Albspirit

Media/News/Publishing

Ish-drejtori i doganave të Francës, rrëfim nga Pogradeci për Enver Hoxhën dhe kërkesa për shtetësi shqiptare

 

Image result for bardhyl berberi"

Bardhyl Berberi

 

Fare pranë bregut të liqenit është parkuar një makinë me targa franceze që ka pas një kabinë  lëvizëse dhe pak më tutje është ngritur një çadër. Aty hyn dhe del një burrë i moshuar. Çadra është vendosur rreth 10 metra larg bregut të liqenit dhe prej aty ndjen llokoçitjen e valëve të liqenit, klithjen e pulbardhave dhe kërcitjen e peshkut. Kjo bukuri e natyrës dhe këto brigje magjike më kanë sjellë prej më shumë se një jave, na thotë 80 vjeçari Zhan Lui Maria Henri Brezhu nga Franca. Është koha e drekës dhe Zhani është duke pjekur një pulë bio që u ka blerë fshatarëve të Hudënishtit përballë çadrës së tij.

Na pret buzagaz dhe shumë miqësisht.

Ai ka një javë që jeton këtu në breg të liqenit dhe është mrekulluar nga kjo bukuri e natyrës, ndonëse është hera e tretë që vjen në Pogradec. Zhani na thotë se ka qenë prej shumë vitesh Drejtori i Departamentit të Doganave franceze, para 10 vjetësh ka dalë në pension dhe i vetmuar ka filluar të udhëtojë nëpër vende të ndryshme të botës.

Është baba i katër djemve të rritur: 55-vjeçarit Lionel, 52-vjeçarit Arvin, 50-vjeçarit Mark dhe 48-vjeçarit Laurent.

Sapo erdha në Pogradec, thotë ai, ngela ‘rob’ i kësaj natyre të mrekullueshme dhe i këtij liqeni që është e vështirë ta gjesh në vend tjetër. Ai para dy ditësh ka festuar 80-vjetorin e datëlindjes së tij i vetëm në Shqipëri.

Më pas ai vë buzën në gaz dhe thotë: A të çudit ky fakt se pse e festova në Shqipëri?

Më pas ai vazhdon rrëfimin:

“Prindrit e mi, babai im Andrea dhe nëna Monika kanë ardhur nga Franca me punë si profesorë në liceun francez të Korçës. Unë kam lindur në Korçë, thotë Zhani, sepse babai im Andrea dhe nëna ime Monika kanë jetuar për shumë vjet në Korçë në kohën e Zogut, pasi babai im ka qenë profesor në liceun francez në Korçë së bashku me Enver Hoxhën. Ai ka patur miqësi atëherë më Enver Hoxhën dhe njihej me Enverin që në Francë, por që kjo miqësi e tij me të është prerë si me thikë kur babai mori vesh se Enver Hoxha ishte vënë në krye të lëvizjes komuniste. Babai im e urrente komunizmin dhe mbaj mend që më thoshte ‘Enver Hoxha po udhëhiqte Shqipërinë si i pari i vendit dhe do ta shkatërrojë atë popull të mrekullueshëm’ që babai e donte shumë pasi kishte kujtimet më të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët. Unë isha fare i vogël kur u larguam nga Korça dhe nga Shqipëria pasi në vendin tuaj hynë  fashistët italianë, të cilët okupuan gjithë territorin. Jemi larguar me një dhimbje të madhe, madje babai në shenjë respekti për Shqipërinë emrit tim i ka ngjitur edhe fjalën Skënder që unë t`i ngjaja heroit tuaj kombëtar Skënderbeut dhe unë për këtë jam shumë krenar”.

Madje, thotë Zhani, këto ditë do t`i kërkoj presidentit të Republikës së Shqipërisë që të më japi nënshtetësinë shqiptare, madje e them sinqerisht se dua të vdes në Shqipëri dhe varri im të mbetet këtu ku unë kam lindur në Shqipëri…

Zhani është shumë i çiltër dhe biseda jonë rrjedh lirshëm …

Befas, Zhani më thotë se nuk i mungon asgjë, por atij i pëlqen kjo jetë e një eremiti nëpër vende të ndryshme pasi është velur nga jeta dhe nga luksi.

“Ja, thotë ai, këtu buzë liqenit jam i qetë si ky liqen sot, bisedoj me valët e tij meditoj pa më shqetësuar njeri se çfarë kam bërë mirë në jetë dhe çfarë nuk e kam bërë ashtu siç duhet. Gjithë jetën jam udhëhequr nga një porosi që më ka lënë babi im para se të vdiste: Biri im, gjithë jetën bëj punë të mira të dobishme për njerëzit edhe pse mund të mos fitosh se sa të bësh punë të këqia dhe mund të fitosh por më pas vjen humnera…”.

E pyes për bashkëshorten e tij.

Ai më buzëqesh: “Jam i divorcuar, tashmë nuk jemi bashkëshortë, por dy miq të mirë që flasim vetëm në telefon. Jemi ndarë para shumë vitesh pas krijimit të familjeve nga fëmijët tanë. U divorcova nga gruaja ime, pasi e kishim konsumuar njëri-tjetrin gati 30 vjet  bashkë dhe nuk kishim se çfar t`i jepnim njëri-tjetrit, kështu vendosëm të ngelemi vetëm shokë e jo bashkëshortë, secili në punënë e vet. Prandaj unë i bëj këto udhëtime të vetmuara dhe jam krejt i lirë dhe nuk ka si liria”.

Zhani thotë se me varkën që ka sjellë me vete zë peshk dhe e kosumon për vete peshkun e freskët apo pula të freskëta fshati, të gjitha prodhime bio, thotë ai. Më pas shton, po të jap një këshillë: Hani ushqimet tuaja se janë më të mira se tonat dhe blini rrobat tona se janë më të mira se tuajat!

Ai fillon të tymosi një cigare të cilën e dredh vetë nga një qese duhani. Është ves i keq duhani, thotë, por s’kam se çfar t`i bëj, e kam filluar që ta pija që në moshën 17 vjeç.

Zhani ka titullin doktor profesor i shkencave ekonomike.

Ja, thotë ai, këtë janë miqtë e mi, kabina lëvizëse, vetura, varka dhe duhani…

Në fund e pyesim gjatë këtyre ditëve në Pogradec çfarë i ka pëlqyer dhe çfarë jo?

Natyra dhe njerëzit pogradecarë, thotë ai, janë të mrekullueshëm dhe natyrisht nuk më ka pëlqyer ky kaos urbanistik që më duket se ia kanë prishur ‘virgjërinë’ këtij qyteti. Bregu i liqenit duhet pastruar patjetër, jam befasuar kur kam parë vetura mbi tapetin e barit në park apo tmerrohem kur shoh që priten pemët e parkut!

 

 

Please follow and like us: