Sfida për Shqipërinë: Ja si duhet të jetë modeli i ri politik e ekonomik!
Sfida për Shqipërinë ka shpalosur sot programin e saj “Për ekonominë e individit”, me prioritet rritjen e mirëqenies dhe punësimit. Kjo, thonë përfaqësues të Sfida për Shqipërinë, mund të arrihet falë transparencës politike dhe reduktimit të taksave.
Në një takim me mbështetës dhe qytetarë të Tiranës, Gjergj Bojaxhi tha se përgjegjësia për situatën e rëndë ekonomike, pagat më të ulëta dhe varferinë më të lartë është e politikës. “Pas 25 vitesh, ekonomia vazhdon të mbetet problemi kryesor për shqiptarët. Këta politikane, në vend që të rregullonin taksat e mirëqenien e shqiptarëve, u morën me tendera e koncensione për vete”, tha ai.
Bojaxhi shtoi se ‘Sfida për Shqipërinë’ beson se eshte fiks momenti për një model të ri politik që ka prioritet rritjen e mirëqenies dhe punësimit. “Ne besojmë se ka ardhur koha për të ndërruar këtë rrjet politikanësh që kanë treguar se janë administratori më i keq i parave tona këto 25 vite. Duhet një model i ri politik që synon të nxisë profesionistët të ecin përpara dhe jo të mbizotërojë partitizmi. Ne besojmë të ekonomia e individit, prandaj propozojmë: Vetëm 2% taksë për pagat deri në 60.000 lekë. Vetëm 10% taksë për pagat nga 60.001 deri në 400.000 dhe mbi këtë shifër 20%, Punësimin e rrit vetëm rritja e ekonomisë së individit dhe bizneseve e jo me premtimet boshe” u shpreh Gjergj Bojaxhi.
Sipas ‘Sfida për Shqipërinë’ ekonomia e individit rrit pavarësinë ekonomike, punësimin dhe mirëqenien. “Shqipëria ka potencial, mund dhe do të behet! Jemi shumë që mendojmë kështu. Bashkë mundet!” u tha në takimin me mbështetësit dhe simpatizantët e “Sfidës për Shqipërinë”.