Prapaskenat e negociatave/ Rama lëshoi 4 ministra, pse dështoi pakti
Negociatat e dy të dërguarve të Brukselit për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri dështuan mbrëmë pas ecejakeve dhe takimeve 5-orëshe mes maxhorancës dhe opozitës, shkruan “Panorama”.
Në orën 19:45 David McAllister si përfaqësues i partive të djathta europiane dhe Knut Fleckenstein nga e majta e Parlamentit Europian dolën kokulur pa bërë asnjë deklaratë nga salla e Pallatit të Kongreseve, ku kishin bindur Edi Ramën, Lulzim Bashën dhe Ilir Metën që të takoheshin dhe të dialogonin për të gjetur pika të përbashkëta.
Mësohet se dy përfaqësuesit e Brukselit nuk kanë mundur as t’i ulin në një tryezë Ramën dhe Bashën, edhe pse kishin marrë prej tyre dakordësinë për mundësinë e një tryeze të përbashkët.
McAllister është takuar veçmas me kreun e PD-së Lulzim Basha, ndërsa Fleckenstein me Ramën dhe Metën. Por vetëm rreth 30 minuta ka qëndruar kreu i opozitës në takimin me të dërguarin e PPE-ve në Tiranë, McAllister, të cilit i ka përsëritur vetëm një kërkesë, qeveri teknike pa Edi Ramën, asnjë propozim tjetër nuk ka pranuar Basha që të negociojë.
NEGOCIATAT
Në takimin që ka pasur me Kryeministrin Rama dhe me kryetarin e Kuvendit, Meta, i dërguari i PPE-së, David McAllister, dhe raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, konstatuan disa lëshime që maxhoranca ofronte si një përpjekje për zgjidhjen e krizës.
Kreu i qeverisë është shprehur dakord me ndryshimin e katër ministrave, duke emëruar persona teknikë dhe jopolitikë, dikastere të cilat do të përcaktoheshin nga opozita, por do të emëroheshin prej Kryeministrit. shkruan “Panorama”.
Ky propozim i Ramës duket se ka marrë edhe dakordësinë e kreut të Kuvendit, i cili më parë kishte propozuar qeveri besimi që do të kishte mbështetjen e të gjitha partive parlamentare.
Kryeministri Rama mësohet se ka propozuar dhe shtyrje të datës së zgjedhjeve, për më 16 korrik, afat që do të ndihmonte përgatitjen sa më mirë të zgjedhjeve bashkë me opozitën.
Për të rritur garancitë për zgjedhjet, kreu i qeverisë mësohet të ketë propozuar dhe lëvizje të drejtorëve të policisë në qarqe, emërimi i të cilëve do të bëhej me monitorimin e ndërkombëtarëve. Të gjitha këto lëshime, sipas Ramës, do të bëhen nëse opozita voton vetingun në Kuvend.
Në takimin që ka pasur me kreun e opozitës, David McAllister është shprehur se ishte në Tiranë për të përafruar qëndrimet e palëve. Ai i ka paraqitur Bashës lëshimet që bënte maxhoranca dhe Kryeministri Rama, duke filluar nga lëvizjet e ministrave dhe datën e zgjedhjeve.
Mësohet se kreu demokrat është treguar i prerë kur ka qëndruar në propozimin e tij për qeveri teknike pa Ramën Kryeministër, shkruan “Panorama”. Sipas tij, data e zgjedhjeve kërkohet të shtyhet me tre muaj që t’i japë kohë qeverisë teknike të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Sipas kreut të PD-së, vetëm propozimi për qeveri teknike do ta bënte atë të pranonte të ulej për të diskutuar me Edi Ramën për mandatin e kësaj qeverie. Ky mësohet të ketë qenë qëndrimi i Bashës që i ka shprehur përfaqësuesit të PPE-së e më pas është larguar nga Pallati i Kongreseve.
OFERTA E RAMES
Shtyrje të zgjedhjeve për më 16 korrik
4 ministra teknikë të zgjedhur prej tij
Kreu i KQZ-së, nga opozita
Ndryshime të drejtorëve të policisë në qarqe
Opozita të votojë vetingun në Kuvend
KËRKESA E BASHES
Qeveri teknike pa Edi Ramën
Votim dhe numërim elektronik të votave
Rivotim me konsensus i ligjit të Vetingut