Blushi: Rama-Basha po diskutojnë për bashkëqeverisjen që do bëjnë pas një viti
Ben Blushi u shpreh i bindur se palët nuk do arrinin marrëveshje, pasi sipas tij Edi Rama dhe Lulzim Basha nuk duan një gjë të tillë, pasi do të bashkëqeverisin.
Ai tha se Rama nuk do marrëveshje, pasi shijon me marrëzinë e vet parlamentin që dominon. Sipas Blushit, LSI-në Rama nuk e do për koalicion por që të legjitimohen zgjedhjet. Kreu i LIBRA-s tha se Lulzim Basha nuk do marrëveshje para Kavajës.
“Isha i bindur që nuk do kishte marrëveshje pasi është njësoj si të besosh se një peshk ecën në bar. Sot palët janë më larg se ditën që pati një draft nga PPE. Basha nuk do marrëveshje para Kavajës. Rama nuk do marrëveshje, pasi shijon me marrëzinë e vet parlamentin që dominon. LSI-në ai e do për legjitimitetin e zgjedhjeve, nuk e do për koalicion. Kjo marrëveshje që u la sot në tavolinë ishte kot. Kjo është një marrëveshje për ndërkombëtarët, jo për shqiptarët. Këta thonë se po bëjmë sikur bisedojmë, por palët nuk duan marrëveshje. Duhet të ishin diskutuar standardet zgjedhore. Palët po diskutojnë për bashkëqeverisje, pasi nëse unë të jap ministra e zëvendësministra është bashkëqeverisje. Këto parti do bashkëqeverisin pas 1 viti”- tha Blushi në emisionin “Të paekspozuarit”.