Katër kërkesat ultimative drejtuar qeverisë së Greqisë për ndalur genocidin që u refuzuan nga nazistët grekë.

Studiuesi Hajredin Isufi, ka publikuar dëshmi nga dokumentet arkivore lidhur me qëndresën çame për të mos lënë trojet nga dhuna shtetërore greke, reprezaljet në Çamëri. Dokumentet arkivore i përkasin viteve 1945-1947.

Në kalvarin biblik të shpërnguljes së dhunshme të popullsisë çame, mohimi i të drejtës së ligjshme për rikthim në trojet autoktone (njohja e pasurisë) vazhdon të mbetet edhe sot pas më shumë se shtatë dekadash, një problem tepër i mprehtë.

Nga Hajredin Isufi

Genocidi ndaj popullsisë së pambrojtur çame nëpërmjet shpërnguljes së dhunshme nga trojet e tyre, sipas dokumenteve zyrtare të kohës, solli reagimin e qarqeve përparimtare europiane, personaliteteve të kohës, si dhe të Lidhjes së Kombeve.

Në kulmin e genocidit grek ndaj popullsisë së Çamërisë, Lidhja e Kombeve dhe Roma i bënë presion qeverisë greke, duke i kërkuar asaj:

– Të ndërpriste menjëherë dëbimin me dhunë të çamëve.

– Të hapeshin shkolla shqipe në Çamëri.

– Shqiptarëve t’u ktheheshin pronat që ua kishin zaptuar refugjatët grekë.

– Të respektoheshin të drejtat e myslimanëve.

Siç dihet, këto kërkesa të Lidhjes së Kombeve ranë në vesh të shurdhër, pasi pala greke nuk ndali dhunën dhe genocidin ndaj popullsisë së Çamërisë. Një pjesë e madhe e popullsisë së Çamërisë u vra nga nazistët grekë, ndërsa pjesa e mbetur u shpërngul drejt Shqipërisë. Drama vazhdon, pasi të mbijetuarit e genocidit nuk lejohen të kthehen në trojet e tyre në Çamëri as për të vizituar varret e prindërve, motrave e vëllezërve të tyre të vrarë gjatë genocidit grek.

Por, tani është koha, kur organizatat ndërkombëtare të rikthejnë në agjendën e tyre Çështjen e Çamërisë. Brukseli e ka tashmë pjesë të agjendës Çështjen e Çamërisë pasi i ka kërkuar palës greke të pranojë bisedimet për ta trajtuar e zgjidhur tragjedinë e Çamërisë bazuar në konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.