Albspirit

Media/News/Publishing

Kur Senatori Bob Dole pengonte njohjen e Serbisë nga SHBA

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Ndikimi i shqiptaro-amerikanëve dallohej qartë në pjesën kushtuar Kosovës, në Rezolutën 290 të aprovuar prej Senatit Amerikan

 

Sot, kur Serbia përpiqet të ndalojë njohjet e Kosovës nga shtetet tjera të botës, është harruar koha kur vetë Serbia ishte duke kërkuar njohjen si shtet. Kur përpiqej më kot që Jugosllavinë e mbetur ta bënte anëtare të OKB-së etj.
Në dështimin për gati një dekadë të fushatës diplomatike të Millosheviçit, një rol vendimtar qysh nga fillimi e luajtën edhe shqiptarët e Amerikës. Sot, 25 vjet më vonë, ia vlen kujtimi i ngjarjes së Rezolutës në Senat që i vuri vulën politikës së jashtme amerikane ndaj njohjes së “Jugosllavisë së Mbetur” në vitet kyçe të dekadës së fundit të shekullit XX.
Pas largimit nga Jugosllavia të Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnjes si dhe njohjes së tyre nga Perëndimi, e ardhmja e Jugosllavisë u vu në dyshim.
Beogradi po kërkonte njohjen e njw “Jugosllavie të Re”, serbo-malazeze, me Kosovën peng, si trashëgimetare e vetme e të vjetrës, si dhe hapjen e mundësisë për një Serbi të madhe si shtet pasjugosllav.
Si sot, 25 vjet më parë, në 29 prill 2017, shpresat e Millosheviçit morën një goditje fatale. Senati Amerikan aprovoi rezolutën e Senatorit Bob Dole ku kushtëzohej njohja e Serbisë dhe ndalimin e agresionit në Bosnje, njohjen e kësaj republike të re dhe ndalimin e shtypjes së shqiptarëve në Kosovë.
Vendimi erdhi një ditë pasi Serbia dhe Mali i Zi shpallën formimin e Federatës së Republikave Jugosllave, një Jugosllavi e re që shpërfillte ish-republikat e tjera jugosllave dhe e quante veten trashëgimtare të Federatës Socialiste që ishte prishur nga largimi i të gjithë republikave të tjera.
Senatori Bob Dole kishte marrëdhënie të ngushta me aktivistë të komunitetit shqiptaro-amerikan, sidomos me aktivistin Xhim Xhema. Ai ishte një nga politikanët e parë të huaj që kishin vizitur Kosovën, në 1990 dhe ishin kthyer në mbështetës të zëshëm të çështjes shqiptare në Kosovë.

Bob Dole Senate
Përveç Senatorit Dole, Rezoluta ishte nënshkruar edhe nga një numër senatorësh të njohur, disa mes tyre ishin gjithashtu miq të shqiptarëve si Senatori D’Amato nga Nju Jorku, Senatori Claiborne Pell, nga Rhode Island, Senatori McCain nga Arizona etj.
Mes emrave të njohur ishin edhe Jesse Helms si dhe Al Gore (që do të bëhej më vonë Zv-President i Amerikës).
Rezoluta vinte në dukje se SHBA e kishte njohur Bosnjën prej pak ditësh më parë (7 prill 1992) dhe numëronte krimet dhe shkatërrimet e tmerrshme që Ushtria Jugosllave e udhëhequr nga serbët po kryenin në Bosnje. Mes ndërtesave të shkatërruara numëroheshin edhe xhami, sinagoga dhe kisha, si për të hedhur poshtë pretendimin serb të një lufte fetare me myslimanët.
Vdekjet e civilëve dhe pengimi i ndihmës humanitare e bënte Serbinë një personazh të përkryer negativ.
Po ndikimi i shqiptarëve të Amerikës në këtë rezolutë ishte i qartë nga pjesa e madhe në tekst kushtuar Kosovës. Sidomos binte në sy, përmendja e “të drejtës për vetëvendosje”. Ja se çfarë thuhej aty:
“Duke ditur që,
qeveria serbe po mban në fuqi një regjim brutal dhe represiv të ligjit marcial në Kosovë duke ua mohuar dy milionë shqiptarëve të Kosovës të drejtat e tyre politike dhe njerëzore, duke përfshirë edhe të drejtën për vetëvendosje;
Duke ditur që,
Politikat e dhunshme të Serbisë në Kosovë dhe agresioni i Ushtrisë Jugosllave të udhëhequr nga Serbia ndaj Bosnjes dhe Kroacisë, përbëjnë shkelje serioze të Marëveshjeve të Helsinkit dhe Aktit Final të Helsinkit;
Duke ditur që,
Shtetet e Bashkuara, Komuniteti Europian, dhe KSBE kanë dënuar agresionin e Ushtrisë Jugosllave të udhëhequr nga Serbia dhe atë të paraushtarakëve serbë, si dhe mbajtjen e ligjit marcial në Kosovë….”
Në fund të rezolutës kërkohej që
(1) Shtetet e Bashkuara të mbajnë Serbinë përgjegjëse për sulmet dhe pushtimin e Bosnje Hercegovinës dhe Kroacisë, si dhe për abuzimin e gjerë dhe sistematik të të drejtave të njeriut në Kosovë.
(2) Shtetet e Bashkuara duhet të mos e njohin diplomatikisht Serbinë dhe aleatin e saj Malin e Zi, që e kanë shpallur veten si Republika Federale e Jugosllavisë”, në 28 prill 1992, derisa Serbia të ndalë agresionin e saj ndaj shteteve të Bosnie-Hercegovinës dhe Kroacisë, të tërheqë e saj, nga Bosnia-Hercegovina dhe Kroacia si dhe të ndalë represionin e saj të dhunshëm mbi popullin shqiptar në Kosovë e të mos mohojë të drejtën për vetëvendosje.
(3) Shtetet e Bashkuara të inkurajojnë aleatët që të ndjekin të njëjtën vijë.”
Megjithë shpresat e Serbisë, statusi i Jugosllavisë së re do të mbetej pa zgjidhje. Vendet europiane vepruan ashtu si SHBA. Nuk e pranuan shtetin e ri. Shpresa e Beogradit ishte OKB-ja.
Mirëpo, megjithë ndihmën e Rusisë, në 22 shtator 1992, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara hodhi poshtë kërkesën e “Jugosllavisë” serbo-malazeze për të zënë automatikisht karrigen e Jugosllavisë së vjetër në OKB.
Beogradi duhej të aplikonte për anëtarësi nga fillimi. Millosheviçi refuzoi dhe për 8 vite me radhë, Beogradi mbeti jashtë OKB-së. Vetëm në 1 nëntor 2000, kur Millosheviçi nuk ishte më në pushtet, Republika Federale e Jugosllavisë bëri kërkesë dhe u pranua si një anëtare e re, në OKB. (Në 2003, e ndërroi emrin si Bashkimi Serbi-Mali i Zi dhe në 2006, me ikjen edhe të Malit të Zi, pushoi së qeni. Në 2008 Kosova u bë një shtet i pavarur dhe tani synon edhe ajo të hyjë në OKB).
11 ditë më vonë, në 12 nëntor 2000, SHBA më në fund njohu Republikën Federale të Jugosllavisë, kur kushti më i fundit i Senatorit Dole ishte plotësuar shumë më tepër sesa mund të imagjinohej në 1992. Jo vetëm që nuk kishte më shtypje të shqiptarëve në Kosovë, por ajo ishte çliruar që prej një viti e gjysëm dhe një erë e re kishte nisur në historinë e shqiptarëve.

Please follow and like us: