Albspirit

Media/News/Publishing

Sot jam më shumë se kurrë opozitar

Ilir Levonja

E kam me ditur me kohë që në Shqipëri janë një shpurë e tërë me lugët në brez. Një shpurë që sado traditës, erzit të fiseve. Në lagje qytetesh. Në mbarë vendin. Sado përpjekjes për të qënë fisnik. Ose model i urtësisë për brezat.

Tradhtohen menjëherë.
Jo nga kush! Jo, jo! Tradhtohen, prej vetvetes.
Sidomos kur mbajnë mikrofonin. Apo kur përpiqen të flasin me fjalë të mëdha. I mundën të vdekurit. Kanë kulturë me shumicë. Dhe bëjnë xheste liderësh me duar flatra.
Përshendetje popull. Jam unë, i juaji. I yni, jam.
Por janë fallco. Komplet fallco.
Sado që u falen ca kostumeve floriri. A kollareve. Ndonjë makine silver. Me dopio transmesion etj.
Prapë janë fallco. Sepse gjirizit nuk i duhen vitet për tu bërë klas. Por shekuj, breza.
Janë komplet fallco, pasi poshtë sediljeve mbajnë çifte shotgun. Ndonjë çimkë përgjuese. Ca gram C4.
Ca peketina pluhuri të bardhë. Thjesht për modë.
Me dashnore sigurisht. Gratë i ruajnë sa për spote fejsbuku. Me diploma të blera. Aq sa…, ia lëroftë Kina nënën ish qeverive të djathta që nuk e përfunduan një herë…, atë, punën e komisionit të verifikimit të letrave.
Atyre më pa vlerë. Librezkave me emrin diplomë.
E kam ditur me kohë që në Shqipërinë time janë një shpurë e tërë të pa aftësh. Të cilët i kanë kthyer aderimet në parti në një revolucion pragmatist, grupesh të fortish. Allishverishesh
kurvash duke folur hashiqare në emër të kushtetutës së vendit. Të shqiptarëve kudo. Të bindur. Mendje mbushur se janë ajka e shoqërisë. Dhe nesër, mund t’i flasin Europës nga parlamenti i saj. Edhe në emrin tim.
E të më thonë rri urtë.
Mund të më japin leksion për metaforat.
Madje ma kanë dhënë duke më treguar shamitë e kokës. Nga tribunat e shtetit tim laik. Shtetit tim që lakmon perëndimin. Dhe këtej kullohet në haengun e haremeve të Orientit.
Shtetin tim të kazmës e lopatës.
E kam ditur. Nuk nguroj ta them këtë. Veri e jug. Që në vendin tim janë një shpurë e tërë shushunjash.
Që do të flasin për të njëjtën alternativë.
Për të njëjtën ngjyrë.
Ngjyrën e kuqe. Atë të gjakut. Pasi shushunjat gjak duan.
Do bëjnë paradë shalësh.
Minifundesh.
Teritalesh.
Që do votojnë shushunjizimin e vendit.
Paradë parash nga zgjedhjet e tashmë të zgjebosura shqiptare. Prej fondesh të pa deklaruara.
Fushatë kandidimesh të blera me haraç koke.
Që kur të vine në pushtet. Ta fryjnë një fond kopshti fëmijësh. A këndi lojrash, Baraz me një të tillë…, sa për një reaktor kimik.
Një fushatë në emër të parimeve të demokracisë dhe rrotacionit. Ku iu shoftë fara atij vendi që mban akoma shpresat tek kandidatë të tillë si Gramoz Ruçi, Spartak Braho. E me nder Erjon Braçja.
E me nder këtyre alternativave opozite, çamësh.
Këta me nder dhjetoristë që vulosën burgun e pluralizmit.
Iu shoftë fara asaj rinie që ha fara lule dielli.
Dhe pret syshqyer datën 3 maj. Hapjen e llotos amerikane.
E kam ditur.
Por dhëntë zoti e kjo opozitë e vërtetë. Nuk ndërron mendje.
Pasi ndjehem i nderuar që jam opozitar.

Please follow and like us: