Arkivat e Vatikanit/ Xhufi: Çamët arbër autoktonë, zotërues të pasurive të mëdha
“Çamëria në mënyrë të veçantë furnizonte me grurë jo vetëm Korfuzin përballë por dhe vetë Venedikun dhe Raguzën, vinin anije që merrnin grurin e Çamërisë dhe që përballonin nevojat për ushqim jo vetëm të popullsisë por të ushtrive veneciane që ndodheshin në këto vende.”
“Arbërit e Jonit”, libri më i fundit i Pëllumb Xhufit, trajton disa tema delikate të historisë kombëtare. Është politika ajo që ka futur duart në histori, ndërsa kërkimet shkencore të historianit të njohur në arkivat e Venedikut e të Spanjës hedhin poshtë shumë pretendime politike e teza nacionaliste të grekëve e më gjerë.
“Kjo në këndin jugperëndimor të Shqipërisë, për të cilin nuk ka një studim nuk kishte deri tani, natyrisht ndodhi që unë gjeta dhe një fond dokumentash të pabotuara, shumë interesante në arkivat e Venedikut dhe ato të Spanjës“, shkruan shqiptarja.com. “Unë gjykoj që jashtë çdo gjykimi politik, ky është një libër shkencor, në radhë të parë, i mbështetur fort në dokumenta dhe unë citoj gjerësisht dokumentat dhe në gjuhën origjinale të tyre, të cilat futen dhe një çikë në debatin e sotëm politik për Himarën, për Çamërinë. Kjo zonë, Shqipëria e poshtme siç e quanin të huajt në atë kohë. Ka qenë një zonë etnikisht shqiptare. Ka qenë një nga zonat me një ngjeshje të madhe ngjarjesh historike por ka qenë edhe një zonë ku ka lulëzuar një kulturë e veçantë“, tha Xhufi.
Xhufi deklaron se arkivat e Venedikut janë një minierë ari, prej të cilave hidhen poshtë klishetë historike shoviniste për identitetin e arbërve të jugut, ku më konfliktualja është Çështja e Çamëve. Në këto arkiva zbulohet se çamët janë arbër autoktonë dhe të regjistruar si zotërues të pronave e pasurive të mëdha.
“Në arkivat e Venedikut, të cilat janë një minierë, kanë shumë rëndësi dokumentet arkivore, cilat janë? Problemi ishte i marrë në pikëpampje etnike, padyshim del himarjotët janë shqiptarë, madje ndër shqiptarët më të mirë më të angazhuar në qëndresën anti osmane dhe shqiptarët që kanë ruajtur lidhjet që kishte Shqipëria para pushtimit osman me perëndimin, në radhë të parë me mbretërinë e Napolit dhe me republikën e Venedikut, ky është një konkluzion, Çamëria për shembull del qartazi e banuar, dokumentat na japin edhe banorët e fshatrave të veçantë të Çamërisë.
Përcaktohen si shqiptarë, dokumentat veneciane dhe ato spanjolle dhe jepet si të thuash një konfirmim historik i pakundërshtueshëm për këtë aspekt, për aspektin etnik. Ky dokumentacion më ka dhënë mua të trajtoj edhe probleme tjera, si për shembull të trajtoj problemet ekonomike por Shqipëria ka qenë e lulëzuar, Çamëria në mënyrë të veçantë furnizonte me grurë jo vetëm Korfuzin përballë por dhe vetë Venedikun dhe Raguzën, vinin anije që merrnin grurin e Çamërisë dhe që përballonin nevojat për ushqim jo vetëm të popullsisë por të ushtrive veneciane që ndodheshin në këto vende”, u shpreh Xhufi.