Albspirit

Media/News/Publishing

Mentor Kikia: Dështimi i marrëveshjes dhe retë e zeza të politikës shqiptare

Ndërmjetesit e Brukselit, Mc Allister dhe Fleckenstein , u larguan shpejt nga Shqipëria, pasi panë që negociatat ishin një mision i pamundur. Në vend të shprehjes shqiptare “kokën hëngshi”, ata thanë se “politika shqiptare ka sfida të rënda përpara”. Në vijim të kësaj logjike, as u ngrit dot një tryezë diskutimi me nismën e njërit prej aktorëve politikë, që përherë është prezantuar se qëndron mes palëve, siç është Ilir Meta.

Në fakt a ka shanse për të patur një marrëveshje, apo një zgjidhje, ekuacioni i politikës shqiptare? Të zgjidhësh një ekuacion(pra të gjesh të panjohurën) kur stë jepet asnjë e dhënë, në matematikë është e pamundur. Kriza politike, si ansjëherë tjetër në këto 25 vite demokraci, përmbledh shumë komponentë. Përfshin së pari reformën në drejtësi, përfshin një proces zgjedhor, pse jo edhe zgjedhjen e presidentit, dhe mbi të gjitha përfshin betejën për ndarjen e pushtetit mes partive brenda koalicionit qeverisës, demonstruar në dilemën e LSI-së për të hyrë apo jo në zgjedhje dhe nëse po, do ta vazhdojë apo jo koalicionin me PS-në.

Në këtë gjurulldi të madhe, negocimi është si të ecësh kuturru në një xhungël, ku përveçse nuk ka rrugë, ti duhet të ecësh në disa drejtime njëherësh. Ndaj orakujt e politikës kanë gabuar të gjithë në parashikimet e tyre se çfarë do të ndodhë apo çfarë do të sjellë e nesërmja. Kjo edhe për faktin se ndërkombëtarët nuk kanë më atë rolin e tyre vendimtar që i zinin prej veshi djemtë e pabindur të Ballkanit dhe i fusnin në një dhomë ku i ‘këshillonin” të merreshin vesh. Tashmë, të paktën Partia Demokratike, ka aq kurajë sa ti mbyllë derën një zyrtari që vjen nga Brukseli apo Strazburgu, si dhe të akuzojë publikisht një apo disa ambasadorë të huaj të cilët deri pak vite më parë luanin deri rolin e protektorit politik në Tiranë.

Megjithatë, pas vizitës së McAllister dhe Fleckenstein, dy gjëra u qartësuan. Marrëveshje nuk ka dhe PD nuk shkon në zgjedhje, ose siç ripërsëriti Basha edhe sot, që zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë. Dhe nuk ka, jo sepse PD ka një kusht të fortë siç është largimi i Ramës dhe krijimi i qeverisë teknike. Por se kjo kërkesë shoqërohet me një menu shumë të pasur kërkesash si reformi i sistemit zgjedhor, transparenca e financimit të fushatave dhe politikës në tërësi, votimi dhe numërimi elektronik, votimi i emigrantëve etj. Këto kërkesa janë të gjitha të ligjshme, por praktikisht të parealizueshme për të zhvilluar zgjedhje brenda këtij viti.

Detyra e vështirë e orakullit tashmë është të parashikojë nëse PS-LSI do të futen në zgjedhje pa opozitën, siç Rama deklaron i vendosur se zgjedhjet do të mbahen në 18 Qershor, dhe çfarë do të bëjë opozita. Sido që ti vejë fati koalicionit, një gjë është e qartë se një qeveri apo një parlament i dalë nga zgjedhje pa kundërshtar apo me kundërshtar të emëruar nga mazhoranca, nuk do të jetë jetëgjatë. Në këto kushte PD e ka më të qartë misionin e saj, pasi nuk ka rrugë tjetër. Çadra e bulevardit e kreu misionin. Por ajo nuk mund të zëvendësoshet me disa tenda nëpër kryqëzimet e rrugëve si fshatarët që shesin perime të freskëta. Siç paralajmëroir publikisht kreu i saj Basha, opozita do të dalë sërish në rrugë të hënën e ardhëshme, por me veprime më radikale.
Shpejt a vonë do të vijë edhe përplasja me shtetin dhe tymi i gomave të djegura mund të jetë më e vogla re e zezë.

Please follow and like us: