Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Shpirti i skllavërisë

Një popull, edhe po të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, po nuk u çlirua nga shpirti i skllavërisë dhe nga pushtetarët e korruptuar mbetet në skllavëri!
Dihet historikisht se kur një popull skllavërohet dhe jeton në skllavëri për një kohë të gjatë pushtohet nga shpirti i skllavërisë. Skllavëria e mendjes dhe e shpirtit është shumë më e rrezikshme se skllavëria fizike. Kur një person, familje, fis apo komb pushtohet nga skllavëria e mendjes dhe shpirtit bëhet i paaftë të dojë e të çmojë lirinë, bëhet i paaftë luftojë që të mbrojë lirinë e tij. Madje shpirti i skllavërisë e kthen një komb në skllavërues të vetvetes. Edhe në raste të jashtëzakonshme, kur për një popull të skllavëruar fizikisht luftojnë të tjerët dhe i dhurojnë lirinë, skllavëria e mëndjes dhe e shpirtit nuk i lejon ata që ta çmojë e ta vlerësojë si duhet lirinë. Ata vazhdojnë të kenë nostalgji për kohën e skllavërisë, i quajnë ish-xhelatët persona të besueshëm, persona u që i duan të mirën. Ata kanë tendencën jo vetëm të mos i urrejë e të luftojë kundër persekutuesve e xhelatëve të së kaluarës, po ka raste kur vullnetarisht rikthehet nën sundimin e ish-xhelatëtëve të së kaluarës.
Shumë qartë këto fakte na jepen e na përshkruhen në Bibël, konkretisht në librat: Eksodi, Levitiku, Numërat dhe Ligji i Përtërirë. Në këto libra ne shohim se si Zoti vetë e çliroi popullin e Izraelit nga skllavëria e Egjiptit. Plani i Zotit ishte që populli i Izraelit të bëhej një popull i lirë, një popull që të kish atdheun e territorin e tij; të bëhej në popull që të jetonte në liri, në begati e siguri. Plani i Zotit ish që Izraeli të bëhej një komb model, një komb që të drejtohej nga ligje të drejta: Të bëhej një pasqyrë e drejtësisë dhe të mirësisë të Zotit vetë. Bibla na tregon se popullit të Izraelit nuk iu desh të luftojë për të fituar lirinë. Ishte vetë Zoti që luftoi, ishte vetë Zoti që ndëshkoi armiqtë e tij dhe ja më në fund populli i Izraelit ish i lirë. Fillimisht ata të gjithë u gëzuan dhe e ata e festuan me gëzim të madh ditën e lirisë. Mirëpo doli se ish një rrugë e gjatë për të shkuar nga vendi, nga pozita e tradita e skllavërisë në vendin e pozitën dinjitoze të lirisë. Doli se rruga ish e gjatë, e vështirë: rruga kalonte përmes një shkretëtire.
Doli se rruga për të shkuar nga vendi e pozita e skllavërisë për të arritur në Tokën e Premtuar të Lirisë kërkonte mund, kërkonte shumë sakrifica. Pikërisht këtu u zbulua fenomeni shkatërrues i shpirtit të skllavërisë:
Populli i Izraelit lirinë e kish të dhuruar nga Zoti vetë. Zoti gjithashtu i kish premtuar se Ai vetë do ta vendoste në Tokën e Premtuar të Lirisë; megjithatë, sa herë që dilnin vështirësi, populli dëshironte të kthehej prapa, dëshironte të kthehej vullnetarisht në vendin e nën zgjedhën e skllavërisë. Historia ka një fund shumë shumë tragjik: Nga më tepër se dy milion që u çliruan nga vetë Zoti nga vendi e zgjedha e skllavërisë, vetëm dy persona arritën të futen në Tokën e Premtuar të Lirisë. Zoti bëri gjithçka: U dha raste e mundësira të përsëritura, u dha mëshirë mbi mëshirë mbi mëshirë, po më kot. Skllavëria, shpirti i skllavërisë, u kish pushtuar mendjet e zemrat dhe ata nuk deshin të çlirohen prej tij.
U bë e domosdoshme që gjithë ky brez, brezi që i kish dhuruar zemrën e mendjen e tij shpirtit të skllavërisë, të vdiste e të varrosej në shkretëtirë. Të vdiste e të varrosej dhe pastaj ti braktisej edhe varri, të mos kish askënd që ta kujtonte e të qante para varrit të tij. U desh të dilte një brez krejt i ri, një brez që kish mendjen dhe zemrat te ideali i lirisë. Vetëm një brez i tillë ish në gjëndje të fitonte luftrat. Vetëm një brez i tillë ish në gjëndje të futej në Tokën e Premtuar të Lirisë. Historia na jep shumë shëmbuj të shpirtit të skllavërisë.
Do të përmendim pak prej tyre: Jefferson Davis (3 qershor 1808-6 dhjetor 1889), ish-presidenti i Konfederatës të Shteteve të Jugut të SHBA. Gjatë gjithë jetës së tij si politikan, në të gjitha pozicionet që kish luftoi për mbajtjen në fuqi të ligjit të skllavërisë. Për atë u organizua një varrim madhështor në 31 maj 1893 kur ai u rivarros me nderime të mëdha në Richmond, Virginia. Ndërmjet atyre që e shoqëronin arkivolin e tij ishin edhe qindra afro-amerikanë të cilët qanin me të madhe duke thënë: “Ai ish një njeri shumë i mirë”! Ndofta shëmbullin më tragjik dhe makabër të veprimit të shpirtit të skllavërisë sot e shohim te luftëtarët çeçenë që luftojnë për kasapin që masakroi popullin e tyre pak vjet më parë.Tani ata janë degraduar dhe janë transformuar në kasapët më të zellshëm që punojnë për llogari të kasapit të popullit të tyre. Një shembull tragjik dhe i frikshëm që na tregon se deri në çfarë shkalle mund të degradohet një komb në qoftë se elita e tij intelektuale dhe politike bëhet vegël e propagandës së armikut!
Tani le t’i hedhim sytë tek vetvetja, te Kosova dhe te Shqipëria: A janë të lirë nga shpirti i skllavërisë ata intelektualë, gazetarë e juristë që përulen para veladonit të kishës Ortodokse Sërbe kur dihet se me të mbulohen agjentët e kriminelët? A janë të drejta vendimet juridike për Manastirin e Deçanit? A është e drejtë të pajtohet elita intelektuale e rinia me këto vendime? A justifikohet pasiviteti i shoqërisë kur ndodhin gjëma të tilla? A i takon një kryeministri të Shqipërisë të ketë mik të zemrës Joseph Goebbels-in e Millosheviçit? A i takon intelektualëve, rinisë : gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, të heshtin kur shohin se Kryeminstri i tyre ka marrë përsipër rolin e avokatit të Joseph Goebbels-it të Millosheviçit, rolin e avokatit të ideve të Sërbisë së madhe, avokatin e kundërshtimit të sanksioneve kundër Rusisë? Një shëmbull shumë tragjik e kemi sot shumë të qartë: Shembullin e popullit Çeçen. Brezi i kaluar u masakrua nga Vladimir Putini. Pasi kreu masakrat, Putini solli në pushtet politikanë të korruptuar. Këta politikanë sollën gazetarë e propagandë të korruptuar. Rezultatet i shohim qartë sot: Brezi i ri i çeçenëve e quan detyrë patriotike të masaktojë e të vdesë për Vladimir Putinin. Nuk jemi kundra vendosjes së marrëdhënieve normale si me popullin rus ashtu dhe me popullin sërb. Po si mund të vendosen këto marrëdhëne për sa kohë që mbi popullin rus sundon Vladimir Putini? Si mund të vendosen marrëdhënie normale me popullin sërb kur mbi të sundon Joseph Goebbel-i i Millosheviçit Aleksandër Vuçiç? Sa personalitete të politikës e të shtypit kanë guximin ta deklarojnë hapur këtë të vërtetë? Aleksandër Vuçiiç, pak vjet të shkuara në pozitën e Joseph Goebbels-it të Millosheviçit, deklaronte: “Për një sërb do të vrasim 100 myslymanë”! Dihet se shqiptarët urrehen nga SS e idesë të “Sërbisë së madhe” më tepër se myslymanët e Bosnjës. Dihet gjithashtu edhe se për masakrat kundër shqiptarëve në Kosovë Aleksandër Vuçiç është po aq fajtor sa ish Joseph Goebbels për masakrat që kreu regjimi i Hitlerit. Përse nuk thuhen këto të vërteta nga politikanët, nga gazetarët e analistët që marrin paga të larta? Përse e ulin kokën politikanët, si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri, para Joseph Goebbels-it të Millosheviçit? Përse nuk kërkohet që për Aleksandër Vuçiçin të zbatohen të njëjtat kritere si për Joseph Goebbels-in? A do të kishin heshtur politikanët e Izraelit, të Rusisë, apo të Sërbisë para këtyre fakteve alarmante? A do të kishin heshtur politikanët e Francës apo të çdo shteti evropian qoftë? Po politikanët në Kosovë e në Shqipëri:e kam fjalën për politikanët e ndershëm, përse heshtin?! Edvin Kristaq Rama futet në një kategori krejt të veçantë! Atë për hir të së vërtetës do të na duhet ta vendosim përkrah vëllezërve të tij binjakë: Politikanëve që vendosi Putini në krye të popullit çeçen. A do të arrijë propaganda e filo-Joseph Goebbels-it të Millosheviçit: Propaganda zyrtare e Kryeministrit Edvin Kristaq Rama të ketë të njëjtin sukses mbi rininë shqiptare siç pati propaganda e agjentëve të Putinit tek populli çeçen? Si do të reagojnë intelektualët e Shqipërisë? Si do të reagojë Partia Socialiste? Një gjë dihet:Kush nuk flet bëhet bashkëfajtor!
Please follow and like us: