Basha: Ditë e dëshpëruar për Ramën, u detyrua të shpallë president rivalin e tij
Kryedemokrati Lulzim Basha në fjalën e tij të radhës para mbështetësve të PD në çadër, u shpreh se Edi Rama dëshmoi sot më shumë se kurrë dëshpërimin e tij para të rinjve të Kavajës, të cilët sipas Bashës i kishte marrë me zor për të mbushur sheshin.
Sipas Bashës, Rama është kthyer në shëmbëlltyrën më të shëmtuar të satrapëve në orët e fundit të diktaturës komuniste.
“Sot është një ditë kur leximi i dëshpërimit të Edi Ramës është i qartë. Sot Edi rama është rikthyer me fjalë, akte dhe gjeste aty ku Shqipëria ishte 27 vite me parë, është kthyer në shëmbëlltyrën më të shëmtuar të satrapëve në orët e fundit të diktaturës komuniste. Sot është një ditë e dëshpëruar për Ramën, që e provoi këtë para çdo qytetari të Kavajës e në veçantë gjimnazistëve, mësuesve para çdo shqiptari dhe botës, sepse i mbërthyer nga paniku i braktisjes totale që kavajasit i kanë bërë atij si kreu i kupolës së krimit, urdhëroi si askush në 27 vite mobilizim masiv me forcë të gjimnazistëve dhe qytetarëve që mund të shantazhohen nga pushteti i tij i inkriminuar. Nxinte sot Kavaja, por më shumë nxinte Edi Rama që preku sot në Kavajë fundit e turpshëm të ekzistencës së tij”, tha Basha.
Sipas Bashës, Rama ka nënshkruar sot aktin e tij të dëshpërimit pasi u detyrua të emërojë president rivalin e tij më të madh politik, duke iu referuar këtu Ilir Metës, të cilin sipas kryedemokratit ai bëri gjithçka për ta futur në burg duke sajuar dosje anembanë botës.