Albspirit

Media/News/Publishing

Tedi Papavrami rrëfen dashurinë e re me pianisten japoneze dhe dramën e jetës

Tedi Papavrami rikthehet bashkë me pianistin francez François-Frédéric Guy në Katedralen Orthodokse, në orën 19.00. Ai prezanton bashkëshorten japoneze, tregon ndarjen me bashkëshorten dhe premton një duo speciale

Anila Dedaj

Bethoven dhe Bah, e sjellin përsëri gjeniun e violinës në vendin e tij. Tedi Papavrami kësaj here vjen në Tiranë ndryshe. E pohon edhe vetë, ndihet më mirë. Ndoshta merita për këtë kapërcim pozitiv emocional, i takon edhe bashkëshortes të tij, artistes japoneze Maki Okada, e cila e shoqëron gjatë provave dhe konferencave, dhe pret që Papavrami t’i zbulojë Tiranën tjetër, përtej skenave. Mbrëmjen e sotme në Katedralen Orthodokse, në orën 19.00, violinisti i mirënjohur shqiptar dhe pianisti François-Frédéric Guy do të interpretojnë 4 sonata me violinë dhe piano nga të mirënjohurit e muzikës klasike Beethoven dhe Bah. Në këtë rikthim Papavrami, ashtu si në muzikë, rrëfen me sinqeritet veten dhe jetën e tij, duke treguar vështirësitë, kthesat e lumtura dhe magjinë e publikut shqiptar. Pas lojës virtuoze të mjeshtrit në koncertet e fundit që ka mbajtur në Tiranë, me “6 sonatat dhe partitat e Bahut”, në jetën e tij ka pasur një periudhë e vështirë. “Jeta ime ndryshoi, pasi u ndava nga ish gruaja ime. Si për çdo njeri këto janë gjëra të vështira, pasi kishim 21 vite që jetonim bashkë. Ishim rritur bashkë në një farë mënyre dhe kjo u reflektua edhe në lojën time.

E ndjeva veten jo mirë për mjaft kohë”. Mirëpo stina e trishtë, dalëngadalë i la vendin një tjetre, një rruge tjetër më të mirë për artistin dhe është përsëri dashuria ajo që mbyll plagët. Ajo quhet Maki Okada është nga Japonia dhe është zhvendosur të jetojë me artistin shqiptar në Gjenevë (Zvicër). “Jam vërtetë shumë më i qetë dhe më i lumtur, më duket vetja me shumë fat që kam gjetur një njeri kaq të mrekullueshëm me të cilin mund të ndajmë shumë gjëra”. Fakti që Maki është pianiste bën që jo vetëm të mund të luajnë bashkë, por edhe të kenë një komunikim më të gjerë, prej pasionit të përbashkët, muzikës. Tedi rrëfen se Maki i ka ndryshuar perceptimin e tij, se jetesa mes dy muzikantëve nuk do të ishte harmonike. “Përpara mendoja se është e vështirë jetesa me një muzikant. Mendoja se do të krijoheshin situata konflikti, prej presionit të vazhdueshëm dhe kërkesave artistike, po fatmirësisht diçka e tillë nuk po ndodh. Ne ndihemi shumë mirë me njëri-tjetrin”. Tedi dhe Maki, kanë interpretuar së bashku edhe në skena ndërkombëtare, dhe në planet e tyre është që të vijnë si duo edhe në skenat shqiptare. Mirëpo kësaj here, violinisti rrëfen se është shumë i lumtur që po e njeh bashkëshorten e tij me vendin ku është rritur. “Sot po i tregoja rrugën që të çon aty ku ishte dikur shtëpia jonë. Do të shkojmë sapo të kem pak kohë, sepse kam qenë i angazhuar me provat.

Kësaj here do të zbulojmë vendin, mandej do të krijojmë rastin për të luajtur së bashku në skenë në Shqipëri”. Pavarësisht se jeta personale e tij është pushtuar nga pranvera e dashurisë, Tedi është shumë i ndjeshëm edhe ndaj situatës që po ndodh përreth tij. “Problemet që ka bota janë shumë të rënda dhe kjo nuk të lejon të jesh mjaftueshëm optimist, mirëpo çdo njeri mundohet të mbajë veten dhe të vazhdojë rrugën e vet”, shprehet ai. Për artistin që u dashurua pas violinës që në moshën 4-vjeçare, e mandej në moshën tetë vjeçare mundi të interpretojë ariet Bohemiane, balanca mes talentit dhe punës është mjaft e qartë. Sipas tij, edhe pse talenti është një e dhënë që të vendos në një shkallë më të lartë në raport me të tjerët, përsëri ajo që bën ndryshimin është puna. “Në botën e profesionistëve ka pothuajse vetëm njerëz të talentuar, kështu që kanë pak a shumë një dozë talenti të ngjashme”. Përpos punës, Papavrami rrëfen se elementi tjetër i nevojshëm është vlera shpirtërore, që sipas tij është diçka që ndjehet dhe përcillet në muzikë. Për të janë këto dy pikat që bëjnë një interpretues më të thellë.

“Ndodh njësoj si me kompozitorët. Pse Bethoveni është bërë Bethoven?! Ka kompozitorë të tjerë që 14 vjeç shkruanin kryevepra ishin shumë të talentuar, por që më vonë janë bërë kompozitorë në Hollywood, ku krijojnë muzikë për filma”, rrëfen artisti duke theksuar se kjo është një punë shumë e respektueshme, por që gjithçka edhe tek Bethoveni, lidhet me kërkesat që ai kishte ndaj vetes. Tedi, tregon se ai vazhdon të ndjekë një regjim të rreptë, pasi tanimë për të është bërë një domosdoshmëri, një mënyrë jetese. “Unë nuk di të jetoj ndryshe, sido që të jetë puna”. Sigurisht që edhe ai herë pas herë ndien nevojën ta lehtësojë veten, mirëpo prej kërkesave muzikore diçka e tillë, nuk është e thjeshtë. “Nga ana tjetër e kam jo të lehtë, sepse është personaliteti im që është brumosur në këtë mënyrë dhe është pak vështirë që të ndryshoj”. Gjatë karrierës së artistit nuk kanë munguar edhe momentet e vështira. Jo shumë kohë më parë ai rrëfen të ketë pasur një shqetësim në dorë, që edhe pse tani e ka kaluar, herë pas here i shkakton një lloj pasigurie, që nuk e lejon të çlirohet krejtësisht prej saj.  “Më ka ndodhur që të kem qenë në koncert dhe ta ndaloja aktivitetin, sepse nuk arrija të luaja me mundësitë e mija. Diçka e tillë është torturuese. Aty kam kuptuar sesi diçka kaq e bukur si muzika mund të kthehet në një gjë kaq të hidhur dhe shumë të rëndë”. Tedi rrëfen se problemi në dorë, e ka bërë të ndihet jo mirë, deri edhe fatkeq, pasi pavarësisht se në jetën e tij ka pasur jo pak drama, tek violina ka gjetur paqen e nevojshme. “Violina nuk prekej nga ajo që ndodhte jashtë saj, ndërsa kësaj radhe ishte violina që ishte e prekur dhe nuk mund të më sillte më ngushëllimin e mëparshëm”.

Kompozitorët e preferuar

Teksa gjithmonë edhe më shumë përmendet Bethoveni në repertorin e Tedit, ai pohon se violinistët nuk janë aq të specializuar sesa pianistët, pasi këta të fundit kanë edhe një repertor më të gjerë. Ai rrëfen se kanë mundur të realizojnë edhe një disk me muzikë nga Bethoveni. “Pas dy vitesh është përvjetori i datëlindjes së tij edhe kështu që do të luajmë shpesh këtë repertor”, ndërkohë që aktualisht janë edhe duke regjistruar triot e kompozitorit. Për Papavramin, Bethoveni dhe Bah do të vazhdojnë ta shoqërojnë në mënyrë të vazhdueshme. Edhe pse Paganini ka qenë i rëndësishëm në fillimet e tij, ai pohon se ajo nuk është muzika më e thellë që ai mund të interpretojë. “Teknikisht Paganini është revolucionar, krijon muzikalisht mrekullira, por Bethoveni është në këta kompozitorë të paktë që kalojnë deri në filozofi”.

“Prekem dhe frymëzohem nga publiku shqiptar!”

Artisti nuk e mohon emocionin që i përçojnë duartrokitjet, madje ai rrëfen se në Filarmoninë e Parisit, ka kërkuar që njerëzit të duartrokasin midis kohëve, pasi pjesëmarrja është e gjerë dhe jo të gjithë i njohin veprat. Megjithatë, ai tregon se tek publiku shqiptar, gjatë eksperiencave skenike ka hasur një përqendrim të veçantë. Kjo, sipas tij, vjen edhe pasi në Shqipëri, njerëzit kanë një njohje më të thellë të tij. “Deri diku nga ana njerëzore më njohin më mirë. E kanë idenë për jetën time, etapat e saj”. Violinisti gjithashtu ka mundur të perceptojë se shumë prej tyre e admirojnë.  “E ndiej këtë dhe kjo më prek dhe më frymëzon jashtëzakonisht”. Ai kujton se gjatë interpretimit të partiturave të Bahut, publiku shqiptar ishte shumë i përqendruar dhe i dëgjueshëm. “Nuk lëvizte gjë në sallë dhe më erdhi shumë mirë. Sepse unë mundohem ta luaj këtë në shumë vende të botës, por organizuesit jo gjithmonë e ndiejnë veten gati për një repertor të tillë”.Në Shqipëri, Tedi rrëfen se është pikërisht njohja që publiku ka ndaj jetës së tij që e bën të shkojë më lehtë drejt një repertori, që njihet si i komplikuar. “Në fund të fundit për mendimin tim nuk ka repertorë të komplikuar në qoftë se interpretimi është ai që duhet”. Sigurisht që, siç edhe Tedi pohon, salla duhet të plotësojë konditat minimale, të jetë tingëlluese, por nga ana tjetër duhet një interpretues që punon. “Nevojitet një interpretues që i ndjen gjërat, që mesazhi të kalojë tek publiku”. Në një kohë që spektatori e shikon shpesh artistin të interpretojë edhe symbyllur, ai shprehet se ky nuk është një tregues përqendrimi, pasi në fakt në ato momente nëpër mendjen e tij kalojnë një sërë mendimesh, shumica të lidhura me veprën. “Jam në një botë timen, por përsëri e ndiej publikun, i ndiej reagimet!”. Papavrami rrëfen se në ato momente i shkon ndër mend shumëçka, mirëpo duke qenë se çdo artist ka një metodë dhe stil të tijin, ajo që ka rëndësi është puna e bërë. “Unë dukem si ata muzikantë që janë të fokusuar në mënyrë të veçantë me muzikën, por nuk ndodh kështu me mua, edhe pse dukem i tillë”. Megjithatë një metodë e tillë, sa instiktive edhe profesionale , e ndihmon atë të përcjellë në mënyrë gjeniale, veprat e kompozitorëve të mëdhenj. Gjatë interpretimit jam në një botë timen dhe jo i përqendruar, por përsëri e ndiej publikun, i ndiej reagimet!

Please follow and like us: