Albspirit

Media/News/Publishing

Gruaja seksi që bën ligjin në shtëpinë e Trumpit

The New York Times e ka quajtur “yllin në rritje” e Shtëpisë së Bardhë. Dhe Donald Trump po i jep role gjithnjë e më të rëndësishme. E megjithatë, siç thonë të mirëinformuarit, Dina Habib Powell-it nuk i ka hipur vetja në qejf. Gjithmonë e qeshur, ish-funksionarja e Goldman Sachs, duket sikur kërkon ta izolojë vazhdimisht veten nga stresi. Buzëqesh edhe përballë sulmeve të Steve Bannon, i cili e ka kritikuar për qëndrimet e saj të moderuara, apo “demokratike”, siç i ka quajtur kryestrategu i Trumpit. Powell, në fakt, po formon një lloj qeverie hije së bashku me dy të tjerë ish-ë të Goldman, Sekretarin e Thesarit Steven Mnuchin dhe Drejtorin e Këshillit Ekonomik Kombëtar, Gary Cohn.

Kur Trumpi e zgjodhi për të mbuluar rolin që dikur i përkiste John Podestas, shumë republikanë shtrembëruan fytyrën. “Një imigrante egjiptiane me nënshtetësi amerikane, këshilltare për iniciativat ekonomike? Nuk ka kuptim, duke pasur parasysh fushatën zgjedhore të Trumpit”, turfullonin mbështetësit më radikalë të Presidentit në mediat sociale. Megjithatë, ndoshta harronin se Powelli, e lindur në Kajro në vitin 1973, kishte mbuluar tashmë një detyrë prestigjoze në administratën e e George W. Bush. Në moshën 29 vjeç, në vitin 2003, Powell ishte asistente e stafit presidencial.

Nga GOLDMAN TEK IVANKA

Bijë e një kapiteni të ushtrisë egjiptiane dhe një egjiptianeje, që ka studiuar në universitetin amerikan të Kajros, në moshën katër vjeç, pa folur asnjë fjalë anglisht, u nis për në Amerikë me prindërit e saj, dejt e në Dallas, Texas. Dhe nuk do të kthehej  kurrë  më në Egjipt për të jetuar. Ndërsa prindërit hapën një dyqan të vogël mallrash ushqimore, ajo studioi e studioi, deri sa u diplomua në shkenca shoqërore, në Universitetin e Teksasit në Austin. Dhe, duke marrë pjesë në jetën universitare, kuptoi se një rrugë e mundshme e karrierës së saj, ishte politika.

Më pas filloi të punojë për dy senatorë republikanë nga Teksasi, Ike Harris dhe Jerry Patterson, por ishte vetëm hapi i parë. Ata që kanë punuar me të e përshkruajnë si “plot energji, e palodhur, pragmatiste, pa shumë lajka e zbukurime, dhe padyshim me një marsh më shumë se të tjerët”. Powell hyri në Komitetit Kombëtar Republikan në një moshë shumë të re. Nuk është rastësi që, në formimin e administratës së Bushit, u pikas nga Clay Johnson III, rekrutuesi i Shtëpisë së Bardhë. Përvoja e saj me Bushin do të ishte vendimtare.

Powell nuk ka një formim financiar ose ekonomik, por një cilësi që pak e kanë, thonë njerëzit e afërt të saj: “Ajo mund të lexojë ngjarjet, e di se si të mbajë kontakte, di se si të menaxhojë burimet njerëzore”. Dhe në bazë të kësaj, por edhe mbështetjes nga Shtëpia e Bardhë, në vitin 2007 iu bashkua Goldman Sachs, ku në vitin 2010 do të bëhej presidente e Fondacionit Goldman Sachs. Nën drejtimin e Cohn, admiruesit të saj të madh, nis dy programe të suksesshme: 10.000 Gratë dhe 10,000 Bizneset e vogla. I pari i kushtohej përmirësimit të arsimimit të grave në botë dhe sigurimit të mbështetjes së barabartë, në iniciativat sipërmarrëse mes grave. I dyti i kushtohej financimit të sipërmarrësve të vegjël, në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Megjithatë, nuk ishte Cohni që e sugjeroi tek Trumpi. Ishte David McCormick, president i Bridgewater, një prej fondeve më të mëdha të investimeve në botë, që ia prezantoi Powellin Ivanka Trumpit. Ndjenja mes të dyjave ishte e tillë që, menjëherë pas zgjedhjeve filloi të punojë mbi iniciativat për përmirësimin e sipërmarrjes së grave. Dhe në mesin e periudhës së tranzicionit mes Obamës dhe Trumpit, u shfaq emri i Powellit. Trumpi nuk u mendua dy herë, as nuk kërkoi mendimin e Bannonit, dhe e emëroi pasardhëse të Podestas, shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë.

Në vetëm tre muaj Dina Habib ka arritur të bëjë më shumë. Ajo arriti të fitojë Shtëpinë e Bardhë. Pavarësisht debateve të ashpra me Bannonin, i cili e akuzon si shërbëtore të pushteteve të forta, pak për shkak të të kaluarës tek Goldman, pak sepse është në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, 43-vjeçara ka bindur Trumpin që të moderojë tonet mbi emigracionin. Jo vetëm kaq. Kur Bannoni u largua nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, ajo mori vendin e tij.

Siç pritej, rritja e saj është duke bërë të diskutojnë republikanët më radikalë. Nuk shihet me sy të mirë qeveria-hije e moderuar dhe pragmatike që është krijuar së bashku me Jared Kushner, Mnuchin dhe Cohn. Dhe Ivankën, sigurisht. Më pak ekstremistë mbi politikat ekonomike për të adresuar reduktimin e stimulit monetar të Federal Reserve, dhe më të hapur ndaj globalizimit, të pestët janë duke shtyrë në skaje të djathtën ekstreme. Ata gjithashtu mund të krijojnë një lidhje me Janet Yellen, numri një i Fed, për të siguruar qëndrueshmërinë në afat të gjatë të kërkesës së brendshme. Gjë e cila i duhet Trumpit për të mos zhgënjyer elektoratin e tij.

Please follow and like us: