Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: GRUAJA PËRGJIMTARE

Tregim
Një grua dyzet vjeçare, me burrë dhe dy fëmijë, kishte filluar të ndjente brenda vetes, atë dëshirën përvëluese, të shihte çiftet e tjerë tek bënin dashuri.
Gjithçka pati filluar një pasditeje, ndërsa ajo po kthehej nga plazhi duke kaluar afër një pyllishteje të vogël me bredha dhe pisha, që i jepnin vendit një hijeshi të madhe dhe fshihnin gjithçka nga sytë e njerëzve, që zgjatej rrëzës së një shkëmbi. Ndërsa po kalonte, ajo kishte dëgjuar disa frymëmarrje që vinin të mbytura mes pëshpërimash nga një shkurre e dendur aty pranë. Plot me kuriozitet dhe me një drithërimë që i përshkoi trupin, ajo u afrua akoma për pak hapa në afërsi dhe u ndodh përpara një skene të pabesueshme. Shtrirë në tokë ishte një grua lakuriq tek bënte dashuri me një djalë të ri, i cili mund të ishte njëzet vjet më i ri se ajo. Ajo grua ngjante sikur i kishte kapërcyer të dyzetat, flokët i kishte të zinj e të gjatë, ishte e mbushur pak më shumë se ç’duhej tek kofshët, megjithate ruante një lloj freskie nga mosha e rinisë dhe fytyra e saj ishte ende e bukur. Ajo e pa atë sesi i hapej goja, se si mbyllte sytë, si ofshante e rënkonte, ndërsa mbi të jepte e merrte ai çunaku, që përveç kurrizit, vitheve dhe shalëve të gjata, nuk mund t’i shihje asgjë tjetër. Trupin e kishte të lidhur mirë, ndërsa flokët nga pas i kishte të qethur shkurt si ushtarët, por ngjyra e tyre ruante ende diçka nga zverdhtësia e gjetheve të vjeshtës.
Asaj iu bë sikur në vend të asaj gruas ishte ajo vetë, mbylli një çast sytë dhe pa në brendësi të mendjes, ku për herë të parë kishte bërë dashuri me një burrë të madh në moshë, i cili i pat rrëmbyer virgjërinë dhe bashkë me të edhe dlirësinë e ëndrrave rinore. Nga ajo kohë, të cilën shumë të reja e ëndërrojnë si diçka të qashtër dhe bukurinë e jetës së vërtetë, ishte kthyer për të, më vonë gjatë atyre viteve, në një rutinë shtrati në një hotel ku ai e kishte shpënë vazhdimisht. Por përpara kësaj skene të pazakontë, ajo ndjeu një nxehtësi të thellë në trup si s’ kishte ndjerë kurrë më parë. Dhe ndjeu orgazmën.
Nga ajo ditë, me justifikimin që i nxirrte burrit gjoja për të shëtitur, ajo kishte filluar të bridhte gjithë pyjet e zonës. Dhe gjatë atyre endjeve të saj përdëllimtare, ajo kishte nisur të zbulonte shumë çifte ndërsa po bënin dashuri.
Një ditë, teksa po kalonte në një rrugicë të ngushtë, ajo dëgjoi rënkimet e epshme të një gruaje. Tani këto lloj rënkimesh kishin filluar t’i dilnin dhe në gjumë dhe ta tallazitnin. Kishte frikë se mos e fshehta e saj zbulohej prej të shoqit. Kur dëgjoi zërat e asaj gruas, mendja i shkoi menjëherë në skenat që i kishte parë nëpër pyll, ndaj dhe ndali hapat. Përpara vetes kishte kopshtin e një shtëpie të vogël, ca të mënjanuar nga të tjerat, e cila mbulohej më së miri nga disa drurë të lartë shqopash e palmash, ndërsa vetë kopshti ishte i jeshiluar nga një bar i njomë. Në kopsht kishte një pus të vogël, i ndërtuar rreth e qark me gurë lumi, pranë tij një stol dhe ishte atje që ata dy të rinjtë po jepnin e merrnin me njëri-tjetrin. Vajza ishte ulur mbi kofshën e mashkullit, koka e saj dhe flokët i zinin atij tërë fytyrën, ndërsa me duart e fuqishme e shtrëngonte tek ijet që shkonin poshtë e lart dhe nganjëherë i lëvizte gishtërinjtë për t’i përmbledhur sisët e saj të fryra dhe marramendëse, me dy thithka që shquheshin deri larg si kumbulla të pjekura mbi degë.
U mbështet mbi murin pranë avllisë, duke u përpjekur të mos e vinin re dhe nisi t’i përgjonte. Përsëri brenda saj u mbush me avull, ndjeu të njomej dhe të fërgëllonte e tëra, si ta kishin rrahur me purtekë apo sikur kishte dalë në mes të natës së ftohtë me borë, krejt lakuriq.
Nuk i bëhej të ikte. U ul në gjunjë dhe mori frymë e lehtësuar, por edhe me një lloj boshllëku brenda. Ndezi një cigare me nervozizëm dhe filloi të sjellë ndërmend ç’kishte parë. “Ç’do të thoshte burri im sikur t’i zbulonte ndjenjat e mia të fshehta”?- mendoi. “Po sikur të flas nëpër gjumë? Po sikur të më kapin tërë këta që kam përgjuar? Do më quanin të çmendur apo të përdalë? Më duket vetja sikur jam kafshë nga brenda, skandaloze! Më vjen turp. E megjithatë, nuk mund të rri dot… Po ta dinin këtë gjë edhe fëmijët e mi të rritur, do të më shihnin me frikë dhe urrejtje. Do më quanin një manjake te ndyrë apo një përbindëshe”.
U tremb dhe bëri të ngrihej. Por me kujdes që të mos shihej prej dy të rinjve, të cilët tani ishin në kostumet e banjos dhe lëviznin nëpër kopësht. Vajza ndali pranë pusit, mbushi kovën me ujë dhe ia derdhi të tërën në fytyrë djalit, që ishte shtrirë sa gjatë e gjerë mbi stol, kishte mbyllur sytë dhe po çlodhej. Dukej sikur i vinte gjumë.
Gruaja e hodhi me vrull në rrugë bishtin e shuar tê cigares. Përsëri iu kujtua burri, fëmijët, njerëzia. Ç’do të thonin njerëzia- mendonte me vete- sikur ta dinin për atë ndjenjë të ndyrë që kam brenda vetes, këtë makth të pambarimtë seksi? Po sikur ta dinin për ato ëndrrat që shoh? Mirë që ëndrrat nuk ndodhin në jetë- u ngushëllua disi ajo.
“Po ti dinin të gjitha këto, do tē më quanin një femër që hedh pluhur mbi femrën? Do të më quanin si të shartuar? Do të më quajnë të marrosur, kështu do thonë? Pastaj do më mbërthejnë prej krahësh dhe si një lukuni ujqish do të më rrahin për vdekje dhe do të më djegin si një të përdhosur? Apo s’do ta bëjnë këtë, por të gjithë do të largohen prej meje dhe do të më duhet të jetoj e vetme? Sikur ta dinin fëmijët si janë mbushur të mbathurat e mia! Kam frikë t’i prek! Kam frikë t’i ngjyej gishtërinjtë me atë masën e butë e të shtirshme. Dhe pale, në këtë moshë, duhet të më ndodhë e tërë kjo? Po sikur të mbetesha e vetme, e sëmurë, e drobitur, do kisha parasysh tërë ato ëndrra të shpifura që shoh gjatë natës, të cilat do më mundonin dhe torturonin. Gjithçka që shoh nëpër ato ëndrra, s’ është gjë tjetër veçse përdhosja e dlirësisë, bile po më duket sikur dlirësia dhe ndyrësia tani çiftohen dhe harbohen së bashku. Apo brenda qenësisë sonë prej femre, ka më shumë nevojë për kafshëri, për brutalitet, këto si di dhe aq mirë, por në mendjen time ka kohë që ka filluar luftë e trazim dhe s’ shoh gjë tjetër përveç vetes sime kur isha e re tek eci nëpër një fushë të blertë e përndjekur nga një gorillë e shëmtuar…”.
Ndërsa nisi të largohej, ajo pa edhe njëherë nga kopshti. Tani ai djali rrinte në dritare me filxhanin e kafesë në dorë, teksa nxirrte ende avull dhe po vështronte një lopë pranë një mullari në një fushë të largët. Ai herë herë sheh nga lopa dhe herë të tjera vajzën që është përkulur në verandë dhe sheh dhe ajo diku larg. Atyre nuk u shkonte fare nëpërmend, se ajo grua që tani shihnin të kalonte, i kishte përgjuar ca më parë.
Kështu, pas kësaj, gruaja, u kthye përsëri ne shtëpi. Dy herë rradhazi, nga një dritare e pallatit përballë, kishte dëgjuar rënkime. U çua nga krevati për të dalë në dritare. Pas një farë kohe, ajo pa një burrë të zhveshur që shkonte për në banjo.
Burri i saj po flinte si i vdekur dhe herë pas here i hapej goja dhe gërrhiste. Kishte filluar ta përçmonte burrin e saj, që nga koha kur i qe mbushur mendja se midis tyre kishte filluar të shuhej çdo thërrime e ndjenjave dhe kishte mbetur pezull vetëm harbimi i atyre viteve të parë kur ishin njohur, mes tërë kësaj rutine të ftohtë që i kishte pushtuar më së fundi, që të dy, burrë e grua. Ajo u shtri përsëri pranë tij, por nuk e zgjoi. Dikur do ta kishte bërë këtë.
Gjatë natës ajo ëndërroi sikur kishte në shtrat dy gjarpërinj. Njëri prej tyre e përkëdhelte dhe tjetri iu mbështoll dhe e pickoi mes gjoksit. U zgjua e tmerruar.
Netëve për të nuk kishte më qetësi. Ishte ende e re, sapo i kish mbushur të dyzetat dhe kishte nevojë për dashuri. Rrinte duke kujtuar tërë ato skenat e çifteve nëpër pyllishte dhe fillonte të fërkonte veten. Por edhe i trembej vetes kur prekte me gishtërinj, diçka nga celuloidi që kishte nisur ta pushtonte rrëzë kofshëve dhe në bark.
Megjithatë, ishte ende e bukur. Iu kujtonte kur dikur, burri që e shpinte në dhomën e hotelit, i thonte që ajo ta priste e shtrirë në krevat dhe e zhveshur dhe sapo ai hynte brenda i sulej përsipër… Pastaj pinin nga ndonjë gotë verë, porositnin për të ngrënë, bënin prapë dashuri, e më pas flinin në krahët e njëri- tjetrit, për t’u larguar të nesërmen.
Ndërsa burri i saj, tani vjen vonë në shtëpi, i lodhur dhe i zymtë.
Please follow and like us: