Sadik Bejko: Kanga Llafexhore e Leonard de Martinos
1.
Leonard de Martino (1830-1923), prift françeskan, arbëresh nga fshati Greç i Puljas, që shërbeu në Shqipëri rreth 40 vjet. Poet, përkthyes, mësues i Fishtës në kolegjin e Troshanit. Më 1881 botoi librin “L’ arpa di un italo-albanese”, 420 fq., pjesa e parë me poezi italisht dhe pjesa e dytë me përkthime, poezi shqip.
Ka meritën se në poezi futi gjuhën e gjallë, gegnishten e pasur, të folurën e bisedave… të zadrimoreve. Shartoi mjeshtërisht vargjet, metrat, teknikat poetike të sofistikuara italiane në poezinë shqipe.
“Kanga llafexhore”… kjo poezi e shkruar për qejf e miqësi, imiton ligjërimin popullor… figura konkrete, gjuhë e drejtpërdrejtë, thumbuese, ritëm i shpejtë, vargje që ngjajnë si këngë a rrëfim në odë.
Poezia tregon se De Martino nuk ishte poeti arbëresh sentimental nostalgjik për “dheun e të parëve”, por një vëzhgues i hollë i jetës shqiptare, me sens humori dhe kritik.
Strofat mjeshtërore janë treshe, me rimë të puthur, vargjet 8-rrokëshe. Në gjuhë ruhen fjalë e frazeologji nga turqishtja.
Poezia ironizon, shkruan për mikun e tij Dom Shtjefnin (thonë pak koprac) që shërbente në Nënshat.
Ferliku, (berri i pjekur në hell), biba, pula e detit, petullat, vera rakia, duhani, kënga.. vështrimi shpatullës së dashit për ato që do mund të ndodhin… një gjallëri shumë e pëlqyeshme me shfaqje reale nga jeta e përditshme.
Edhe sot e ruan shijen e leximit. Lexojeni…
2.
KANGA LLAFEXHORE (gazmore)
Ti Dom Shtjefën që rri në shkrep
Me zahmet dhe me gazep
Shpejt nji dash të mirë na rep.
Festën t’ande qi asht sot
Ta gëzojshim për shumë mot
Raki e ven’ si t’kemi plot.
Je xhymert e je bujar,
Shyqyr zotit je shqyptar,
Erzin t’and kurrë mos e dar (humb).
Pra mos t’dhimbset nji ferlik
Për dashni t’ka ardhë ky mik
Me t’ba nderë e jo me t’fik.
Si t’kesh mish, venë e raki
Mrapa, ishalla për dhunti,
Na çon Zoti nji tepsi,
Na çon petlla e makarona
Dhe nji bib’, në kjoftë, e dona,
Me i mbarue këto zakona.
Mbasi t’ hami, mbasi t’pimi,
Mbi sexhadë pshtetun rrimi,
Rrijm’ tuj pi duhan sa t’kimi.
Si asht adeti n’ Shqyptari
Këqyr shpatllen ti qi di
T’na kalzoj’ çka ban vaki.
Bashk’ me mue mandej qindro,
Un’ kndoj e ti kndo,
Si k’ndon zogu i veres-o.
Gjith’ ky qef e ky dyzen’
Dit’ e mot ka m’u përmendë
Nëpër turq e për t’ kërshtenë..