Rama sulmon LSI nga Vora: Partia që ka Hipotekën mban peng legalizimet
Kryeministri Edi Rama, nga Vora ku zhvilloi takimin e radhës elektoral, sulmoi ashpër partinë me të cilën bashkëqeverisi për 4 vjet me radhë, Lëvizje Socialiste për Integrim duke e cilësuar një parti që blen vota, madje kërkon edhe fotografi për votën e blerë.
Rama u ndal më tej tek procesi i legalizimeve, që sipas tij nën qeverisjen e majtë u përshpejtua shumë, por shtoi faktin se për shkak të përçarjes së administratës çështja ka ngecur tek Hipoteka, që sipas Ramës mbahet peng nga LSI.
“Nuk e di pse i shqetëson fakti që duam të bëjmë shtet dhe një administratë për qytetarët. Duhet të bëjmë legalizime e hipoteka, jo ndarje unë dua patentat e tjetri pastrueset. Kështu nuk bëhet shtet. Unë nuk them se ka faj një parti e caktuar sepse të gjitha kanë qenë të përfshira në këtë histori në këto 25 vite. Unë jam krenar për punën që ka bërë koalicioni dhe nuk e kuptoj pse nuk krenohen dhe ata. Reforma në administratë dhe ajo në arsim janë shtetbërëse. Ne nuk jemi në luftë me asnjeri, thjesht jemi në luftë për shqiptarët”, tha Rama.