Albspirit

Media/News/Publishing

Një vrasje 73 vjet më parë, brenga e pasosur e Limos Dizdarit


Xhevdet Shehu

Shumëkush mund ta mendojë artistin tonë të njohur Limos Dizdari si një njeri që jeton pambarimisht midis haresë së notave muzikore, në një botë thuajse të ëndërrt, ku ai ka krijuar vepra të mrekullueshme dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Pa asnjë dyshim ai është nga kompozitorët më të mirë të këtij vendi. Vepra të gjinive të ndryshme, çmime dhe vlerësime pa fund. Muzika është një art që në një perceptim vulgar perceptohet si një zeje e njerëzve të qejfit, kur është pikërisht e kundërta. Një krijues i madh i ka më të mëdha edhe ndijimet, edhe shqisat, edhe dhimbjet se sa njerëzit e tjerë të zakonshëm me të cilët mund t’i lidhë vetëm bashkëkohësia. Krijuesit e mëdhenj i përjetojnë brengat e tyre në një mënyrë krejt të veçantë, gati të pakuptueshme. Si tingujt e erës nëpër drurë, si një stuhi dëbore në alpe apo si shkulmet e valëve të detit në mote të mbrapshtë.

Mirëpo, a i kapin dhe perceptojnë të gjithë këta tinguj, valë e dallgë të gjithë njëlloj, dhe për më tepër t’i ndiejnë dhe t’i interpretojnë dhe t’i hedhin në poezi, romane apo pentagrame?

Limos Dizdari është padyshim një nga këta njerëz-artistë me shije tejet të holla. Duke mos qenë i sferës së tij krijuese, nuk më takon mua të japë konsiderata për të si kompozitor. Më ka pëlqyer muzika që ka krijuar dhe besoj në konsideratat që kanë dhënë për të kolegët e tij dhe sidomos ekspertët e muzikës.

Unë këtu po shkruaj për një brengë të pasosur të artistit të shquar. Madje një brengë të dyfishtë të tij.

***

Para dy ditësh miku im Dilaver Goxhaj, një ushtarak i shquar dhe një nga figurat qendrore të UÇK-së në vitin 1999, më dërgoi një shkrim për këtë brengë të madhe të artistit Limos Dizdari. E njoh prej shumë vitesh Limosin, por këtë brengë nuk ma kish treguar asnjëherë më parë. Ndoshta nuk kishte dashur që brengën e tij t’ua transmetonte edhe të tjerëve. Sepse Limosi duket se ka një parim të tij: Secili ka hallet e tij në këtë botë, prandaj mos u shto edhe ti gurët e halleve të tua.

Drama e Limosit me pak fjalë ishte kjo: I ati i tij në vitin 1943 shkon të ndjekë të birin, Baftjarin, i cili kishte dalë partizan pa lejen e tij. Meraku i prindit e shtyu të shkonte dhe ta merrte në shtëpi të birin, pasi ishte ende kalama. 14 vjeç ishte Baftjari. Mirëpo, kur shkoi në Brigadë e takoi të birin, bëri të kundërtën: qëndroi edhe vetë partizan, si intendent i Brigadës… Pas disa muajsh, si sot 73 vjet më parë, më 15 korrik 1944, Hulusi Dizdarin e nxjerrin para togës së pushkatimit dhe e vrasin shokët e tij me yllin e kuq në ballë. Pa gjyq, pa dëshmi, pa motivacion… Pastaj e lënë dhe pa varr!

***

Kur ndodhi tragjedia, Limosi ishte vetëm dy vjeç dhe ai thuajse nuk mban mend asgjë. Pas 73 vjetësh tragjedia i vjen në trajtën e një ulërime, që herë i ngjan një klithme njerëzore, herë një kuje ere në netët dimërore ku nuk merret vesh kush ulërin më shumë: natyra, njeriu apo ujqërit. Ndërsa nëna e tij mund të qante pambarimisht natën dhe ditën duke përsëritur vazhdimisht “O ç’hata, ç’hata e madhe na gjeti!”, foshnja dy vjeç imitonte nënën dhe qante pa e kuptuar pse. Mbase kështu besonte se ia lehtësonte brengën nënës duke i fshirë asaj lotët që nuk iu shterën asnjëherë… Nuk e dinte kuptimin e fjalës “hata” që i dukej si “ata” dhe sidomos nuk e kishte idenë e fjalës vdekje. Babai, të cilit nuk ia kishte fiksuar ende mirë tiparet e fytyrës, si në ëndrra i shfaqej si një engjëll shpëtimtar që do të vinte me doemos me gjithë të mirat një ditë…

“Kur të rritem do t’i mësoj të gjitha”, betohej më vete Limosi.

Por, ata, shokët e babait dhe të vëllait nuk i thanë kurrë se je bir i një tradhtari apo armiku, por as edhe dëshmori. Gjithsesi e trajtuan mirë. E dërguan në shkolla, e bënë edhe komunist më vonë, por të vërtetën nuk ia thanë që nuk ia thanë. Kjo, në vend që t’ia lehtësonte brengën, e mundonte dhe më shumë… Për më tepër kur mësonte se nuk ishte rasti i tij i vetëm. Kishin ndodhur edhe vrasje të tjera në kohën e luftës me dhe pa gjyq, madje dhe pas shpine… Sidomos intendentësh. Gjithsesi atij i rrinte dhe i rri mendja te halli i tij, te brenga e tij e pasosur, e mistershme dhe me shumë pikëpyetje…

Herë-herë ka arsyetuar se trajtimi i mirë që i bëri regjimi, ishte njëfarë ndjese e tërthortë, ndërsa shikimet e buta të ish-shokëve të të atit dhe të vëllait kur e takonin, i dukej se i thoshnin: Mos i hap më ato plagë, janë bërë edhe gabime… Ne do të ndihmojmë të ngjitesh e të kesh kushte sa më të mira në jetë…

Mirëpo ky interpretim sikur bënte efekt të kundërt tek artisti tashmë i shquar dhe kështu, në mënyrën më të natyrshme të mundshme, ajo brengë iu bë pjesë e pandarë e jetës së tij. Kur ishte dhjetë vjeç, kur lidhi për herë të parë shallin e pionierit në qafë, kur mori teserën e anëtarit të rinisë, kur shkoi në shkollë të mesme, kur spikati për veshin e muzikantit dhe shkoi në shkollë për muzikant, kur bëri kompozimin e parë, kur krijonte këngë, mandej muzikën e 35 filmave, si rrallëkush tjetër. Sidomos kur shkruante muzikën e filmave me temën e luftës gjithnjë do të kish para syve babain dhe vëllain e tij, partizanët me një fat tragjik… Studiuesit e muzikës nëse nuk e kanë pikasur deri më tani, mbase do të zbulojnë ndonjë ditë në pentagramet e Limosit brengën e artistit.

***

Limos Dizdarin mund ta përfytyrosh duke dihatur në të përpjetat e jetës së tij prej më shumë se 70 vjetësh. Ajo dihatje me një brengë të pasosur në shpirt, shpesh i kthehej në dënesje e herë në ulërima dhimbjesh të brendshme të cilat më vonë gjeti mënyrën t’i kthente në nota muzikore në pentagrame të pafundmë këngësh dhe simfonish. Ashtu si të gjithë artistët në gjinitë e tyre të krijimit artistik.

Ai gjeti te kompozicioni magjinë për të plazmuar në pentagrame brengën e tij të thellë që në vend t’i fashitej e harrohej, i rritej dhe nuk e linte për asnjë çast të qetë e të ndihej i lumtur. Brengat vetëm të trishtojnë, kurrsesi nuk të lumturojnë… Ndërsa ata nëpër festivalet e këngës, në koncerte simfonike i kërkonin pjesë të bukura me nota gazmore dhe optimiste sikurse trumbetohej se ishte jeta e re socialiste… Me kalimin e viteve ai kuptoi se nuk ishte i vetëm në dhimbjen e tij. Vërtetë ne kishim fituar një luftë, por në atë luftë ishin bërë edhe padrejtësi, kishte pasur dhe shumë viktima të pafajshme. Ai vetë ishte një viktimë e kohës që duhej ta duronte pambarimisht…

Çfarë kërkon artisti pas kaq shumë vitesh udhëtimi me brengën e tij të pasosur? Gjënë më të thjeshtë në botë: Të vërtetën. Dhe një ndjesë publike për krimin e kryer! Njohja e statusit të dëshmorit për të atin është më e pakta. Më mirë vonë se kurrë, thotë populli.

Dhe artisti Limos Dizdari jam i sigurt se di të falë…

Please follow and like us: