Albspirit

Media/News/Publishing

ZGJÂNIMI I SHTATUTIT TË LUSHNJES

Kaptinë I.

FORMIM I SHTETIT

Pjesë “A”

Dispozita të Përgjithëshme

  1. – Vendin e Mbretit e zên përkohësisht Këshilli i Naltë me të drejtat e detyrat e caktueme taksativisht në këtë Shtatut.
  2. – Pushteti ligjislativ ushtrohet prej Parlamentit.
  3. – Pushteti përmbarues i përket vetëm Këshillit të Naltë, i cili e ushtron me ânën e Kabinetit.
  4. – Pushteti gjyqsuer ushtrohet prej Gjykatavet dhe vendimet e tyne epen n’emën të Shtetit.

Pjesë “B”

Pushteti Ligjislativ.

  1. – Përfaqësia komtare përmblidhet në nji Parlament të përbâm prej deputetnish të zgjedhun prej popullit me votim t’unjishëm (universel) si mbas ligjës.
  2. – Deputetnit zgjidhen për katër vjet; barra e tyne mbaron vetëm në mbarim të këtij afati. Sa për këtë Parlament, ky artikull nuk aplikohet.
  3. – Askush nuk mund të pranohet për deputet pa qenë nenshtetas shqiptar, pa pasë mbushun moshën 25 vjetsh, pa gëzuem të drejtat qivile e politike dhe pa pasun të gjitha cilsit e tjera të lypuna prej ligjës.
  4. – Cilsija e deputetit âsht e papajtueshme me ç’do nenpunësi të Shtetit me rrogë ase me nenpunsi komunale, ase me shërbimin aktiv fetar.
  5. – Deputeti nuk përfaqëson vetëm qarkun qi e ka zgjedhun, por kombin përgjithësisht.
  6. – Deputetit nuk mund t’i epet asnji porosi urdhënore prej zgjedhësvet të vet.
  7. – Deputetnit kanë të drejtë me marrë nji shpërblim prej 5000 fr. ar në vjetë. Këjo shumë mund të ndryshohet herë mbas here me ligjë.
  8. – Mënyra e ushtrimit të zyravet të Parlamentit, caktohet në rregulloren e mbrendëshme të tij.
  9. – Parija e Parlamentit zgjidhet prej tij dhe në gji të tij, në nisje të ç’do sesjoni, për gjith vijimin e tij deri në fillim të tjetrit. Zgjedhja e Paris dhe emnimi i nëpunësvet të Parlamentit bâhen mbas rregullores së mbrendëshme të tij.
  10. – Parlamenti shqyrton fuqit e cilsit ligjore të misvet të vet, dhe gjykon e vendon mbi to mbas parashkresavet të rregullores së mbrendëshme të tij.
  11. – Ç’do mis i Parlamentit âsht i detyruem me bâmun dy bé; njenen përpara se të shqyrtohen fuqit e cilsit e tija, dhe tjetrën përpara se të nisë zyrën e tij si deputet. Beja e parë âsht këjo: Betohem n’emën të Perendis e mbi nderin t’em se kam për të kryem detyrën e shqyrtimit me ndërgjegje e asnjansi të plotë. Beja e dytë do të bâhet me këto fjalë: Betohem n’emën të Perendis e mbi nderin t’em se kam për të ruejtun besnikisht mëvetësin e tânësin toksore të Shqipnis, se kam për t’i ndêjun besnik Atdheut e për t’u dalun zot Shtatutit e ligjvet të Shtetit, e se kam për të kryem detyrën t’eme me ndërgjegje të plotë për të mirën e përgjithëshme pa u pênguem aspak prej interesash të veçanta a krahine.
  12. – Deputeti i zgjedhun rishtas qi, pa shkake të justifikueshme të vërtetueme siç duhet, nuk paraqitet deri në dy muej përpara Parlamentit për të bâmun bén e detyrshme, quhet i rám nga zyra e tij. Gjykimi mbi pranueshmin a mos të shkakevet justifikative, i përket Parlamentit.
  13. – Deputeti qi për gjashtë muej rresht mungon prej mbledhjevet të Parlamentit, pa auktorizimin e Parlamentit, quhet vetiu i rrëzuem.
  14. – Kur, për ç’do arësye qi të jetë, mbete zbrazët vendi i nji deputeti, mbrenda dy muejsh prej ditës së zbrazjes, por jo mâ parë se nji muej, duhet zgjedhun nji tjetër në vend të tij.
  15. – Parlamenti mblidhet vetiu dy herë në vjetë në dy sesjone të rregullshme të tremujshme. I pari sesjon fillon me 15 Shtatuer e mbaron me 15 Dhetuer, dhe i dyti fillon me 1 Mars dhe mbaron me 31 Maj të ç’do viti.
  16. – Deputetënvet nuk mund t’u kërkohen përgjegjësi për mendimet e shfaquna e për votat e dhânuna në Parlament.
  17. – Në kohë të sesjonit, deputetnit nuk mund të gjinden të burgosun për borxh. Gjithashtu, në kohë të sesjonit, nuk mund të ndiqen as t’arreshtohen për çâshtje penale, pa lêjen e vendimin e Parlamentit, veç se n’u kapshin në faj e sipër për krim. Në këtë rasë auktoritetet gjyqsore janë të detyrueme me lajmue Parlamentin mbrenda 24 orësh me ânë të Ministris së Drejtësis. Për delikte e krime politike, deputetnit gjykohen dhe dënohen kurdoherë, do-me– thânë mbrenda e jashtë sesjonit, prej Gjyqit të naltë, me auktorizimin e Parlamentit si mbas ligjës së posaçme.
  18. – Parlamenti ka të drejtë me dekretuem lirimin e nji misi të vet për gjith kohën e sesjonit, në qoftë se ka qenë zânë në perjudhë të pushimevet.
  19. – Ne sesjon të jashtëzakonshmë bisedohen vetëm ato sende qi e kanë shkaktuem, të cilat do të caktohen në programin e pregatitun prej Qeveris. Këshilli i Naltë ka të drejtë me e mbyllun këtë sesjon kur do qi t’a shohë me arsye, po gjithmonë mâ parë se të nisë sesjoni i zakonshëm.
  20. – Në të hapun të sesjonit të zakonshëm, Këshilli i Naltë, me nji ligjeratë ase lajmesë, parashtron gjendjen e përgjithëshme të vendit e masat e gjykueme të nevojshme për me u marrë atë mot prej Pushtetit përmbarues, dhe Parlamenti i bân nji përgjegje sa mâ të shpejtë.
  21. – Parlamenti nuk mund të bisedojë e të vendojë pa qenë prânë nji mâ shum se gjymsa e të gjithë misvet të tij qi kanë kaluem ndëpër formàlitetet e artikujvet 14 e 15. Nuk njehen në numër të përgjithshëm ata qi mungojnë me lêje.
  22. – Të gjitha vendimet votohen me shumicë absolute të deputetvet qi gjinden pranë. Zgjedhjet qi i përkasin përsonavet, në qoftë se nuk votohen për herën e parë me shumicën absolute, herën e dytë votohen me shumicën relative të deputetve të mbledhun.
  23. – Votimi në mbledhjet e Parlamentit bâhet tue ngritun dorën përpjetë, me thirrje emnore ase mé zâ (votë) të fshehtë si mbas rasavet të caktueme në rregulloren e mbrendëshme.
  24. – Votimi i ligjvet bâhet nji herë parimisht dhe dy herë artikull për artikull në tri dit të ndryshme. Votimet për kodët e paraqitun prej Qeveris e të pregatitun prej nji komisjoni të posaçem të krijuem me ligjë, bâhen en bloc në tri mbledhje në ditë të ndryshme, për veç ligjvet qi Parlamenti me vendim i quen të ngutshme, të cilat votohen mbas rregullores së mbrendshme.
  25. – Mbledhjet e Parlamentit bâhen botnisht. Përveç gjindes s’armvet, kushdo tjetër mundet me marrë pjesë në to në konformitet me rregulloren. Bisedimet e Parlamentit botohen në vëllime të posaçme.
  26. – Parlamenti mund të bisedojë edhe në mbledhje të fshehtë, në qoftë se kërkohet prej ministërvet ase prej pesë deputetnish e në qoftë se pranohet prej shumicës, mbasi të ketë lânë dhomën bota e huej.
  27. – Parlamenti âsht i padhunueshëm. Asnji zyrtar a fuqi armësh, përveç trupit policuer të veçantë, nuk mund të vêhet mbrenda dhomës ase te porta e ndërtesës ku mblidhet Parlamenti pa vendim e kërkim të tij.
  28. – Ç’do akt me fuqi ligjore do të shpallet në gazetën zyrtare, e cila u dërgohet të gjitha Bashkivet të Shqipnis. Shpallja do të bâhet të shumtën dy javë mbas votimit dhe akti hyn në fuqi e zbatim nji muej mbas shpalljes, përveç atyne ligjve qi caktojnë nji afat të ndryshëm për të hymit e tyne në fuqi. Aktet me fuqi ligjore do t’inserohen në mbështjelljen zyrtare të ligjvet e të dekretevet.
  29. – Parija e Parlamentit âsht e detyrueme mbrenda në sesjon me i këthyem Pushtetit përmbarues ç’do projekt të paraqitun prej tij e të refyzuem prej Parlamentit me gjithë arsyet e mos pelqimit.
  30. – Asnji projektligje qi s’pëlqehet prej Parlamentit, nuk mund të paraqitet për bisedim nji herë të dytë gjith n’atë sesjon.
  31. – Për gjith vjetë, Pushteti përmbarues do t’i paraqesë Parlamentit për shqyrtim e pëlqim Bugjetin e përgjithëshëm t’ardhunavet e të prishunavet të Shtetit, bashkë me parashtresën e mënyravet e të mjetevet mbas të cilavet do t’u bâjë ball atyne shpenzimeve. Të gjitha t’ardhunat e shpenzimet e Shtetit do të futen në Bugjet. Bugjeti do të paraqitet gjithmonë në hapjen e sesjonit vjeshtuer, i cili s’mund të mbyllet pa u votue Bugjeti. Mënyra e hartimit të Bugjetit, bâhet me ligjë. Bugjeti votohet kaptinë për kaptinë, dy herë në dy dit të ndryshme. Pushteti përmbarues, në mbarim të vitit financjar dhe mbrenda në sesjonin e dytë të vitit financjar tjetër, do t’i paraqesë Parlamentit për shqyrtim e pëlqim Bugjetin konsomptiv të motit të kaluem, i cili votohet nji herë përgjithësisht.
  32. – Kur Bugjeti i ri nuk arrin me marrë formën ligjore definitive deri në fillim të vitit financjar për të cilin âsht pregatitun, Pushteti përmbarues vên në zbatim atê mâ të përparshmin për aqë kohë sa do të vonojë pëlqimi e votimi i të riut. Në këtë rasë, së cilës dege t’administratës Parlamenti i hap nji kredit të përmuejshëm jo mâ të math se e dymbëdhjeta pjesë e shpënzimevet të zakonshme qi i përkasin mbas Bugjetit të vjetër.
  33. – Pushteti përmbarues, nën përgjegjësin e tij qivile, detyrohet t’inserojë në Bugjetin e përvitshëm të Shtetit ç’do ligjë qi ngarkon nenshtetasit me paga e taksa. Ligjët qi nuk inserohen në Bugjet, quhen si të ngrituna e të pafuqi ligjore.
  34. – Kur nji kredit i dhânun në Bugjet nuk mjafton për atë shërbim, Pushteti përmbarues, me nji projektligjë, mbrenda në motin financjar, kërkon prej Parlamentit shtimin e atij krediti deri sa t’arrijë, dhe, kur shfaqen shpenzime për nevoja të paparapame në Bugjet, Pushteti përmbarues përsëri mund të kërkojë prej Parlamentit nji shtesë krediti, gjithnji në themel të nji projektligje së posaçme. Ligjët për kredite suplementare ashtu edhe të jashtëzakonshme, votohen si ligjët e zakonshme. Në rasa lufte, kryengritjeje, e kalamiteti publik (afati semavije) kur Parlamenti gjindet në pushim, Qeverija mundet me dekretligjë të krijojë nji kredit të jashtëzakonshëm nën përgjegjësin e saj. Kejo dekretligjë i duhet paraqitun Parlamentit në sesjonin e afërm.
  35. – Bashkë me projektin e Bugjetit të përgjithëshëm, ç’do vjetë do t’i paraqitet Parlamentit edhe projekti i sasis s’ushtris qi do të mbahet më kâmbë.
  36. – Parlamenti ka të drejtë të thërrasë përpara tij cilindo nga Ministrit për me e pyetun mbi ç’do çâshtje qi i përket degës së tij. Mënyra e thirrjes dhe e shfaqjes së Ministërvet caktohet në rregulloren e mbrendëshme.
  37. – Parlamenti kontrollon Qeverin. Për mprojtjen e interesavet të përgjithëshme, Parlamenti detyrohet, në ç’do rasë të vêçantë, të formojë prej gjinit të vet komisi hetimesh për të studjuem çâshtjet e faktet qi lidhen me to. Komisit hetuese kanë të drejtë me kërkuem shpjegime me gojë e me shkrìm, si prej auktoritetevet botore ashtu edhe prej privatvet. Mund të këqyrin edhe të gjitha aktet zyrtare qi t’u duken të nevojshme.
  38. – Parlamenti akuzon ministrat e i dërgon përpara Gjyqit të naltë të Shtetit në bazë të ligjës së veçantë.
  39. – Parlamenti nuk mund të pranojë deputetsi as të ndigjojë të tjerë përveç ministërvet ase zâvendësvet të këtyne me përjashtimin e rasës së parapame n’artikullin 24.
  40. – Në mbarim të perjudhës së Parlamentit Pushteti përmbarues detyrohet, mbrenda në dy javë prej ditës së përndarjes së tij, të dekretojë zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat duhen bâm, jo mâ vonë se dy muej e gjymsë dhe jo mâ parë se nji muej prej datës së dekretit. Në qoftë se, për shkaqe të paprituna, përjudha e Parlamentit merr fund, mâ tepër se nji muej përpara kohës së caktueme në Shtatut, Parlamenti i ri mblidhet vetju 15 dit pas zgjedhjevet. Në qoftë se në kohën mbas mbarimit të periudhës parlamentare dhe pa u bâm zgjedhjet e reja Pushteti përmbarues gjindet i shtërnguem me shpallë luftë ose me dhânë dorëhekjen kabineti a Këshilli i Naltë, me dekret të këtij të fundit thërritet Parlamenti i vjetër për aprovimin e projektligjës për luftë ase për pranimin e dorëheqjes dhe ristabilimin e Kabinetit a të Këshillit të Naltë.

Pjese „C “

Pushteti Përmbarues.

KËSHILLI I NALTË

  1. – Këshilli i Naltë âsht trup kolegjuer prej katër vetësh të zgjedhun prej Parlamentit për tri vjet me shumicë absolute votash.
  2. – Askush s’mund të zgjidhet si mis i Këshillit të Naltë pa qenë shqiptar me racë e me gjuhë, pa qenë nenshtetas shqiptar, pa pasë mbushun moshen tridhet ’e pes vjetsh, pa gëzuem të drejtat qivile e politike dhe pa pasun të gjitha cilsit e tjera të lypuna prej ligjës.
  3. – Misët e Këshillit të Naltë, nji mbas nji dhe mbas radhës alfabetike t’emnave të tyne, bâhen kryetarë të tij për të rregulluem veprimet e mbrendëshme të Këshillit. Sicili qindron tre muej në kryesi.
  4. – Kryetari mbleth e kryeson Këshillin e Naltë. Kuer mungon kryetari, vendin e tij e zên ai prej misvet qi ka për të qenë kryetar për s’afermi.
  5. – Këshilli i Naltë nuk mund të bisedojë pa qenë prânë tre prej misvet të tij dhe nuk mund të vendojë pa shumicën e votavet. Në njisi votash randon ajo e kryetarit.
  6. – Kërkesat e misvet për lejpushim i drejtohen Këshillit të Naltë me ânën e kryetarit të tij, dhe Këshilli vendon pranimin a mos pranimin e tyne. Dorëhekjet i drejtohen Parlamentit, i cili vendon pranimin a mos pranimin e tyne. Nuk mund të mungojë mâ tepër se nji mis në nji kohë e sipër.
  7. – Në rasë vdekje, smundjeje të pashërueshme qi ndalon veprimin ase dorëhekjeje të njenit a mâ shumë misve të Këshillit të Naltë, Parlamenti, në mënyrën e caktueme n’ artikullin 45 zgjedh tjetër ase të tjerë në vendin e tij, ase të tyne. Në rasë pushimi të Parlamentit, Këshilli i Naltë mbleth këtê me të shpejtë për me zgjedhun misët qi mungojnë. Deri sa të zgjidhen këta, të drejtat e Këshillit të naltë i ushtrojnë misët ase misi i mbetun dhe, në qoftë se s’ka mbetun asnjë, i ushtron përkohsisht Kryeministri.
  8. – Periudha trivjetshe fillon për ç’do mis prej ditës së zgjedhjes së tij.
  9. – Asnji s’mund të zgjidhet si mis i Këshillit të Naltë, dy herë me radhë.
  10. – Misët e Këshillit të Naltë pa hymun në detyrë, betohen përpara Parlamentit mbas kësaj formule : Betohem n’emen tè Pèrendis e mbi nderin t’em se kam për të qenë ruejtës besnik i mëvetësis e i tânësis toksore të Shqipnis si edhe i Shtatutit e i ligjvet të Shtetit.
  11. – Parlamenti merr masat, që mâ parë e sa âsht hapun, për zgjedhjen e betimin e misit ase të misve qi do të zân vendin e atij ase t’ atyne, prejudha e të cilve do të mbarojë në kohen e pushimit të tij.
  12. – Misët e Këshillit të Naltë marrin sicili nji shpërblim të përmuejshëm prej njimijë fr. ar ; këjo shumë mund të ndryshohet herë pas here me ligjë.
  13. – Këshilli i Naltë âsht i papërgjegjëshëm, veçse për trathti të naltë dhe për aktet e tij qi nuk kanë kundërfirmën e ministrit ase të ministërvet kompetentë.
  14. – Misët e Këshillit të Naltë gëzojnë imunitetin parlamentar.
  15. – Parlamenti nuk mund të rrëzojë misët e Këshillit të Naltë, po paditja e Parlamentit per aktet e tyne qi bijnë nën artikullin 57 siell vetiu rrëzimin e tyne.
  16. – Këshilli i Naltë âsht kreu mâ i naltë i Shtetit, ka komandën e përgjithëshme të fuqive t’armatisuna, emnon gjithë nëpunsit e naltë të Shtetit, bân dekretet e rregulloret e nevojshme për përmbarimin e ligjvet; po dekretet e rregulloret qi janë në kundërshtim me ligjë, qi u pezullojnë veprimin ase urdhënojnë mosveprimin e tyne, janë të paligjëshme dhe mbeten pa efekt. Bân traktate e marrëveshtje gjithfarësh, po këto nuk kanë efekt pa u pëlqyem prej Parlamentit. Këshilli i Naltë nuk ka të drejtë të shpallë luftë pa lêjen e Parlamentit, veçse në rasë mprojtjeje.
  17. – Këshilli i Naltë detyrohet t’urdhënojë shpalljen e zbatimin e të gjitha projektligjavet të votueme prej Parlamentit.
  18. – Këshilli i Naltë mund të thërrasë Parlamentin në mbledhje të jashtë zakonshme.
  19. – Propozimi i ligjvet i përket Këshillit të naltë dhe Parlamentit, po propozimi i ligjvet, qi sjellin me vete shtesa ase barrë financjare, i përket Këshillit të Naltë.
  20. – Asnji akt i Këshillit të Naltë nuk ka vjeftë pa kundërfirmën e ministrit ase të ministërvet kompetentë.
  21. Në kohë kryengritje, lufte të mbrendëshme ase të jashtme, mobilizimi të përgjithëshëm, ase kalamiteti publik, Këshilli i Naltë, nën përgjegjësin e Kabinetit, shpallë shtetin e rrethimit dhe vê në zbatim ligjën relative në gjithë tokën e Shtetit ase në ndonji copë të saj; në qoftë se Parlamenti âsht i mbledhun duhet marrë auktorizimi para se të vehet në zbatim, dhe në qoftë se Parlamenti nuk ndodhet i mbledhun Këshilli i Naltë e vë në zbatim, po dekreti i shpalljes së shtetit të rrethimit duhet të përmbajë dhe konvokimin e Parlamentit mbrenda 15 ditvet prej datës së dekretit, për ndryshe shpallja âsht e pafuqishme. Dekreti i shpalljes së shtetit të rrethimit i paraqitet Parlamentit mbas mbledhjes së tij për aprovim ase refuzim, i cili mbrenda 30 (tridhet) ditve prej datës së shpalljes të këtij dekreti ép vendimin e refuzimit ase t’aprovimit të tij. Nji ligjë e posaçme ka me rregullue pezullimin e nenevet të Statutit relativë me lirin personale, të drejtën e mbledhjevet, të drejtën e shoqënimit, padhunueshmin e banimit, lirin e fjalës e të shtypit, dhe fshehtësin e letravet. Këjo ligjë mund të vêhet në zbatim e tânë ase pjesësisht. Në rasë qi s’ka Parlament thërritet Parlamenti i përparshëm vetëm për qëllimet e sipërtregueme dhe këta parlamentarë, sa për ketë detyrë, gëzojnë gjith’ imunitetet e deputetit.
  22. – Këshilli i Naltë zgjedh Kryeministrin dhe emnon këtë e ministrat e zgjedhun prej tij, po këta duhet të paraqiten përpara Parlamentit jo mâ vonë se tri dit mbas datës së emnimit tue shpallun programin e tyne për të marrë votëbesimin, për ndryshe, quhen sikur kanë marrë votë mosbesimi.
  23. – Rrëzimi i Kabinetit shkaktohet vetëm prej mungesës së besimit nga ana e Parlamentit.
  24. – Në qoftë se Kabinetet e emnuem nuk marrin për tri herë rrjesht votë besimi prej Parlamentit, atëhere Këshilli i Naltë detyrohet të mbledhë mbrenda dy muejve Kuvendin kombtar, i cili mbrenda 15 ditve gjykon mbi konfliktin dhe vendon rrëzimin e Këshillit të Naltë, apo të përndamunit e Parlamentit. Në qoftë se Këshilli i Naltë nuk é mbledh Kuvêndin kombtar mbrenda në kohèn e caktueme në ketë artikull, Këshilli i Naltë quhet i rrëzuam. Deri sa të marrë fund konflikti, qëndron në fuqi Kabineti i fundit prej të trevet qi nuk muerën votë besimi.

Kabineti

  1. – Ministër mund t’emnohet kushdo qi ka cilsit e lypuna prej ligjës për t’u zgjedhun deputet. Nuk mund t’emnohen ministër gjinit prej gjaku të miset të Këshillit të Naltë deri në gradë të dytë; gjithashtu dy gjini prej gjaku deri në gradë të tretë gjith n’atë kabinet. Të hejët prej race, të naturalizuem nënshtetas shqiptarë, nuk mund t’emnohen Ministër.
  2. – Ministrit hyjnë lirisht në Parlament dhe ndigjohen kurdoherë qi kërkojnë fjalën, po votojnë vetëm ata qi janë edhe deputetën.
  3. – Kabineti âsht i përgjigjëshëm politikisht përpara Parlamentit, solidarisht për politikën e përgjithëshme të tij dhe ç’do ministër veçanerisht për veprat e veta.
  4. – Askurr urdhëni i Këshillit të Naltë nuk mund të lirojë ministrat prej përgjegjësis së tyne.
  5. – Ministrat gëzojnë imunitetin parlamentar.
  6. – Aktet e Kabinetit si dhe aktet e veçanta të Ministërvet qi janë në kundërshtim me këtë Shtatut, me ligjët e me dekretet, janë pa fuqi.

Këshilli kontrollues i Financavet

  1. – Financat e Shtetit kontrollohen prej Këshillit kontrollues të Financavet.
  2. – Organizimi i këtij Këshilli, mënyra e ushtrimit të zyravet të tij dhe cilsit e misvet qi e përbâjnë, caktohen në ligjën e posaçme.
  3. – Të drejtat e këtij Këshilli janë kontrolli preventiv e represiv i llogorivet të gjithë Administratës së Shtetit si dhe ato qi caktohen në ligjën e posaçme.
  4. – Misët e këtij Këshilli emnohen këso dore: Parlamenti propozon nji numër dyfish të misvet të nevojshëm dhe Këshilli i naltë emnon gjysmën e tyne me vendimin e Këshillit Ministruer.
  5. – Patundëshmija e misvet të Këshillit kontrollues të Financavet shigurohet në mënyrën e caktueme në ketë Shtatut për misët e Gjyqit të Diktimit, me ndryshimin qi âsht vetëm për 5 vjet që prej ditës s’emnimit të secilit prej tyne.

Pjesë „D“

Pushteti Gjyqsuer

  1. – Gjykatat janë të pavarme. Në të dhanunit e gjykimeve të veta nuk varen prej asnjë tjetër autoriteti veçse prej atij të ligjës. Asnji pushtet i Shtetit, as legjislativ as përmbarues nuk mund të trazohet në punët gjyqësore.
  2. – Asnjerí nuk mund të thërritet as të gjykohet prej nji tjetër gjykate veç se prej asaj të cilës i përket ligjorisht. Me asnjë mënyrë nuk mund të fomohen gjykata të jashtëzakonshme për gjykime mbi rasa të veçanta.
  3. – Bisedimet përpara gjykatavet bâhen botnisht veçse n’ ato rasa kur gjyqtarët e shohin me udhë qi të mbajnë dyert e mbylluna n’ interesë të qetsìs botore e të moralit. Gjyqtarët vendojnë e votojnë fshehtas, po gjykimet e dhânuna shqiptohen me zâ të naltë e botnisht. Ç’ do gjykim duhet të përmbajë arsyet nji nga nji dhe artikujt e ligjës ku mbështetet.
  4. – Ç’ do njeri i pandehun me krim duhet të ketë nji mbrojtës që prej ditës qi vêhet nën akuzim. Në qoftë se ai nuk kujdeset për të marrë mbrojtës, atëhere gjykata i a emnon ex officio.
  5. – Të gjithë gjyqtarët e prokurorët emnohen me dekret të Këshillit të Naltë mbas propozitës se Këshillit ministruer në bazë të zgjedhjes së bâmun prej nji komisije të posaçme. Kjo komisi do të ketë për Kryetar Ministrin e Drejtësis e për misë Sekretarin e Përgjithëshëm të Ministris së Drejtësis, Kryetarët e Gjykatës së Diktimit, Kryeprokutorin e Diktimit e Kryetarin e Gjykatës tjetër mâ të naltë qi ndodhet në Kryeqytet. Cilsít e gjyqtarvet e të prokurorvet do të caktohen me ligjë.
  6. – Gjyqtarvet e prokurorvet u shigurohet patundëshmija prej zyrës së tyne. Nji gjyqtar, për asnji arsye nuk mund të pushohet nga puna kundër dëshirës së tij veçse në bazë të nji gjykimi të Gjykatës së Diktimit për faje disiplinore. Nji gjyqtar nuk mund të thërritet në Gjyq për akte qi i përkasin zyrës së tij pa vendimin e Gjykatës së Diktimit. Vendimi i autoritetit kompetent për të futunit nen akuzimin të nji gjyqtari siell me vete pezullimin e tij nga puna në rasat e parapame prej ligjës. Nji gjyqtar nuk mund të shpërngulet veçse në qoftë se dëften mâ parë me shkrim se e pëlqen vendin e ri. Nji gjyqtar nuk mund të vêhet në pension kundër pëlqimit të tij veçse kur të ketë mbushun vjetët e shërbimit apo të ketë kaptuam moshën e caktueme prej ligjës, ase kur smundje fizike a mendore a bâjnë të pazotin për shërbim. Në ketë rasën e mbrâme, të vumit e tij në pension do të bâhet në bazë të nji vendimi të dhânun nga Gjykata e Diktimit. Mënyra për të futunit nën akuzim e për gjykimin për faje disiplinore të misvet të Gjykatës së Diktimit, do të rregullohet me nji ligjë të posaçme.
  7. – Gjyqtarët, n’asnji mënyrë, nuk mund të vehen në dispozitëshmi.
  8. – Nji gjyqtar nuk mund të pranojë asnjë tjetër nepunsi n’Administratën botore, as me rrogë as pa rrogë.
  9. – Gjyqtarët janë rreptësisht të ndaluem të merren me politikë.
  10. – Vetëm gjyqtarët qi kanë cilsit e parapame prej ligjës qi do të bâhet, gëzojnë të drejtat e caktueme në ketë kaptinë mbas tri vjetësh shërbimi.

Kaptinë II.

Dispozita të ndryshme.

  1. – Flamuri komtar âsht i kuq me shqipe të zezë dykrenshe në mes.
  2. – Gjuha shqipe âsht gjuha zyrtare e Shtetit.
  3. – Shteti shiptar as njeh as ndan tituj fisnikeje.
  4. – Shteti shqiptar s’ka fe zyrtare. Të gjitha fét e besimet janë të nderueme dhe lirija e ushtrimit dhe e praktikimit të jashtëm të tyne âsht e shigurueme. Feja nuk mund të formojë pengime juridike me asnjë mënyrë. Fet e besimet kurrsesi nuk mund të përdoren për qëllime politike.
  5. – Ndërpretimi autentik i ligjvet i përket pushtetit ligjislativ.
  6. – Asnji organizim Shteti nuk mund të bâhet as të ndryshohet veçse me ligjë. Asnji nëpunsì nuk mund të krijohet veçse me ligjë. Qarkshkrimet administrative, gjyqësore ushtrijake dhe të ç’do dege tjetër, si dhe ndrrimet e qendrave të tyne rregullohen vetëm me ligjë.
  7. – Shërbimi ushtrijak âsht i detyrshëm për të gjithë nenshtetasit shqiptarë si mbas ligjës për veç përjashtimevet të caktueme prej saj.
  8. – Asnji e drejtë, ç’fare do qi të jetë dhe kujdo qi t’i përkasë, nuk mund të krijohet as të shuhet veçse më ligjë.
  9. – Të gjithë bashkajapin në përpjesë të pasunís së vet për nevojat financjare të Shtetit. Asnji pagë ase taksë nuk mund të vêhet as të mblidhet veç se me ligjë; vetëm kur imponohet ase shtohet takse doganore e cila mund të mblidhet prej ditës së paraqitjes në Parlament të projektit relativ, i cili duhet të votohet mbrenda në sesjon në të cilin u paraqit.
  10. – Asnji privilegj nuk mund t’i bâhet kuj përsa u përket pagavet e taksavet. Ç’do shkarkim a lehtesim do të rrjedhë prej nji ligje.
  1. – Asnji shpenzim nuk mund të bâhet pa nji ligjë autorizuese.
  2. – Asnji rrogë, shpërblim a pensjon mbi kurriz të thesarit botuer, nuk mund t’ I lidhet a t’ i epet kuej veçse mbas ligjës.
  3. – Asnji send prej pasunìs së patundëshme të Shtetit nuk mund të jetërtohet ase të pajtohet për nji kohë mâ të gjatë se tri vjet veçse me nji ligjë.
  4. – Asnji hua nuk mund të kontraktohet për dobì të Shtetit pa nji ligjë auktorizuese.
  5. – Detyra botore âsht e garantueme. Ç’do detyrë e Shtetit kundrejt kreditorvet të vet âsht e padhunueshme.
  1. – Shteti njeh përsona morale të krijueme mbas ligjës.
  2. – Asnji fuqí e armatisun e huej nuk mund të shkelë në tokën shqiptare veçse me ligjë të posaçme.
  3. – Tânësija toksore e Shqipnìs âsht e padhunueshme dhe toka e saj e pajetërtueshme. As nji ndrrim i tokës s’ mund të bâhet veçse me ligjë.
  4. – Nëpunës disponibël janë të ndaluem për të gjitha degat e Administratës veçse n’ ushtrì.
  5. – Gjendja juridike e nëpunësvet të Shtetit rregullohet vetëm me ligjë.

Kaptinë III

Të drejtat e qytetasvet.

110 – Të gjithë pa ndryshim nenshtetësije, janë të barasuem përpara ligjës dhe gëzojnë baras të drejtat qivile, përveç përjashtimeve të caktueme prej saj.

  1. – Të gjithë nenshtetasit gëzojnë baras të drejtat politike dhe pranohen në të gjitha nëpunsit qivile e ushtriake, përveç përjashtimevet të caktueme prej ligjës.
  2. – Lirija përsonale âsht e garantueme. Askush nuk mund të ndiqet, t’arreshtohet, të burgoset, të dërgohet në gjyq ose në ç’do mënyrë të pengohet nga lirija veçse në rasat e parapame prej ligjës dhe në formën e caktueme prej saj.
  3. – Banimi âsht i padhunueshëm. Asnji e hyme pahirë nuk mund të bâhet veç kur dhe si urdhënon ligja.
  4. – Lirija e fjalës dhe e shtypit âsht e garantueme. Censura preventive âsht e ndalueme.

Konfiskimi rregullohet me ligjë. Vetëm nenshtetas shqiptarë mund të nxjerrin gazeta.

  1. – E drejta e pronsis, pa përjashtim, âsht e padhuenueshme, veçse kur interesi botuer ligjorisht i vërtetuem e kërkon dhe kundrejt nji dâmshpërblimi t’arsyeshëm si mbas ligjës.
  2. – E drejta e shoqnimit dhe e drejta e mbledhjes paqësisht dhe pa armë, janë të garantueme, në konformotitet me ligjët të cilat kurr nuk mund t’impozojnë lejen preventive të qeverrìs. Shoqënìt kurr nuk mund të perndahen për kundravajtje në ligjët, veçse me vendim gjygji. Vetëm në mbledhjet botore mund të ndodhet Policija. Vetëm mbledhjet përjashta në vend të hapun mund të ndalohen në qoftë se prej mbledhjes lind rreziku i prishjes së qetësis botore.
  3. – Fshehtësija postare âsht e padhunueshme. Kurr dhe n’asnji mënyrë nuk mund të hapen letrat.
  4. – Vetëm nënshtetas shqiptarë pranohen si zyrtarë e nëpunës të Shtetit, përveç përjashtimevet të caktueme me ligjë të posàçme.
  5. – Për faje politike, në ç’do rasë, mund të pranohet lirimi me dorëzâni prej zyrës kompetente, e cila cakton edhe shumën e dorëzânis. Në të tilla faje, paraburgimi kurr s’ mund të kalojë të tre muejt prej ditës së burgimit.
  6. – Ligjët penale s’ mund të ken fuqì prapavepruese në sfavor të të pandehunit.
  7. – Ç’ do mundim trupi (torture) âsht krejt i ndaluem.
  8. – Asnji nenshtetas shqiptar nuk mund t’ekspulsohet, t’internohet ase të shkufizohet veçse me ligjë.
  9. – Konfiskimi âsht i ndaluem dhe s’mund të bâhet veçse mbas ligjës me vendim gjykate.
  10. – Sicili ose më shumë së bashku kanë të drejtë, tue ruejtun ligjët e Shtetit, t’ u drejtohen me shkresë ose me gojë auktoritetevet kompetente, të cilat detyrohen të veprojnë shpejt dhe t’i përgjigjen me shkresë atij qi u drejtohet.
  11. – Në Shqipnì as blehet as shitet njerì; ç’ do njerì i blem ose skllav, porsa të shkelë në tokën shqiptare, âsht i lir.

Kaptinë IV.

Dispozita të mbrâme

  1. – Ç’do ligjë ase dekretligjë në kundërshtim me shkronjën dhe me shpirtin e këtij Shtatusi, âsht antikushtetore dhe pafuqì.
  2. – Mprojtja e këtij Shtatuti âsht e drejta e detyra e të gjith popullit shqiptar. Të gjithë zyrtarët e nëpunsit e Shtetit, qivilë a ushtriakë qofshin, janë të përgjegjëshëm për veprat e tyne kundër këtij Shtatuti dhe dënohen mbas ligjevet në fuqì për sa këto parashofin, e për shpërdorim detyre për sa këto nuk parashofin. Urdhëni i të parvet të tyne nuk i liron prej kësaj përgjegjësije.
  3. – Ky Shtatut âsht ligja themelore e Shtetit shqiptar deri sa Kuvendi kushtetues të mos ketë vendosun Shtatutin definiv. Përveç rasës së vendimit të Parlamentit për zgjedhjen e thirrjen e Kuvendit kushtetues, ky Shtátut nuk mund të ndryshohet, as të shtohet veçse me dy të tretàt e votavet të gjithë misvet të Parlamentit.
  4. – Ky zgjânim i Shtatutit hyn në fuqi prej ditës së shpalljes.

8-12-922.

Vërtetohet njisija me origjinalin

Kryetari i Parlamentit

ESHREF FRASHËRI

Please follow and like us: