Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: DRITAT E PËRTEJ DETIT

Fëmijëria jonë qe e zhytur në errësirë! Njihnim vetëm kandilin me vaj dh llampat me vajguri. Dhe gëzimi ynë ndriste sa herë vinte mbrëmja dhe shihnim se si llamburisnin dritat përteja detit. Aty ndodhej ishulli grek i Korfuzit, i mbuluar edhe nga “misteri i mrekullive”, që nuk mud të thuhej me “zë të lartë”. Se qe gati edhe syrgjynosja nëpër burgje. E ndaluar, e rrezikshme dhe po kaq e mistershme. Ama dritat prej andej vinin shumë të qarta. Bile ne fëmijët, hypur mbi ndonjë ulli, mbi ndonjë shkëmb breg-anëdeti, vështronim edhe dritat e makinave, kur mbrëmja qe e qëruar nga retë. E dukeshin si të pikturuara në të bardhë a lyer me gëlqere të freskët dhe muret e shtëpive, poshtë çative të kuqe-flakë, që ndrisnin edhe ato, nën rezatimet e përhershme të dritave. Bile edhe kur kishte hënë të qëruar a gjysmë hënë, në trajtën e drapërit…
Mësuesit e shkollës na kishin folur se, që nga limani i Bunecit detarët tanë venin e vinin nga Korfuzi, tok me piqerasiotët,-burra, gra e fëmijë,-për të bërë pazarin e javës, të muajit a të vitit. Secili me varkën tij, të vogël a të madhe, sipas takateve që kishin në atë kohë. Që ne të vegjëlit i quanim “felluka”. Po kjo gjë i përkiste të kaluarës “së hidhur”,-sikundër thuhej , sepse, pas “çlirimit”, ky ishull kaq pranë nesh u shpall “i ndaluar” dhe se i përkiste “një vendi armik”, që na kishte si “halë në sy”. Dhe qe një periudhë, kur ne fëmijëve nuk na linin të laheshin as në det e Buneci ynë u shpall si “zonë kufitare” dhe aty u vendos dhe posta ushtarake. Megjithatë, ne fëmijët “e pabindur”, zbrisnim nga fshati në det që të laheshim fshehurazi, nëpërmjet monopateve e ferrave që na gjakosnin këmbët, gjerisa na zunë ushtarët e ashtu lakuriq si ishim, me bile përjashta, na rrahën e na shpunë në postën kufitare, ku na hodhën në kokë nga një gotë alumini me vajguri, aqsa Koçi i Meme, vuri ulërimën, prej vajgurit që i vajti në sy… Pastaj na dhanë nga një shkelm bythëve, për të mos shkelur më anës detit, që tani ruhej edhe me patrulla ushtarake ditën e natën. Qyshkuri disa djem sarandiotë, notarë të zot kishin ikur me not gjer përteja, në ato brigje të ndaluara.
Mirëpo, edhe pse ana e detit u mbush edhe me bunkerë, sa një shtëpi një katëshe, ku futeshin edhe topa të kalibrit të rëndë, ne do të zbrisnim deri këtu, përsëri fshehtazi, duke lënë roje, majë ndonjë shkëmbi a ulliri që të vëzhgonte nga ana e postës kufitare. Dhe kështu, do të rriteshim pak e nga pak, me trimëri e frikë bashkë, derisa dy ngjarje të mëvonshme do të na stepnin e do na tmerronin. E para, do të qenë ardhjet e Golit e Prifte nga Korfuzi, disa herë, që mori së fundi, edhe familjen e tij, gjatë viteve ’50 të shekullit të kaluar, -një akt që na dukej “i madhërishëm” për trimëri e guxim, por që na mësoi edhe fjalën “diversant”, prej mësuesit të shkollës, që nuk e kishim dëgjuar më parë! Ngjarja e dytë, ishte ajo e grupit të piqerasiotëve që donin të aratiseshin në vitet ’70 e i zunë në mes të detit , duke lebetitur të madh e të vogël, në gjithë bregdetin, sidomos kur i xarrisën nëpër sheshet e fshatrave, për të rrëfyer se “kështu do ta pësonim që të gjithë ne, po të guxonim të venim me notë përteja detit”!
I njihja prej vitesh fëmijët e edukuar të Manolit e të Vitos e Laske, qysh kur ata jetonin në Tiranë e vazhdonin shkollën e mesme, që nga më i madhi: Tasua, Nora, Romeua dhe Andoni që vinte më i vogëli. Po edhe kur Manoli, shoferi i antarit të Byrosë Politike Hysni Kapo, doli në pension, ma kishte ënda ta dëgjoja fjalën e tij të mënçur e të shtruar, dimrave, në odën poshtme pranë oxhakut, tek Vitoja na hidhte raki e shtynte drutë e zjarrit, ndërkohë që jetesa qe varfëruar e biseda sikur shterrte, nga një “dimër tepër i gjatë” në këtë fermë bujqësore, pa një bagëti pranë, kur gjithçka e kishte shteti e Vitos i duhej që të delte vetë edhe për shkarpa, që të kishte edhe ndonjë dru t’i hidhte zjarrit. E dëgjoja këtë njeri që fliste me shumë humor edhe për gjëra të mëdha të asaj kohe, mu në “koqe të syrit”,-si e thonim në atë kohë të mjeruar… Ndërsa tani, ndodhem në odën e sipërme me pamje nga deti, që Andoni i ka dhënë një tjetër pamje, në vitet e pasme të demokracisë, kur nuk i arritën këtyre ditëve as Manoli e as Viktoria që mblidhte shkarpa në dimër në vend që të mblidhte ullinjtë e saj, po të paktën i mbeti emri i saj mbi derën kryesore të tavernës. Gjë e bukur, që fliste aq shumë, pa folur fare! Rasti e solli që të veja e ta gjeja Andonin edhe në një tavernë greke, në Lutraq-Korintho të Greqisë, ku punonte si kuzhinier,-i vetmi profesion që mësoi kur qe në Tiranë. Dhe tani jam duke pirë një kafe i qetë, në “Tavernën Viktorja” të bashkëfshatarit tonë Andon Laska e vështroj herë Andonin,-njerin nga ata që i zunë në mes të detit e i torturuan dhe herë Korfuzin, ku kam mundur të shkoj tre herë tani, pas 50 vjetësh. E vështroj Andonin, tanimë të plakur thuajse e që rastisi të veja e të vija edhe unë nga ishulli grek, pikërisht nga ai ishull që ëndërronte të shkonte dikur, ky njeri, me një sajesë primitive. Dhe që tani kishte shkuar me tragetin më të shpejtë,-si qytetar i lirë,-për të blerë harxhet e tavernës së tij, ku mund të gjesh, edhe “qumësht dallandysheje” po të duash, edhe pse krizat e pandemitë edhe andej kanë bërë punën e tyre. Eshtë pikërist ky njeri i guximshëm që atëhere u nis me një gomone të improvizuar, bashkë me tre të tjerë, duke patur për busull dritën e hënës e dritat përball, në bregun e përtejmë. Gjithkush i habitur, se si mundej ta bënte këtë “proçkë” edhe djali i shofrit të Hysni Kapos, Manol Laska, një komunist i vjetër!? Po i biri kishte thënë botërisht, i bindur tanimë se “Shqipëria nuk bëhej më” dhe e kishte marrë me sy rrezikun, burgun e gjithë jetën e tij të re! Po ama, ja tek ishte, në një realitet krejt tjetër, si kishte bërë edhe burgun, tashmë pronar i një taverne që mba emrin e nënës së tij, Viktorja. Veçse ngjarja e hidhur nuk i hiqet nga mendja! Me enigmen ende të pa zbuluar, se kush i spiunoi, nga doli fjala që ata do t’i zinin në mesin e detit, kur ëndrra drejt lirisë qe gjysmë e kryer?! Disa vite më vonë, do të mësonin se, edhe “informatori” qe vrarë në një tentativë arratisjeje nga ana tokësore me Greqinë, shpresëhumbur edhe ai, ndofta edhe i penduar për “veprën” që bëri!
Si në një film rrënqethës, që i ngjan aventurës më të bukur në botë që nuk mundi dot të realizohej… Mezi i kishin siguruar ato kamardare kamionësh, i kishin lidhur me listela dërrasash në “përroin e Katunishtës” e, pasi sajuan njëfarë trapi primitiv, me katër kupi, u varën poshtë “përroit e Hoxhe”, dolën në “Mirofshat” në orën 11 të mbrëmjes dhe, paspak do të niseshin drejt atyre dritave të përtejme, me dritën e hënës mbi krye dhe me zemrat që u rrihnin me forcë… Dhe nuk kishin bërë as 5 milje udhë detare në ato dy orë shprese e ëndrrash të mëdha, u dukën kërcënuese dritat e një projektori verbonjës, të anijes patrulluese që po afrohej përball tyre. A thua se nga malet e Vetëtimave, shkrepën rrufetë qiellore, ranë mbi katër “Lisat e Bregut”, i verbuan dhe ua çanë përgysmë zëmrat! I zunë e u hodhën hekurat, duke i lidhur me një zinxhir që të katërt, mbi valët e qeta të detit të mesnatës, nën hënën kërre e pëball atyre dritave të lakmuara përkarshi tyre, që ishin afruar e ndrisnin edhe më shumë. Paskëtaj do të niste, “udha e skëterrës”, me rrahje barbare, gjersa i shpunë në Sarandë, ku torturat do të vazhhdonin përsëri, për t’i rikthyer të lidhur me hekura e zinxhira në të gjitha fshatrat e Bregut, ku qenë përgatitur spektaklet e demaskimit publik, ku nuk do të mungonin as inskenimt e përballjeve me “armiqtë”, për të thënë, me zë të lartë se: “Kështu do ta pësoni të gjithë ju, po guxuat, or të mjerë, të hidhni edhe sytë nga DRITAT E PËRTEJME”!
E ndjera nëna ime, që e donte aq shumë Viton e Laske, nuk do ta besontë kurrë se i biri, vetë i katërt do të kapej e do të hiqte “të zitë e ullirit”, midis bregut tënë e bregut të përtejmë, ku,-sipas legjendës së Shën Spiridhonit, ai i shpëtonte të gjithë notarët e lodhur, po dhe varkat e vjetëra që u hynte uji brënda dhe kishin probleme mbytjeje në këtë ngushticë. Po kjo nuk do të ndodhte në rastin e këtyre djemëve trima që morën parasysh edhe fundin e tyre tragjik për të parë dritat e këtij qyteti, ku e kishte kishën, bile edhe kasën e vdekjes shënjtori në fjalë.
Dhe, sa ia rrëfeva këtë histori gazetarit Dilaver Baxhaku, që ishte disa ditë mysafiri im vitin e kaluar, shfaqi dëshirën të ftonte mua me Arëzën, për një darkë, në tavernën e këtij njeriu, i cili kishte ngritur jo shumë larg meje biznesin familjar më të mirë të Bregdetit, si Master shef që ishte, bashkë me të shoqen nikoqire, Margaritën e Gjine dhe të birin. Që po e frekuentonin me shumë kënaqësi edhe turistët e huaj, që sa vente e shtoheshin ngaherë në fshatin tonë, pa dyshim edhe me drita si ata përball nesh! Gazetari veteran, që e njeh mirë guzhinën italiane e atë greke, e pa të udhës se as që duhej përmendur fare, tek ky artist i kulinarisë e Zotëri nga pamja, se ç’arë i kishte ndodhur në këtë “ngushticë të mallkuar”, ku ,-në të kundërtën e thënieve të atij shënjtori,-janë mbytur edhe me dhjetra anije e varka me njerëz të pafajshëm,bile edhe notarë të zotë sarandiotë,- shumë vite më përpara tragjedisë së Otrantos,- të “verbuar” gjithmonë edhe nga “dritat e përtejme”!
Athinë, më 6 korrik 2022.
Please follow and like us: