Lista zgjedhore e PS, Rama lë jashtë një pjesë të grupit parlamentar socialist
Dje Kryesia e PS u mbliodh nën drejtimin e kryesocialistit Edi Rama për t’u dhënë fund hamendësive rreth renditjes së kandidatëve në listat për zgjedhjet e 18 qershorit. Në krye të listave janë drejtuesit politikë të Partisë Socialiste që kanë ndjekur nga afër organizimin elektoral të saj për këto zgjedhje. Por në to do të rezultojnë edhe shumë figura që digjen.
Një nga surprizat më të mëdha të djegur nga lista e Ramës është ish-nënkryetari dhe themeluesi i PS-së, Namik Dokle. Megjithëse në të shkuarën nuk ka munguar t’i shërbejë kryetarit aktual, ish-Kryetari i Kuvendit dhe zv-kryeministri i epokës së Nanos ka qenë shumë pak aktiv në periudhën e fundit. Mendohet se një minus i madh në karrierën e këtij “patriarku” të PS-së përpos moshës është edhe handikapi i tij familjar. Me sa duket në “Rilindje” kriteri i besnikërisë shkon përtej personit dhe shtrihet deri tek familja. Mbi Doklen mendohet se kanë rënduar qëndrimet e së bijës së tij mjeke, Anika që i ka goditur publikisht politikat e dyshes Rama-Beqja për shëndetësinë.
E papritur ishte edhe mungesa në lista e ish-ministres së qeverisë “Nano” dhe zv.kryetares së parlamentit Valentina Leskaj. Megjithëse deputetja e Vlorës e bëri të ditur vetë moskandidimin e saj, ky largim u prit me çudi pasi shpesh opozita e ka akuzuar familjen “Leskaj” si një nga klientet e Ramës në ndërtim gjatë periudhës së bashkisë së Tiranës.
I pritur për bujën, por jo për kulisat që janë luajtur, qe edhe ndëshkimi i ish-gazetaritAlfred Peza. Emri i Pezës u përfol shumë pas hetimit që nisi prokuroria për pasurinë e tij 1 milionë euroshe. Por më shumë se kjo pasuri që është një pikë uji në oqean me atë të ish-kolegëve të tjerë të Pezës mendohet se ka ndikuar konflikti i tij publik me deputetin e PDIU-së së Peqinit të ashtuquajtur “Qife”. Afrimi i këtij të fundit në rrethin e ngushtë të Ramës. Mendohet se ka qenë goditja përfundimtare për Pezën.
Një emër tjetër me peshë në fillim të mandatit të “Rilindjes” që tani largohet është edhe ish-zv.kryeministri i qeverisë së Stabilitetit 1991, Shkëlqim Cani. Cani mori në fillim postin e fuqishëm të ministrit të financave. Por rixhiditeti dhe korrektësia e tij duket se e acaronin shumë kryeministrin. Cani qe nga të vetmit ministra që nuk e dorëzoi mandatin e tij të deputetit. Pas largimit nga zyra ai pothuajse u zhduk nga skena publike dhe eliminimi i tij gradual nuk përbënte ndonjë surprizë.
Një tjetër emër që ngjall kërshëri mes të djegurve është edhe një nga prurjet e Ramës në PS-së Ledi Shamku. Vazhdimin e saj nga politika nuk e shpëtuan dot as fakti se ajo është bashkëshortja e këshilltarit të kryeministrit dhe njërit prej ideatorëve të Rilindjes Urbane, Artan Shkreli, as fakti se kohët e fundit ajo tregoi një zell partiak për të polemizuar me kundërshtaret femra.
Zelli për të shërbyer edhe mbi atë që besonte nuk e shpëtoi dot as ish kreun e PS-së së Tiranës Besnik Bare. Deputetin me zë të hollë që e trashi atë për të mbrojtur importin e plehrave nga jashtë duke u ngritur mbi ato që kishte thënë më parë, me sa duket e ka penalizuar fakti se në fillim të këtij mandati nuk e mbështeti idenë e ardhjes së armëve kimike në Shqipëri. Dhe për Rilindjen një mosbindje nuk lahet as me dhjetë shprehje besnikërie.
Deputetët që mbetën jashtë
- Valentina Leskaj
- Ledi Shkreli
- Luljeta Arapi
- Bujar Çela
- Namik Dokle
- Tom Doshi
- Mimoza Hafizi
- Ben Blushi
- Ilir Xhagolli
- Vexhi Muçmata
- Shkelqim Cani
- Artan Gaci
- Esmeralda Shkjau
- Eduard Bejko
- Alfred Peza
- Ylli Ziçishti
- Vladimir Kosta
Deputetët që futen
- Fadil Nasufi
- Safet Gjici
- Keti Bazhdari
- Megi Ajtyresa
- Alket Hyseni
- Milva Ekonomi
- Ardian Çela
- Natasha Paço
- Elisa Spiropali
- Koli Bele
- Ogerta Manastirliu
- Elona Gjebrea
- Sadri Vorpsi
- Mirela Kumbaro.