse dhe asete, prapë se prapë, banorët e Qarkut të Fierit jetojnë në varfëri dhe një pjesë prej tyre në varfëri ekstreme. Numri i bizneseve që janë mbyllur në Qarkun e Fierit është i dytë më i larti në Shqipëri. Numri i të rinjve që janë larguar në këto 4 vite nga Qarku i Fierit, nga zonat urbane, nga qytetet kryesore, Fieri, Lushnja dhe qytete të tjera dhe nga zonat rurale është po kështu, i dyti në Shqipëri pas Qarkut të Kukësit.
Fieri ka përjetuar deri në kockë shkatërrimin ekonomik të rilindjes së inkriminuar të Edi Ramës. Fieri nuk ka parë akoma një ditë të bardhë, asnjë premtim të mbajtur nga fushata zgjedhore me të cilën Edi Rama, në Qarkun e Fierit doli fitues.
Asnjë premtim nuk është mbajtur. Sasia totale e taksave të rritura që qytetarët e Fierit paguajnë, përllogaritet në 250 milionë euro në vit më shumë. Nga 1 miliardë e 500 milionë që paguan më shumë e gjithë Shqipëria, 1/6 e paguan Qarku i Fierit, dhe këtu nuk llogariten taksat e veçanta që duhet të inkasohen për shkak të burimeve të veçanta natyrore siç është nafta.
Mund ta themi me gojën plot, që nëse këto 4 vite, Edi Rama ka ndërtuar përmes qeverijes së tij të korruptuar dhe kriminale një Aparteid të vërtetë, ku në një anë janë shumica dërrmuese e shqiptarëve të djathtë e të majtë dhe në anën tjetër një klikë, një grusht pushtetarësh të lidhur me një grusht kriminelësh dhe një grusht oligarkësh, fierakët dhe lushnjarët dhe gjithë banorët e Qarkut të Fierit janë në krye të këtij grupi të madh shqiptarësh që Aparteidi i Edi Ramës e ka ndarë në dysh.
Keni dëgjuar Edi Ramën dhe ushtrinë e sharësve të tij me pagesë, që janë prapa këtyre mureve, janë nja 50 sharës me pagesë që paguhen me lekët e taksapaguesve shqiptarë, që do shkojnë të gjithë para drejtësisë në Republikën e Re, sepse, në vend që të bëjnë punë për shqiptarët, merren me sharjen e kundërshtarëve të Edi Ramës; shajnë opozitën, shajnë mediat, shajnë kundërshtarët e tij brenda Partisë Socialiste, sharës me pagesë, por lekët i marrin nga qytetarët dhe këta shares, njësoj si padroni i tyre mbjellin përçarjen dhe urrejtjen, i fryjnë përçarjes kombëtare dhe një nga shprehjet e tyre të preferuara për t’i fryrë përçarjes ëshët shprehja “malok”. E keni dëgjuar apo jo?!
E vërteta është se Edi Rama ka qenë njësoj dorërëndë për xhepat e malokëve të veriut dhe malokëve të jugut, njësoj dorërëndë për malësi e për fushë, njësoj hajdut karshi demokratëve dhe socialistëve, njësoj mashtrues dhe i pashpirt me çdo shqiptar e çdo shqiptare.
Të vetmit njerëz që Rama ka favorizuar, ka pasuruar, ka ngritur në pushtet janë një tufë kriminelësh dhe ata nuk i diskriminon, i ka edhe nga jugu edhe nga veriu kriminelët, çetën e kriminelëve me të cilët qeveris Shqipërinë që është e vetmja konstituencë, i vetmi grusht njerëzish që ka bërë hajër në rilindjen e tij të inkriminuar dhe krimin e rilindur në këto 4 vite të qeverisjes së tij.
Fieri, mbajeni mend mos e harroni pra; Fieri është në krye të listës si qark për diskriminim, për numrin më të madh të personave të larguar, i dyti pas Kukësit, për sasinë më të madhe të taksave të shtuara, për rëninen në pikiatë të ekonomisë, sigurisë dhe mirëqenies në Qarkun e Fierit.
Dëshmitë e sotme janë vetëm maja e ajsbergut.
Unë kam qënë në Fier shumë herë këto 4 vite si kryetar i opozitës, në qytetet e këtij qarku, kam qenë në fshatrat e këtij qarku, pa filtra, jo për propagandë, por për të njohur dhe parë gjendjen, ashtu siç është. Dhe ju them, siç u kam premtuar qindra-mijëra qytetarëve, fermerëve, të rinjve, të rejave, pensionistëve, të papunëve, biznesit të vogël, se të vërtetën e tyre, do ta them ashtu siç e kam parë.
Dhe e vërteta e tyre është bërë me e dhimbshme nga viti në vit; vuajtjet e tyre janë shtuar, papunësia është rritur, pamundësia për të mbyllur muajin është halli kryesor në çdo fshat dhe qytet të Qarkut të Fierit. Dhe gjithmonë, togfjalëshi që dëgjoj kudo nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, dhe këtu në Tiranë, është : “Nuk ka lekë, s’ka lekë, s’ka punë, s’ka mundësi!”. E pra, sot që flasim për këto halle të vërteta të shqiptarëve sot e kemi fare të qartë se ku shkojnë këto lekë.
Dje është firmosur një koncension i ri plot 100 milionë euro për laboratorët e mjekësisë, një skemë e pastër vjedhje dhe korrupsioni e cila firmoset në prag të zgjedhjeve, si pjesë e pazareve të peshkut që është qelbur nga koka dhe si lajtmotiv i republikës së vjetër, që është fasada e komplotit ekonomik kundër xhepave, tryezave dhe fateteve të çdo shqiptari dhe çdo shqiptareje.
Kjo është Shqipëria e Edi Ramës, kjo është republika e vjetër. Fasadë në kryeministri, fasadë në Kuvend, fasadë në demokraci, fasadë zgjedhje, fasadë pushtet vendor, fasadë investime, vetëm investime fasadë. Prapa fasadës, krime, drogë dhe hajdutëri e rilindjes së inkriminuar dhe krimit të rilindur.
Shikoni se sa e urren kjo çetë e korruptuar kriminale popullin e vetë. Vjedhin përmes konçesioneve të cilat paguhen me paratë e buxhetit të shtetit. Pra, rrisin taksat, u marrin ju kacidhen e fundit si taksë e shtuar, si taksë e re, si faturë e rritur e energjisë, si faturë e rritur e ujit, si ato taksat që shpikin, i mbledhin të gjitha dhe pastaj në vend që t’i investojnë për ju, ia japin kompanive fantazëm. 100 milionë euro do të mjaftonin që çdo vit, çdo pensionist të kishte rritje 25% pensioni, por nuk ka rritje pensioni për pensionistët, sepse lekët i vjedh Edi Rama me hajdutët e tij, në Ministrinë e Shëndetësisë, me Ilir Beqën, dhe Ilira Beqën që ka vënë tani. Nuk ka rëndësi emri i ministrit, sepse hajduti numër një është vetë Edi Rama, madje hajdut me bankë.
Oreksi vjen duke ngrënë. Vjedhin paratë e buxhetit, por ai buxhet, laj thaj 4 miliard euro në vit është. Kështu që, kanë shpikur mënyra të tjera për të vjedhur shqiptarët, por tani, jo thjesht në kurriz të xhepave të shqiptarëve, por në kurriz të shëndetit të shqiptarëve dhe kjo është skema e ndërtimit të inceneratorëve, djegësve të plehrave. Djegësi i plehrave në Elbasan, është pararendësi i kësaj skeme korruptive, projekt i mafias ndërkombëtare të plehrave, me seli në Itali dhe me investim kryesor në Ballkan, Edi Ramën.
Prandaj duan ligjin e mbetjeve, sepse duan që në Elbasan, në Fier, në Tiranë, në Durrës, anembanë Shqipërisë, t’i marrin shpirtin këtij populli, t’i shpifin kancerin këtij populli, duke djegur këtu në Shqipëri plehrat e Italisë dhe gjithë Europës, vetëm për të mbushur xhepat e tyre dhe të mafias ndërkombëtare të plehrave që qëndron pas tyre.
Po, nuk i mjaftojnë koncesionet, të ashtuquajtura koçensione, që paguhen nga buxheti i shtetit. Tani po ndërtojnë edhe inceneratorët e helmeve që ta mbushin Shqipërinë me helme. Ta helmojnë Shqipërinë, të helmojnë fëmijët e shqiptarëve, vetëm e vetëm për të përfituar shumat e majme që mafia ndërkombëtare e plehrave paguan për asgjesimin e plehrave që nuk i asgjesojnë në vendet e tyre, pikërisht që mos të helmojnë popullin e tyre dhe fëmijët e tyre.
Po nuk ka gjë, se ua merr Edi Rama me 40 hajdutë. Pale, se helmohen shqiptarët dhe fëmijët e tyre, mjafton që të mbushin xhepat. Ky është komploti kundër shqiptarëve. Komplot kundër ekonomisë suaj. Komplot kundër mirëqenies suaj. Komplot kundër shëndetit tuaj dhe fëmijëve tuaj.
Dhe për këtë arsye është thirrur në ndihmë edhe krimi i organizuar shqiptar, llumi i llumit. Ata që bëjnë dhe shesin drogë. Ata që shesin nënat dhe motrat tona rrugëve të Europës. Llumi i llumit, më të ndyrë që një shoqëri ka, që Edi Rama i ka bërë deputetë, i ka bërë kryetarë bashkish, i ka bërë drejtorë të mëdhenj dhe sot u ka dhënë çelësat e territorit dhe çelësat e kufijve.
Fasada ndërkohë vazhdon punën. Vazhdon teatri politik. Fatmir Xhafaj, një njeri i stërvitur mirë me taktikat e sigurimit të shtetit, njësoj si kur torturonte të rinjtë dhe të rejat e Krujës, duke i akuzuar se kishin pirë një gotë raki kur vdiq xhelati i Shqipërisë Enver Hoxha, me të njëjtin zell, me të njëjtën taktikë, me të njëjtën pacipësi, pafytyrësi, i shkruan letër prokurorit dhe i thotë: Më thuaj se cilat janë rastet kur ju nuk jeni thirrur për asgjesimin e drogës. Pra, e çon vëmendjen e popullit përmes mediave të kapura, se gjoja qenka faji i prokurorëve.
Vëllai i numrit dy të një bande ndërkombëtare të trafikut të kokainës nga Venezuela në Itali, vëllai i Agron Xhafajt, Fatmir Xhafaj i shkon për shtat të përpiqet të mbulojë gjurmët e ujkut. Por ujku duket qartë. E mbajnë mend shqiptarët se si para katër muajsh rrahën gjoksin me disa idiotë që thonin: Po të isha në Shqipëri, edhe unë do të mbillja drogë. E mbani mend, apo jo?
Thonin, 2.5 milionë rrënjë kemi shkatërruar. Tani pyetja është fare e thjeshtë. Lëre prokurorinë, lëri mediat, lëri qytetarët, lëre opozitën, dhe na trego procesverbalet e shkatërrimit të 2.5 milionë rrënjëve të kanabisit. Ku i ke? Ku i ke proçesverbalet për 10 mijë ton drogë? Na i trego! Na i trego! Tregojua shqiptarëve, tregojua të huajve.
Nuk i tregon dot se droga nuk u shkatërrua kurrë por u magazinua nga policia, nga kupola e korruptuar e policisë në bashkëpunim me Edi Ramën dhe banditët e tij në tunelet dhe magazinat e shtetit. Po del sot një pjesë e saj, kur kapet në brigjet italiane. Nuk ka si ta dorëzojë drogën Edi Rama, sepse ka dalë garant për drogën me kokën e vetë, sepse është vetë pjesë e pandalshme e drogës dhe e parave të drogës.
Kjo është arsyeja. Ka 48 orë që u kemi thënë se në grykderdhjen e Ishmit ka ngecur në llucë motoskafi i Habilajve me tre motorrë. Ua thamë këtu në çadër. I bëmë thirrje edhe medias, por këta nuk kanë faj se është punë me kokë ajo. Ku e ke policinë që të bën kaq krenar, të cilën e vure pas protestuesve paqësorë, pse nuk e çon të kapësh skafin e Habilajve. Sepse Habilajt janë asgjë më pak se Edi Rama, Sajmir Tahiri, Fatmir Xhafa dhe kupola kriminale e trafikantëve në pushtet pas kësaj fasade.
Nuk mund të ketë e nuk do të ketë subvencione për fermerët sepse paratë do të shkojnë tek konçensionet korruptive të Edi Ramës; Nuk ka e nuk do të ketë asnjë ndryshim në vjedhjen e përditshme që i bëhet naftës së shqiptarëve, sepse vjedhja e naftës bëhet nga kjo qeveri, nga ky kryeministër në bashkëpunim me kopukë si Harry Sargeant III, që pastaj me paratë e naftës shqiptare lobon për llogari të krimit të organizuar shqiptar në Uashington – përpiqet të lobojë të paktën, se deri tani bërrylin ka marrë se pak më vonë do të marrë dicka tjetër nga Uashingtoni. Nuk mund të ketë përmirësim në arsimin shqiptar se nuk ka lekë për arsimin, nuk ka lekë për mësuesit, nuk ka lekë për shkollat. Lekët shkojnë për koncesionet korruptive për investimet fasadë për vjedhjen e organizuar të shtetit shqiptar. Nuk ka lekë për shëndetësinë.
Nuk ka lekë për shëndetësinë dhe i vetmi projekt për shëndetësinë është një projekt korruptiv për rajonin e Fierit, ku prapë me koncesion, duan të ndërtojnë një spital privat që do të rrjepë edhe njëherë firakët pasi i kanë sëmurë me helme, pasi i kanë sëmurë me mjerim dhe varfëri, ti rrjepin përmes një investimi korruptiv në rrajonin e Fierit.
Asgjë nuk ka për të ndryshuar nëse e lemë në këmbë republikën e vjetër, nëse e lemë në këmbë fasadën e këtij komploti kriminal politik ekonomik, kundër ekonomisë dhe shëndetit të shqiptarëve.
Por ne jemi mbledhur këtu e nuk do të shpërndahemi derisa të hapim ligjërisht rrugën drejt Republikës së Re përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ku qytetarët do të kenë fatin e tyre në dorën e tyre, dhe qeveria që del prej tyre do të jetë përgjegjëse para tyre dhe jo para oligarkëve, jo para kriminelëve.
Dhe në këtë mënyrë, kjo është garancia, as Lulzim Basha as dikush tjetër dhe as ndonjë parti politike. Garancia e vetme e Republikës së re është ky bashkim qytetar dhe qartësia dhe vendosmëria juaj. Por me këtë qartësi dhe vendosmëri, me këtë bashkim popullor, fitorja që po vjen me të vërtetë do ti hapë rrugë, një Republike të Re, ku qeveria jo thjesht ul kokën para jush, por jep llogari para jush.
Në këtë republikë të re, ku cdokush do të jetë i barabartë para ligjit, ku gjyqtarët dhe prokurorët e pavarur dhe të pakorruptuar, nuk do të kenë frikë të venë para drejtësisë, kriminelët që sot rrinë në sallonin e Edi Ramës, nuk do të kenë frikë por do ti gjejnë milionat e vjedhur, në ishujt Cayman dhe kudo ku ti kenë cuar; Në këtë Republikë të Re, paratë tuaja, dhe pasuritë e Shqipërisë, do të jenë vetëm për ju. Prandaj, në vend të 100 milion euro koncesion laboratoresh, e 80 milion euro koncesion sterlizimi, e 100 milion euro koncesion check-up-i, e dhjetra koncesione të tjera korruptive, që do t’i anuloj, që në orën time të parë si kryeministër i zgjedhur me votë të lire, me këto para, dhe me një plan e vizion europian, qeveria e re e Republiës së Re, PO, do tia dalë të investojë 150 milion euro në vit, në bujqësi, nga të cilat 100 milion do të jenë subvencione të drejtëpërdrejta për fermerët.
Po për biznesin e vogël? Biznesi i vogël, nuk do ta shohë e nuk do ta njohë më, surratin e taksidarit shqiptar. Me një pullë, me një pullë të vetme të fiksuar në derën apo dritaren e vogël të biznesit të vogël, cdo taksidar që do të futet brenda, do të prangoset për korrupsion nga policia e re, e Republikës së Re.
Po, shqiptarët me qeverinë e re të Republikës së Re, do të shohin investime për shkollat e fëmijëve të tyre. Në asnjë qytet, në asnjë lagje, në asnjë fshat, nuk do të ketë ndërtesë më dinjitoze se shkolla e asaj lagje, se shkolla e atij fshati. Fëmijët shqiptarë do të kenë një rregjim europian të shkollimit. Nga ora 8 e mëngjesit, deri në orën 4 të pasdites. Pas mësimit do të kenë mundësinë të bëjnë detyrat ose të angazhohen në sport, në kulturë, në gjuhë të huaja, nën mbikqyrjen e mësuesve shqiptarë, rrogat e të cilëve, do të jenë dy herë më të larta se sot, me paratë që do t’u marrim hajdutëve të koncesioneve dhe korrupsionit.
Në krye të 4 viteve, 250 mijë lek pension minimal për pensionistët shqiptarë.
Shëndetësia shqiptare do të reformohet, është i vetmi vend në Europë që akoma nuk ka cmimin për grupin e diagnozave, është akoma në 1990, përsa i përket kësaj dhe për këtë, një pjesë të përgjegjësisë e ka edhe PD. Dhe unë dua të përsëris ndjesën time të thellë, që nuk arritëm të bëjmë më shumë. Edhe pse shpesh herë justifikohemi duke thënë që shëndetësinë ua lamë aleatëve, ky nuk është justifikim. Kjo do të marrë fund. Republika e Re, do ta reformojë shëndetësinë shqiptare. Mos harroni, vetëm në tre vite, keni paguar ju shqiptarë, 1 milard e 230 milion euro për shëndetësinë falas, por nuk ia keni parë hajrin ju, se hajrin ia shikon Vilma Nushi me Edi Ramën me shokë.
Nafta shqiptare, mineralet shqiptare, bregdeti shqiptar, janë pasuri të jashtëzakonshme. Ato në Republikën e Re, do të prodhojnë të ardhura jo për oligarkët, as për pushtetarët e korruptuar, por vetëm për qytetarët shqiptarë për nevojat dhe projektet tuaja.
E kuptoni që kjo nuk është lojë. Po flasim për miliona. Shumëkush prej jush, ndoshta nuk e kupton matematikisht, se për çfarë bëhet fjale. Janë miliona, qindra miliona, miliarda. Rruga është e qartë. Shqipëria është në udhëkryq. Ose do të vazhdojmë kështu siç jemi, kështu siç jemi shqiptarët humbin përditë, të djathtë e të majtë, të rinj e të moshuar, nga jugu dhe nga veriu, humbin shqiptarët, humbin ekonomikisht, në shëndetin e tyre, në të drejtën e tyre, në lirinë e tyre, në shpresën e tyre.
Pra ose do të vazhdojmë kështu – kur Edi Rama për herë të parë tregohet i sinqertë teksa deklaron se: “Kemi shumë, shumë, për të humbur!” -e ka fjalën për veten e tij, e ka fjalën për Armando Prengën, e ka fjalën për Arben Ndokën, e ka fjalën për Eskobarin e Ballkanit, e ka fjalën për Ilir Beqjen, e ka fjalën për pushtetarët e korruptuar – ose do të humbin shqiptarët, ose do të humbasë oligarkia.
Në lojë janë miliardat. Një grusht oligarkësh duan t’i mbrojnë ata, shqiptarët janë ngritur për të kthyer të drejtën tek i zoti dhe i zoti është vetë populli shqiptar.
Rrugë tjetër nuk ka, përveçse zgjedhjeve të lira e të ndershme me një qeveri teknike; e cila paraprakisht do të largojë kriminelët nga institucionet, e cila do të luftojë me të vërtetë drogën dhe paratë e drogës, e cila do të zbatojë reformën zgjedhore, do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira të ndershme, duke përfshirë votimin biometrik dhe elektronik, dhe numërimin elektronik.
Për pensionistët, po e përsëris.
Rruga drejt bashkekzistencës demokratike dhe mirëqenies së çdo shqiptari, kalon përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Për të arritur aty, ka dy mënyra. Mënyra e parë është me dialog, dhe sot kemi shansin ta zgjidhim me dialog. Lulzim Basha në këtë dialog nuk përfaqëson veten e tij, as vetëm Partinë Demokratike, as vetëm opozitën. Unë shkoj në këtë process, me vetëdijen e plotë se, përfaqësoj interesat e një bashkimi të jashtzakonshëm qytetar, bashkimit më të madh popullor.
Ndaj, e kam shumë të thjeshtë të bëj kompromis, të gjej gjuhën e kompromisit politik për gjithçka që më takon mua dhe Partisë Demokratike, por nuk bëj, e nuk do të bëj asnjë tërheqje, për gjithçka që i takon fateve të qytetarëve, fateve të demokracisë shqiptare, fatit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Zgjidhja që ne ofrojmë është zgjidhje e ndershme. Nuk po i kërkojmë pushtet në tavolinë, nuk po i kërkojmë të shporret megjethëse e meriton të shporret me gjithë çfarë i bëri Shqipërisë, por po i kërkojmë të lejojë popullin të vendosë me votë të lirë e të ndershme.
Uroj, që të gjitha palët ta përdorin këtë shans për t’i dhënë fund krizës me dialog, për t’i dhënë fund me dialog republikës së vjetër, dhe për t’i dhënë shqiptarëve Republikën e Re të ligjit, të drejtësisë, të demokracisë dhe lirisë. Por, le ta kenë fare të qartë, se ne jemi të bashkuar dhe të vendosur për ta çuar këtë betejë deri në fund.
Fundi, nuk do të jetë votim pa opozitën. Fundi, nuk do të jetë shpërndarje e popullit. Fundi, do të jetë fitorja e kauzës tonë të drejtë.
Ndaj le të urojmë që sot arsyeja e shëndoshë të mbizotërojë edhe në mendjet e sëmura të pakicës që ka kapur peng popullin dhe do të marrë peng zgjedhjet. Ta urojmë, ta shpresojmë, e t’i lutemi Zotit edhe për kundërshtarët tanë. Të shpresojmë që rruga e arsyes dhe dialogut do të na çojë drejt një bashkimi kombëtar për Shqipërinë europiane, sigurisht me harmoninë dhe pasurinë e pluralizmit politik brenda.