Albspirit

Media/News/Publishing

Hoyt Yee: Të formohet qeveria, të ndalet dhuna në parlament

Zëvendës ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee erdhi në Shkup, për t’u takuar me drejtuesit e partive kryesore politike dhe me autoritetet shtetërore në një kohë kur është thelluar kriza politike dhe ekziston frika nga tendosje të reja.

Ai foli pasdite për mjetet e informimit, duke e dënuar dhunën e përgjakshme në parlament, para pak ditësh ku mbetën të lënduar deputetë dhe njerëz të tjerë. Ai e quajti këtë një akt qyqar, ndërsa theksoi nëvojën për hetime të shpejta, për gjetjen dhe nxjerrjen e autorëve para drejtësisë. Ai e quajti këtë “një ndodhi alarmante sidomos kur incidentet u nxitën për shkak të zgjedhjes me shumicë votash të kryetarit të ri të parlamentit”.

Ashtu siç njoftonte ambasada amerikanë në Shkup ende pa arritur zoti Hoyt Yee, në fokus të interesit të tij ishte, mes tjerash, statusi i qeverisë ende të paformuar.

Z. Hoyt Yee tha se duhet lejuar shumicës parlamentare që ta propozojë qeverinë.“Është shumë me rëndësi për drejtursit politik që të gjejnë mënyrën për ta lejuar shumicën në parlament që ta propozjë qeverinë dhe programin e saj. E kuptojmë se ka shqetësime lidhur me përmbajtjen e programit qeveritar dhe sikur në të gjitha demokracitë evropiane, vlerësojmë se çfarëdoqoftë që propozohet nga shumica duhet marrë me seriozitet nga parlamenti dhe duhet zhvilluar debat në parlament dhe të votohet në parlament”, tha z. Hoyt Yee.

Ai nuk deshi të jepte hollësi se çfarë masash mund të ndërmerrte komuniteti ndërkombëtar dhe SHBA për ta ndihmuar kapërcimin e ngërçit në Maqedoni. Ndërkohë, nuk u përgjigj as në pyetjen nëse sanksionet kundër politikanëve të cilët e bllokojnë procesin mund të jenë një opsion.

Në dytën e ditë të qëndrimit në Shkup zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan zhvilloi takime me presidentin Gjorgje Ivanov, me kryetarin e ri të parlamentit, Talat Xhaferi si dhe me kryetarët e partive më të mëdha maqedonase, Nikolla Gruevski i VMRO-DPMNE-së dhe Zoran Zaev i Lidhjes Social Demokrate.

Presidenti maqedonas është shprehur se pret ndihmë nga Shtetet e Bashkuara për kapërcimin e ngërçit rreth formimit të qeverisë së Maqedonisë dhe se nga shumica parlamentare ai pret garanci për ruajtjen e shtetit unitar, në mënyrë që ta japë mandatin për formimin e qeverisë.

Kryetari i ri i parlamentit, Talat Xhaferi u tha gazetarëve se do të jetë kryetar i të gjithë deputetëve pa marrë parasysh përkatësinë e tyre politike apo etnike.

Të dielën zyrtari lartë amerikan u takua me drejtuesit e partive shqiptare, të cilët i kanë lënë të kuptohet se mbeten të përkushtuar ndaj procesve të filluara dhe i kanë four atij për angazhimet e tyre në drejtim të zgjidhjes së krizës politike në vend.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha dje pas takimit se “nuk ka kthim prapa” dhe se “nëse nuk vetëdijësohemi, do të ketë pasoja për qytetarët e Maqedonisë”.

Vizita e zëvendës ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee në Shkup shikohet si shtimi i angazhimit të Shteteve të Bashkuara dhe i një diplomati me peshë që mund të bëjnë politkanët e këtushëm të ulin tensionet e krijuara në veçanti gjatë sulmeve të dhunshme në parlament më 27 prill dhe t’i kthehen çështjes së formimit të qeverisë.

Ndërkohë, lidhur me zhvillimet e dhunshme në parlament, deri më sot janë ndaluar dhe po mbahen në arrest vetëm katër persona, ndërsa Prokuroria Publike ka lëshuar fletë-arrestin për 15 individë të dyshuar. Disa prej pjesëmarrëve në dhunën kundër deputetëve i janë drejtuar presidentit Gjorgje Ivanov për një amnisti të përgjithshme, një gjë që social-demokratët e quajnë absurde dhe të papranueshme.

Please follow and like us: