Bislim Ahmetaj: Vajza e kryeqytetit
Novelë
Kur, isha fëmijë, vizitoja me shumë kënaqësi fshatrat ku kishin lindur prindërit e mi. Ishin jo shumë larg njëri-tjetrit. I ndante një kodër jo fort e thiktë, por ishin krejt të ndryshme si nga relievi edhe nga bukuria edhe pse që të dy fshatrat e lindjes së prindërve të mi, për hir të së vërtetës ishin të bukura e të veçanta. Unë kam pasur një dëshirë të papërmbajtur të shkoja në ato dy fshatra edhe pse s’më pëlqente hiç jeta e vështirë që bënin banorët e tyre, por atje ishin shtëpitë e lindjes së prindërve të mi, varret e të parëve të tyre dhe ç’është më e rëndësishmja aty jetonin gjyshërit e mi.
Shtëpia ku kishte lindur nëna dhe babai më dukeshin aq të ëmbla dhe idilike sa nuk ngopesha me aromën e tyre, në ato shtëpi vinte era lopë, dele, dhi, pelë e maz, bylmet, mish i tharë mbi oxhak, por edhe ftoj e molla të verdheme, sapun venus dhe gjithfarë lloj barnash që fshiheshin në palat e teshave të dollapit në qylerët e gjysheve. I doja qyleret e gjysheve jo vetëm sepse aty kishin lindur nëna dhe babai im por edhe për një fakt tjetër, unë e urreja pamëshirshëm vendin ku më kishte thënë nëna ime se kisha lindur. Unë kam lindur në një dhomë spitali në qytetin që u krijua pas Luftës së Dytë.
Nëna më kishte treguar dritaren e dhomës ku më kishte lindur që aso kohë kishte shërbyer si pavijoni i maternitetit. Spitali kishte ardhur duke u zgjeruar dhe duke shtuar katet dhe tashmë ajo pjesë që kishte shërbyer dikur si pavioni i lindjeve ishte shndërruar në psikiatri. Pikërisht në dhomën ku kisha kaluar unë ditët e para të jetës në katin e parë të spitalit të qytetit çdo pranverë ngujohej Salihi i Geghysenit, i çmenduri më frikshëm i qytetit tonë. Kjo për mua ishte një arsye e mjaftueshme për të mos pasur asnjë pikë konsiderate apo dëshire për t’u kthyer tek vendi ku kisha lindur, ndoshta kjo ishte edhe arsyeja pse unë kisha një dëshirë të marrë dhe të papërmbajtur për të shkuar sa herë që më jepej mundësia tek katundet ku kishin lindur nana dhe baba im, aty ku jetonin gjyshërit e mi. Druaj që kjo ndjesi ma kish ngulitur në ndërgjegje edhe dëshirën për të shkuar sa më larg në lindje, po aq larg sa të mos kisha më dëshirë të kujtoja vendin ku kishte lindur vetja ime. Kushedi kjo mund të ketë qënë edhe arësyeja pse Aleksandri i Madh me ushtrinë e tij të paarritshme, nipi ynë i madhërishëm u nis aq trimërisht dhe aq krenarisht për t’u ndalur më larg se kushdo tjetër pas tij drejt lindjes, u munduan më pas Perandorë Romakë, Bizantinë, Napoloni, Hitleri dhe Benito Musolini por asnjëri s’arriti ta mbërrinte Aleksandrin e Madh. Nipit tonë ia kaluan në ekspansionin e tij drejt lindjes vetëm tregtarët, pelegrinët, bohemët dhe poetët por jo armët dhe ushtritë sa do që u sofistikuan. Udhëtimin tim drejt lindjes e bëra si kërkues shkencor. Ëndrra për të shkuar në lindje ishte pjekur tek vetëdija ime qysh në fëmijëri, thjeshtë nga ai fakt naiv që ju tregova me lart dhoma ku kisha lindur ishte shndërruar në çmendinë. Por jo vetëm dhoma, kati dhe spitali ku kisha lindur unë, por gjithë qyteza, rajoni dhe atdheu im kishte vite dhe dekada që kishin shërbyer si burg dhe çmendinë për banorët e saj.
Kur erdhi dita ta realizoja udhëtimin drejt lindjes së largët aplikova në një program të përshtatshëm për formimin tim profesional, dhe isha i sigurtë që do të fitoja, nuk vonoj ajo që e dija që do të ndodhte. Një interviste telefonike nga qendra e JIKE-s, aprovimi i bursës ishte thjeshtë formalitet që u krye sipas të gjitha akteve burokratike. Viza për Japoni merrej në Ambasadën e Japonisë në Romë. Mbeta pa frymë kur pashë koston e bursës time katër mujore në Japoni, shteti japonez shpenzonte plot 45 mijë euro për të plotësuar ëndrrën time të një udhëtimi në lindjen e largët, vetëm që ti largohesha sa më shumë atij spitali të çmendur ku kisha lindur për arsyen naive që në dhomën ku kisha lindur 32 vite më parë në të cilën çdo pranverë shtrohej Salihi i Geghysenit të cilin unë nuk e dija akoma e urreja, e kisha frikë, apo e adhuroja.
Gjithçka shkoi siç doja unë, dy netët e Romës, aq sa ishin planifikuar që unë të pajisesha me vizë japonese dhe pastaj të vazhdoja aventurën time lindore ishin si një ëndërr e bukur.
Hoteli Coloseo vetëm treqind apo katërqind metra mbi Coliseo de Roma ishte jo shumë luksoz por të dukej vetja sikur ishe në një vilë private ku mund të jetoje si një princ larg syve të principatës tënde, pastaj darka në Sheshin Scanderbeg afër Fontana di Trevi, vizita në Vatikan i shoqëruar prej një mikut tim të hershëm i cili kishte më shumë se 20 vite që punonte në këtë parajsë të besimit kristian. Pritjet në Ambasadën tonë në Romë në fillim nga Ambasadori dhe ditën tjetër nga atasheu kulturor, ky një poet i zëshëm i vendit tim ma banë udhëtimin që më priste edhe më entuziast. Miku im poet më tha që ishte i lumtur për mua që po shkoja në Japoni, ai vend ka poet të jashtëzakonshëm, ai vend është pasuri e poezisë botërore.
Vërtetë që kisha dëgjuar për hajkun japonez dhe për këtë shkollë poezie por nuk njihja dhe nuk e besoja që Japonia është vend poetesh, unë si një idiot i lindur në një dhomë spitali që tani ma zinte çdo pranverë një i çmendur kronik Japoninë e kisha menduar një vend më shumë se industrial, ku njerëzit janë si fishekë që futën në një karikator dhe mund t’i shprazish në të njëjtën dinamikë pa kurrfarë ndryshimi. Nejse, do të udhëtoja për në Tokio me agjencinë “Al Italia” në një avion transoqeanik Boeing 747-400 ER një nga avionët më të mëdhenj në botë në zhguallin e të cilit mund të futeshin mbi 500 pasagjerë. Shpenzimet e udhetimit tim vajtje ardhje Tiranë-Romë-Tokio-Obihiro dhe kthim përfshirë edhe disa udhëtime të brendshme po me avion siç mësova më vonë do të kushtonin plot 7500 euro, të gjitha me bileta “first classe”. Kaq para ndoshta s’kisha shpenzuar gjithë jetën time për udhëtime, mendova para se sytë e mi të ngjiteshin me sytë trekëndësh të vajzës japoneze në Aeroportin “Leonardo da Vinci” në terminalin e fluturimeve ndërkombëtare. Duke shëtitur nëpër dyqanet e pafundme të aeroportit u ndesha shpesh me shikime vajzash aziatike ndoshta edhe po i kërkoja këto shikime me të cilat do të duhej mësohesha, për aq sa do të zgjaste vizita ime studimore në ishullin verior të Hokkaidos dhe pikërisht në qytetin e vogël universitar të Obihiros.
Sytë e japonezës që do t’i bënte kërkimet e mia shkencore një oqean në gotë i ndesha tri katër herë deri sa u rreshtuam si kokrra orizi për të kaluar shtegun final që na çonte drejt dhe në barkun e avionit Boing 747-400 ER. Sapo dëgjova zërin kumbues në italisht që pasagjerët që do të udhëtonin për në Tokio duhet të bëheshin gati u kujdesa që ti afrohesha vajzës me të cilën kisha ndeshur shikimet të paktën dy a tri herë nëpër dyqanet e aeroportit, ajo lëvizi nga vendi ku ishte ulur kur njoftimi u bë në gjuhën angleze, ndërkohë që unë tashmë isha shumë afër saj. U rreshtuam si buburreca në një rresht të gjatë pafund, ajo ishte para meje unë pas saj. E imët por e larë me detaje, dy bishtaleca të lidhura prajshëm në dy këndet e harkuara të kokës që i dirgjeshin deri pak poshtë supeve të rrumbullakëta të cilat ngjanin me dy vezë pate të argjendta. Mbante veshur një bluzë që ia nxirrte supet zbuluar dhe vazhdonte me krahë deri pak poshtë bërrylave prej nga dilnin parakrahët po të cullakët që ngjiteshin me një dorë të vogël që dukej që nga momenti në moment do të shkëputej nga doreza e çantës valixhe që tërhiqte lehtë si valë deti. Bluza thuajse e tejdukshme ishte ngjyrë deti dhe poshtë saj dalloheshin rripat e sytjenave në blu më të thellë sikur po zhyteshe në thellësinë e detit, për të mbërritur tek fundi i saj akoma më blu që nuk ishte as minifund, as fund, por që ja ekspozonte nga pas lidhjen e pulpës me kofshën.
Çanta dhe këpucët sandale me qafa ishin blu e thellë. Një parfum i lehtë marke që s’dita t’jua gjej emrin vinte aromë freski oqeani. Trupi i saj ishte i shkurtër ndoshta si kalonte të njëqind e gjashtëdhjetë centimetrat bashkë me takat e lehta të sandaleve këpucë por ishte në harmoni dhe përshtatje të përsosur me gjithçka të sajën. Nga një rresht që ishim në fillim tani krejt papritur u bëmë katër pasi kishte katër dalje që do të na çonin drejt barkut të avionit. Në këtë përçartje unë e humba drejtpeshimin dhe nuk isha më pas saj, por kjo më krijoi në mundësi pak ma të mirë për ta parë, ishim thuajse krahas dhe po shkonim si dy dele drejt portës së daljes që do na çonte në tubin e metaltë dhe pastaj drejt e në barkun e avionit gjigand.
Sa më shumë i afroheshim portës së daljes aq më shumë më rritej dyshimi thuajse i arsyeshëm që japankën e bukur do ta humbja sapo të arrija në barkun e avionit dhe shkak për këtë do të bëhej bileta ime “first classe”. Mbërritëm thuajse njëherësh në portën dalëse dhe ai dyshim i mëparshëm mu shua krejtësisht, e pash në sjelljen e ngjashme dhe krejt të ndryshme të stjuardesës ngjitur me timen me biletën e japankës. Edhe ajo kishte biletë në hapësirën “first classe” stjuardesat e ndryshonin sjelljen me klientët e shtrenjtë dhe kjo mua gjithmonë me është dukur një paedukatë shembullore. E dija që ishte politikë marketing e kompanive ajrore siç e kisha provuar edhe me bankat, por se duroja dot ndryshimin mekanik të buzëqeshjeve nga një klient tek tjetri aq pa takt që të mos them me aq pa edukatë. Megjithatë e kapërdiva me shumë kënaqësi kësaj herë këtë kapërcim dhe sjellje marketing të shpifur. Unë dhe japanka do ishim të paktën në të njëjtin sarkofag. E tmerrshme mu duk fjala që më erdhi ndër mend si mund ta krahasoj dhomëzën ku do të ishim bashkë me japankën me sarkofagun. Aq më tepër që një krahasim i tillë për një udhëtim transoqeanik që zgjaste më shumë se 9 orë s’është aspak e shëndetshme mendërisht.
Përgjatë atyre dhjetë apo pesëmbëdhjetë minutave që kishim ndenjur ashtu në dy rreshta që të mbërrinim deri tek dalja kishim mundur të shkëmbenim nja pesë a gjashtë shikime të ëmbla dhe shume miqësore me japankën. Por edhe dy a tri komunikime rutinë, për lodhjen dhe stresin që shkaktojnë aeroportet dhe udhëtimet e gjata. Tubi metalik përmes të cilit po i afroheshim avionit, ishte goxha i gjatë. Këtë copë rrugë edhe pse ishte e mbushur me pasagjer të tjerë e shfrytëzova ta pyesja japankën se ku jetonte, ti thoja që ishte veshur shumë bukur, bile edhe ta pyesja se si e kishte emrin. Përgjigjet e saj ishin aritmetike por jo pa mjaltë. Jetonte në Tokio, për veshjen mu përgjigj “Thanks” emrin ma tha por s’ia mbajta mend. Çdo përgjigje që më dha e shoqëroj me nga një shikim të mjaltë, por shumë të shkurtër. Aq sa më dukej sikur kursente sytë, apo ndoshta kishte frikë se do të humbte drejtpeshimin dhe do të rrëzohej.
Dy stjuardesa në derën e madhe të avionit na pritën me ato buzëqeshjet e kristalta të prodhuara kushedi se në çfarë zyre marketingu në Tokio, një tjetër pas tyre kur mësoi se kishim bileta “first classe” na udhëhoqi nëpër atë gjigand, që se besoja kurrë që do të mund të ngrihej nga toka me gjithë atë peshë dhe salltanete që afronte në pamje të parë. Zemra ime nisi të rrihte më shpesh, apo ndoshta ashtu po më dukej mua. U ngjitëm në disa shkallë të brendshme dhe hypëm në katin e dytë të avionit, pastaj kaluam nëpër një dredhore më të ngushtë dhe u gjendëm në një dhomëz ku të krijohej ideja se nuk je më në një avion por në një salet hoteli me pesë yje. Sediljet ishin të gjëra, me dy radhë, hapësira mes rreshtave e gjerë sa për tu shndërruar lirshëm dy vetë. Në atë hapësire, akoma s’ishin ulur më shumë se katër, pesë udhëtar. Numri i vendit tim ishte 8B, zemra po më rrihte ma shpejt seç duhet prej kohësh por tani rrahjet ishin shtuar edhe më. Japanka e kishte biletën 8A. Që do të thoshte as më shumë as më pakë se sa ajo do të ishte e ulur në krahun tim të majtë. Stjuardesa u lëpi me përshëndetjet e saj standarde dhe iu krijua ideja që ne të dy ishim siç do të dëshiroja unë. Mua mu shtuan edhe më të rrahurat e zemrës. Ajo u largua gjithë përzemërsi, ndërsa unë dhe japanka morëm frymë thellë, pasi u rehatuam në ulëset e gjera sa një krevat marinari. Unë isha thuajse i skuqur sa nga befasia aq edhe nga kënaqësia, ashtu mu duk edhe ajo në atë çast. E pashë në dritë të syrit dhe i thashë me anglishten time të ngathët: “I am a lucky man”. “I do not speak good English, but understend”. “Please tell me what you undersdood”? “Nothing, but…”. “Neither do I, but…”. Mora frymë thellë dy a tri herë dhe pashë që të njëjtën gjë bëri edhe japanka. Unë ndoshta ngaqë u sigurova që udhëtimi prej 9 orësh nuk do të ishte një sagë, ndërsa japanka ngaqë arriti të akomodohej në vendin e saj të rehatshëm. U çova në këmbë dhe u bëra shenjë përshëndetje atyre katër pesë udhëtareve që kishin zënë vendet e tyre para nesh në vendet 1, 3 , 5, 6 pastaj mora drejtimin nga kisha ardhur. Një stjuardesë me fytyrë evropiane më buzëqeshi dhe më pyeti se çfarë dëshiroja.
I thashë se po kërkoja banjën, ajo më tregoi udhën. Ishin dy, një për meshkuj, një për femra, nuk më pëlqeu hiç kjo ndarje. Kërkojnë barazi dhe të drejta të barabarta, ndërsa banjot i duan të ndara, shfryna ndaj femrave në këtë rast.
Kur hyra në banjon e meshkujve dhe po shkarkohesha me gjithë qetësinë dhe luksin e mundshëm mendova se po të ishte vetëm një banjo të njëjtën gjë që po bëja unë tani do ta bënte edhe japanka pas pak kohësh. I rashë me nge mendimeve, ajo do të çonte fustanin si valë deti, heq breçkat blu të errëta, shihet ngeshëm në pasqyrë ku i shfaqet një pubis me pak lesh në majë, e përkëdhel me katër gishtat e dorës së djathtë, i thotë që je me fat që në krahë ke një djalë që po të adhuron dhe papritur thërret “o zot sa njeri me fat që jam”.
Kur pashë që fantazia ime më kishte çuar pak më larg se baballëku im, u çova dhe dola nga banja që ishte në harmoni me saletin për nga pastërtia dhe luksi. Në derë u ndesha me buzëqeshjen standarde të stjuardesës europiane, ndërsa në saletën tonë ishin shtuar edhe katër pesë çifte aziatikësh, të gjithë të moshuar dhe të thatë sa ma tha mendja që të gjithë së bashku nuk peshojnë më shumë se një mundës sumoje. Kur u rehatova tek ndenjësja B 8 japanka kishte hequr sandalet-këpucë dhe në vend të tyre kishte veshur pantofla të buta si pendë palloj, fustani thuajse i tejdukshëm në ngjyrën e valëve të detit kishte avulluar dhe ishte zëvendësuar me një palë pizhame ngjyrë mushkërie, e njëjta ngjyrë kishte mbuluar edhe trupin e imët të japankës.
Mu dhimbs vetja për këtë ikje, mu duk sikur e kishte porositur ajo shurrimin tim. Fatkeqësisht ia kisha harruar emrin që ma kishte thënë kur po i afroheshim gojës së avionit. Gjithë këtë zhgënjim japanka ma shpërbleu me një shikim aq të ëmbël sa mendova se piva një limonadë të ftohtë me aromë trendafili, por jo vetëm kaq ajo vazhdoj dhe më pyeti se si e kisha emrin, ja thashë, ma shqiptoj sikur të kishte lindur në të njëjtën dhomë spitali ku kisha lindur unë, të cilën prej shumë pranverash ma zinte Salihi i Geghysenit. Ma shqiptoi emrin në atë gërmëzim që ma bëjnë vetëm ata që më duan, apo më kanë dashur me gjithë zemër. Kjo më bëri të ndihem si një avion i vogël brenda atij avioni gjigand. U ktheva dhe u pashë sy me sy me të. Ajo u skuq, por më shumë unë.
E pyeta pse u skuq, ajo pa mu përgjigjur më bëri mua të njëjtën pyetje. I thashë se po më vinte turp nga vetja që ia kisha harruar emrin, ndërsa ti jo vetëm që ma shqiptove por ma gjete shkurtimin më të dashur, nickname më sensitiv, me të çilin më kanë thirrur vetëm ato vajza që kanë mundur të më dashurojnë seriozisht edhe pse unë jam një tip i vështirë. Ndërsa unë edhe pse rashë në dashuri që kur të pashë duke blerë atë parfumin që vjen aromë freski oqeani, nuk po arrij ta mbaj mend emrin tënd. Si mund t’ia harrosh emrin një perle deti si ti?
Shpërtheva unë si dallgë oqeani. Kjo që po thosha më kujtoj hartimet e gjata që u thurnim vajzave kur ishim në shkollë të mesme, por për një udhëtim të gjatë dhe për një vajzë kaq unike ia vlente edhe për faktin që fjalët nuk po i nxirrja, ato po vallëzonin natyrshëm. Nga fjalimi im ajo sikur u rrit, nuk u skuq më, por u bë edhe më e bukur.
Ndërkohë avioni ynë kishte nisur të çante retë e pakta të Romës dhe po kalëronte drejt lindjes si një qen siberian bore. Vajza ma tha emrin prapë: Kyoka. E përsërita me veten nja dy herë dhe i premtova që s’do ta harroja kurrë më atë emër. Kjo më ngjau si të ishte e vërtetë dhe ashtu ndodhi, atë emër se kam harruar kurrë më. Më tha që ishte hera e parë që kishte kapërcyer oqeanin, udhëtimi i saj i parë në Europë. Roma dhe Parisi janë destinacioni i ëndërruar i çdo të riu japonez dhe ajo tashmë e kishte prekur ëndrrën. Dukej që udhëtimi ia kishte shpërblyer pritshmërinë dhe kjo lexohej në pamjen e saj. Kyoka me anglishten e saj të ngadaltë të ngjashme me timen mundohej të fliste me pasion, përpiqej të përcillte ndjenja dhe finesë, aristokraci dhe kulturë por më shumë këto tipare dhe karakteristika i transmetonte me gjeste se me gjuhë dhe unë po e kuptoja thellësisht.
S’dua ta fsheh unë përveç që e kuptova që ajo ishte një vajzë e kultivuar edhe po e dëshiroja, po e ndjeja sensualisht aq sa xhinsat e mi po djersinin. Herë pas herë unë komandoja verë të kuqe në ato shishkat 180 mili litërshe të cilat mua më dukeshin si venat femorale të gjymtyrëve të Kyokës, ndërsa atë e ndiznin dhe e bënin si një kandil deti të ndritshëm që lëshonte rreze blu. Sa më shumë pinim aq më pak flisnim, por aq më shumë afroheshim me njëri tjetrin. Dritat në kompartamentin tonë ishin zbehur në ekstrem, bisedat e udhëtarëve thuajse ishin shuar. Diku nga shishja e katër apo e pestë unë dhe Kyoka ishim afruar aq sa buzët tona pa kurrfarë marrëveshje ishin ngjitur, mbështetësja e duarve që në fillim më ngjau si trau i kufirit mes dy shtetesh armike tashme nuk ekzistonte më. Me ndjesinë sikur kishim ftohtë ishim mbuluar me të njëjtën batanije edhe pse kishim dy.
Ishte aq ngrohtë nën batanijen tonë sa ashtu pa u ndier, pa folur, pa bërë kurrfarë marrëveshje me njëri tjetrin i kishim bashkuar dhe po lundronim nëpër sekset e njëri tjetrit sikur të ishim një varkë e humbur në det të hapur. Pas një farë kohe psherëtimë thellë të dy, morëm frymë, me ngashërim por pa pasthirrma. Arrita një orgazëm që se kisha provuar kurrë më parë, të shpejtë të papritur, të lehtë, si terapi psikologu. Mu duk se ashtu ndodhi edhe me Kyokën. Nuk lëvizëm nga vendi, vazhduam e qëndruam ashtu të lidhur si vida me dadon. Unë guxova dhe e nxorra pak kryet mbi batanije për të vëzhguar se ç’po ndodhte në kompartimentin tonë “first çlasse”! Asgjë. Të gjithë flinin, apo ndoshta bënin sikur. Stjuardesën që kujdesej për ne nuk e pashë. Shumica e bashkudhëtarëve tanë ishin të vjetër në moshë. Edhe unë me Kyokën në të vërtetë çfarë po bënim tjetër, thjeshtë po flinim në qiellin e shtatë. A s’ishim vërtetë në qiell, ç ‘rendësi ka numri i pari, i dyti, i treti apo i shtati, kush i numëroi qiejt që të na thotë se sa janë?
U shkula rrufeshëm nga filozofia e qiejve dhe e numrit të tyre. Sepse sendi im as që ndihej i shqetësuar që ishte kollitur, ndjehej ngrohtë dhe i shtërguar me dashuri mes këmbëve të hajshme të Kyoko dhe nisi të kërkonte rishtazi “El Dorado-n”, minierat e floririt aziatike për të cilat na kishin folur pa fund eksploratorët më të vjetër të këtij kontinenti mistik. Nuk di ta shpjegoj ishte ëndërr apo e vërtetë ai eksperiment seksual që zgjati ndoshta tre apo katër orë, por si unë si Kyoka u ndiem krejtësisht mire, të freskët dhe të kthjellët. Thjeshtë ajo që kishte ndodhur i ngjante një udhëtimi në parajsë. Ashtu natyrshëm menduam që s’kishte më asnjë arsye të vazhdonim ti mbanim të mbërthyera për njëri-tjetrin veglat tona të seksit. Se mbaj mend se sa herë u lagëm, se kujtoj as çastin kur ramë dakord për këtë punë, bile nuk e di a pati ndonjë moment të tillë, por kujtoj një gjë, dhe kjo është e sigurtë, i nxorëm krenat që të dy nga banania me të cilën ishim mbuluar. I veshëm brekët, unë xhinset dhe ajo pizhamet që na mbulonin hallatet e lagura dhe të squllura, nisëm të drejtohemi. Unë ula mbështetësen e bërrylit, që ndante ulëset tona.
Ky moment mu duk një farë tradhtie, si një kthim tek e shkuara, por ndoshta duhej sepse siç po shihja në ekranin e sediles para nesh e cila për fat kishte qenë bosh gjatë gjithë udhëtimit tonë nuk duhej më shumë se një orë për të mbërritur në Tokio. Kemi gati katër orë duke bërë dashuri i thashë Kyokës, ajo më pa me habi dhe bëri një gjest sikur nuk ishte e vërtetë. U çova me ngadalë dhe u drejtova drejt tualetit ku kisha qenë para 8 orësh. Isha vërtetë i sfilitur, por marrëzisht i befasuar dhe i lumtur nga kjo lloj dashurie kurrë më parë e provuar, por jo vetëm e provuar por as e imagjinuar. Në banje nuk ndenja gjatë, thjeshtë kreva punë. Kur dola stjuardesa më buzëqeshi sikur të donte t’më thoshte “Je hamshor i vërtete, do të dëshiroja të të kisha në shtrat qoftë edhe për një orë”.
Mu duk se u skuqa. I kërkova të më sillte një lëng portokalli. U ktheva të vendi im dhe u solla sikur t’isha një engjëll. Kyoka kërkoj të shkonte edhe ajo në banjë. U kthye sy rrëzuar dhe nazelie. Kur pa gotën time të mbushur me lëng portokalli të shtrydhur, porositi të njëjtën gjë. I hapa vend dhe e pashë me shumë dashuri, por ajo tashmë ishte tjetër njeri. E kishte humbur brishtësinë dhe energjinë, ishte zvogëluar, mu dukë si një copë bore e harruar në nji fyt prroni. Në banje kishte ndërruar veshjen, tashmë Kyoka s’ishte më ajo Princesha e Kaltër që kisha parë në Areoportin “Leonardo Da Vinci”.
Ajo kishte veshur një palë këpucë të zeza, çorape të bardha që i afroheshin gjurit, një fund të zi që i vinte deri në gjunjë, një këmishë të bardhë me krahë të gjatë të kopsitur deri në qafë, prej nga derdhej një jakë e mbyllur me pala që ia rrethonte qafën para dhe mbrapa. Dy bishtalecat që deri para pak kohësh vallëzonin mbi kokën e saj të hazdisur si të ishin jelet e një drenushe bjeshke tashmë ishin zhdukur, flokët i kishte të shtrira dhe ja mbulonin jo vetëm qafën por edhe faqet. Ndërsa unë shpreha haptazi habinë time, “me zë dhe figurë” gjysmë me humor, gjysmë me një seriozitet të trembur
– Kush guxoi të ma shndërronte në banjo të dashurën time?
– Do t’më duhet të nisem për në punë, direkt nga aeroporti.
Kaq ishin pushimet e saj. Shtatë ditë, shtatë netë dhe nata më e bukur e jetës së saj në këto 28 vite kishte qënë nata e kthimit të saj nga Roma. Këtë ma tha në vesh. Meqenëse unë do të kaloja nga sektori i të huajve dhe ajo nga i vendasve, ndoshta ekzistonte mundësia që do të mund të takoheshim sa për një kafe të shpejtë në zonën e daljeve atje ku mua më prisnin nëpunësit e JIKE-s të cilët do të më shoqëronin drejt aeroportit të linjave të brendshme, ndërsa Kyoka do të shkonte në zyrë. S’mendova asgjë, sikur u drogova, se pyeta për asgjë më shumë, kisha menduar që Kyoka do të ishte përjetësisht e imja, mu ndal ora, mendja dhe sensi.
Aeroporti i Tokios ishte një përbindësh industrial i llahtarshëm, siç e kisha ëndërruar Japoninë. Dolëm nga barku i avionit të shoqëruar me buzëqeshjet e metalta të stjuardesave, ecëm me duar të shtrënguara me njëri-tjetrin nëpër tubat metalik që do të na çonin drejt kabinave të kontrollit të pasaportave. Para nesh u shfaq një sallë gjigante prej nga derdheshin lumenj njerëzish të pafundmë që dilnin prej tubave metalik. Labirinthet me rripat ndarës që shërbejnë për të ruajtur rregullin dhe distancën mes pasagjerëve më ngjanin me formulat e komplikuara të kimisë organike që si desha dhe si mësova kurrë. Përpara se të hynim në këtë rrjetë merimange na dolën përpara disa tabela dygjuhëshe në japonisht dhe anglisht “All Passports” “UE& USA Passports” “VIP and Diplomatic’s Passport” “Japanes Passports” ky ishte trau i dytë që po më ndante me “Priceshën e Kaltër” tra që s’kisha asnjë mundësi as ta çoja as ta ulja. U puthëm lehtë në faqe dhe secili ndoqi korsinë e tij. Për pak kohë u pamë lehtësisht me njëri tjetrin, por shumë shpejt u bë e pamundur. Mu duk sikur diçka mu këput nga gjoksi dhe më ra në stomak. Në fillim ndjeva një si bosh në krahëror, pastaj ai bosh u shndërrua në një masë të zjarrtë në stomak. Merimanga në të cilën kisha hyrë veçse zgjatej, ndërsa sportelet e kontrollit të pasaportave japoneze më largoheshin dhe Kyokën tashmë nuk e shihja më.
***
Ndërsa akrepat e orëve elektronike gjigande vraponin, rreshtat e udhëtarëve drejt sporteleve “All passports” shtoheshin. Kisha lexuar diku që popullsia e Tokios ishte njëmbëdhjetë milionë banorë, por ditën ajo shtohej dhe bëhej 18 milionë. Kjo statistikë po ma shurdhonte trurin tim të eksituar, po si ka mundësi që në këtë moment, pikërisht sot dhe më saktësisht në këtë orë e paskan lënë ata shtatë milionë vizitorë të çmendur që ti shtohen qytetit që po më vononte të dilja nga ky grumbull industrial. Dikur mbërrita tek sporteli i kontrollit të pasaportave. Për një moment u gëzova, asnjë vones, thjeshtë një vulë hyrje, vrapova drejt sallës së bagazheve. Në një tabelë elektronike e mësova shpejt se cili ishte numri i transportuesit që do të sillte valixhet e linjës Romë-Londër. Këtu mendova që do ta gjeja Kyokën. I rashë rreth e përqark shiritit transportues që po sillte valixhet e linjës tonë Princesha ime e Kaltër kishte avulluar nuk dukej asgjëkundi. U nisa drejt daljes, pastaj mu kujtua që valixhja ime akoma s’kishte mbërritur. U afrova tek goja prej ku dilnin valixhet duke shtyrë thuajse me arrogancë nja dy a tre udhëtar që po prisnin njësoj si unë bagazhet e tyre. Më panë paksa çuditshëm por as që ua vura veshin. Koha po vraponte si rrufe. Kyokës i duhej një orë që të kapte punën, ndërsa unë kisha më shumë se 50 minuta që isha ndarë me të dhe akoma se kisha zotëruar bagazhin tim. Dikur u shfaq valixhja ime, e rrëmbeva gjithë duke shfryrë mbi të sikur ajo ta kishte fajin e kësaj vonese të frikshme. Sapo dola në sallën e pritjes pashë emrin tim të printuar në një tabelë kartoni të madhe që mbahej në gjoksin e një burri me syze. Përveç meje në atë mizëri njerëzish askush se dinte emrin tim, në fillim as që desha ti afrohesha burrit që mbante atë tabelë. Me sy, me mendje, me çdo shqisë po kërkoja Princeshën e Kaltër, ajo dhe vetëm ajo më interesonte dhe aspak vetja ime. Unë e dija se ku isha edhe personi që mbante emrin tim të printuar në një tabelë kartoni aty do të ishte, tek e fundit ajo ishte puna e tij. Dola nga gardhi metalik dhe u solla rreth e përqark zonës së pritjes së pasagjerëve, dy apo tri herë mu bë se e pashë Kyokën me atë veshjen e çuditshme me të cilën ajo u transformua në mëngjes pasi doli nga tualeti, por jo!
Pashë orët e tmerrshme elektronike që tani më dukeshin që ishin ndalur: ora shënonte 9.30 minuta çka do të thoshte që Princesha e Kaltër duhet të kishte rreth 30 minuta që kishte filluar punën. Unë kisha rreth 1 orë e 50 minuta që e kisha humbur. U ktheva tek salla e pritjes së pasagjerëve për të gjetur edhe njëherë emrin tim të printuar në tabelën e kartonit që rrinte varur në qafën e meso burrit me syze optike me skelet të trashë. Isha tmerrësisht i pa lumtur, natyrshëm i lodhur, i dorëzuar, nuk e di po u ndjeva edhe pak si i tradhtuar. Nuk qe shumë e vështirë ta ri gjëja edhe një herë burrin që mbante të varur tabelën me emrin tim. Ai u habit jashtë mase që unë ia vura dorën në sup nga mbrapa shpinës së tij dhe i thashë se qesh unë personi që po priste. Habinë e shprehu në fillim në japonisht, pastaj në anglisht. I tregova që isha tmerrësisht i lodhur dhe do doja të uleshim për një kafe. U zverdh, u skuq, e zverdh prapë dhe më tha që makina na priste jashtë, se do na duhej të shkonim në areoportin e fluturimeve lokale dhe se trafiku i Tokios nuk na e jepte luksin për të pirë kafe: Duhej me çdo kush të kapnim fluturimin për në Obihiro. Ai duke parë orën e tij të dorës tha që vetëm një orë e 45 minuta kohë na ndanin nga koha e fluturimit. Iu binda shqetësimit të burrit, fillova ta ndjek. Ai para me valixhen time të madhe me rrota dhe unë pas tij me një një të vogël. Ndërsa ai ecte pak para meje, unë shihja si i çmendur çdo femër të veshur me këmishë të bardhë e fustan të zi në atë dreq aeroporti super të çmendur.
Siç mësova dhe pashë më pas gjatë muajve të vuajtjes sime në Japoni, shumica e vajzave dhe grave që punonin nëpër zyra visheshin me këmisha të bardha më krahë të gjatë, me fustane ose të zeza, ose blu të errëta, me çorape të bardha ose blu qielli kur fustani i tyre ishte blu i errët. Kyoko kur doli nga banjo e avionit Boing i kishte çorapet e bardha dhe fustanin e zi, këmishën e bardhë me dantella nën qafë. Ndërsa burri me kostum të zi, këmishë të bardhë dhe kollare të zezë dhe syze optike të trasha që ecte para meje mundohej të më buzëqeshte herë pas herë duke e kthyer kokën mënjanë drejt meje shoqëruar me gjeste dhe fjalë mirësjellje, unë s’isha aty, shihja kot na si koti se mos ndoshta syri im e zinte siluetën e Princeshës së Kaltër të cilën nuk do ta shihja më kurrë. Vetura që na priste ishte një Tojota Yaris. Shoferi doli prej saj, u përkul dy a tri here para meje, mori valixhen time të vogël të cilën e vendosi në bagazhin e makinës, të njëjtën gjë bëri edhe me valixhen e madhe. Për syrin tim të lodhur ishin krejtësisht njëlloj si në pamje, si në veshje, veçse shoferi s’kishte syze optike, si burri që më priti. Shoferi ma hapi derën e pasme dhe unë u rrasa si një copë mishi në ulësen e veturës Tojota Yaris që dukej akull e re. Ndërsa makina rrëshqiti nëpër rrugët e Tokios burri që më kishte pritur në aeroport me emrin tim të printuar varur në qafë, nisi të bënte guidën e qytetit, ndërsa unë kisha humbur midis një kllapie gjumi dhe një amnezie të shkaktuar nga një inflamacion i një pjese të trurit, ardhur si pasoj e një dashurie pasionante krejtësisht të papritur dhe paradoksale që ishte këputur si një fikje e beftë dritash.
Burri në sediljen e parë të veturës vazhdonte e fliste, ndërsa unë isha kthyer në ëndrrën e një nate më parë në udhëtimin Romë-Tokio me Princeshën e Kaltër. Nuk e di sa zgjati udhëtimi por ndoshta aq sa kohë duhej që të mbërrinim në aeroportin e fluturimeve lokale të Tokios. Edhe pse isha tmerrësisht i interesuar ti tregoja shoqëruesit tim se pse isha kaq i humbur dhe i hutuar nuk mund ta merrja guximin t’ia tregoja arsyen time të marrë. Më dukej sa absurde, aq edhe banale të interesohesha te pritësit e mi se ku mund ta gjeja Kyokën për të cilën dija vetëm emrin dhe që ajo banonte në Tokio, aq sa dinte edhe ajo për mua emrin dhe vendin nga vija. Në mendje më verdallosej një anekdotë shkodrane e kohës së miqësisë shqiptaro-kineze. Një personazh grotesk i asaj kohe Pal Vata u takua me një grup montatoresh kinez që kishin ardhur për të ndërtuar hidrocentralin më të madh të vendit. Pali e kishte pyetur njërin prej tyre se nga ishte.
“Nga Kina- i qe përgjigjur kinezi. Po nga cili vend i Kinës more shoku kinez? Nga Shangai! Po i kujt je në Shangai more djalë?” E dija që askush s’mund të më ndihmonte ta gjeja Princeshën time të Kaltër me aq pak të dhëna sa kisha. Do t’ja kaloja Pal Vatës po të guxoja të shpallja arësyen e hutimit dhe gjendjes time anormale edhe pse po më digjej gjoksi dhe koka. U bëra si nji cung i ngopur me ujë, zbrita nga Tajota, mora nga shoferi çantën time të vogël me rrota, të madhen e mori burri që i ngjante shoferit por nuk mbante syze optike, u përshëndeta ftohtë me shoferin dhe e ndoqa pas burrin me syze optike. Ndërsa mua më la të ulur në një restorant, ai u shfaq pas pak sekondash me një tabaka të madhe ku qe një pjatë me sallatë jeshile, një pjatë me oriz në dy anët e të cilit nxirrnin avull dy kofsha pule, një shishe me ujë dhe një filxhan me kafe. Më tha që po merrej me chekingun e biletës time. Ndërsa unë shihja tabakanë në tavolinë, burri me syze optike ma solli biletën dhe më tha që pas 25 minutash duhet të paraqitesha në portën numër 15, për të vazhduar fluturimin drejt Obihiros, në aeroportin verior do të më priste dikush tjetër. Ndërsa burri me kostum të zi dhe këmishë të bardhë u largua duke u përkulur disa herë para meje në shenjë respekti, i bindur që e kishte përmbushur denjësisht dhe me korrektesë detyrën e tij, mua mu thye në një milion thërrmija misterioze shpresa se do ta mund ta takoja më Kyokën. Mu dukë vetja si ai mbreti lakuriq.
Ndërsa nga shishja e ujit piva pak, sallatën dhe pjatën me oriz dhe dy kofshët e pulës si preka fare. Kafja mu duk si farmak i zi. Tërhoqa zvarrë valixhen e vogël dhe u afrova tek porta. Nga fasadat e mëdha prej xhami pashë për herë të parë qiellin e Tokios edhe pse kisha udhëtuar rreth një ore nëpër qytetin shumë milionësh ku më kishte humbur tashmë ndoshta përgjithmonë Princesha e Kaltër. Çdo vajzë e moshës 20 deri në 35 vjeçare në pamje të parë më ngjante me Kyokon që kisha humbur, asnjë prej tyre me Kyokën që kisha njohur në Aeroportin “Leonardo Da Vinçi, shumica mbanin atë veshje të çuditshme zyrtare: fustanet e zeza, çorapet dhe kemishat e bardha, por edhe ngjyra blue e errët dhe grija. Modeli i flokëve ishte thuajse identik, ngjyra e tyre pis e zezë që varej deri poshtë qafës duke ua mbuluar edhe faqet e zbehta, sytë trekëndësh, vetullat e ngjyrosura mbi sy.
Edhe pse e dija që asnjëra prej tyre s’mund të ishte Kyoka ime nuk mund të rrija pa i parë ngultaz, shumë prej tyre më buzëqeshnin pafajsisht por asnjëra s’e kishte buzëqeshjen dhe çehren e Princesësh time të Kaltër. Nuk shkoj shumë kohë, tërhoqa pas prapanicës sime të lodhur valixhen e vogël të dorës dhe u ngjita në bordin e avionit që do më burgoste në qytetin verior të Obihiros për katër muaj e tri javë.
***
Buzëqeshjet marketing të stjuardesave vendase as që më bënë përshtypje. Tashmë isha rrëzuar në humnerën e një ëndrre që më dukej që se kisha përjetuar kurrë edhe pse kisha pak orë që isha zgjuar prej saj. Areoporti i Obihiros i ngjante një stacioni autobuzi në periferi të Londrës. Një burrë me kostum të zi, me këmishë të bardhë, këpucë dhe kollare të zeza në gjoksin e të cilit varej një karton me emrin tim, për syrin tim krejtësisht i ngjashëm me burrin që më priti në Areoportin Ndërkombëtar të Tokios po më priste. I vetmi ndryshim ishte që burri në areoportin e Obihiros nuk kish syze optike. Përveç kortezisë më shumë se formale nuk bëra asnjë përpjekje për tu miqësuar me burrin që më priti në areoportin e vockël edhe pse ai ishte shumë i përzemërt aq sa më erdhi keq për të. Pas tridhjetë apo tridhjetë e pesë minutash burri i ngjashëm me burrin që më priti në Tokio më dorëzoi në qendrën e JIKE-s ku do të akomodohesha për katër muaj dhe tre javët e ardhshme në qoftë se do të isha gjallë.
Vajza që më priti në recepsion më ngjau me Kyokën, por sigurisht që s’ishte ajo. Më dha aq shumë info dhe instruksione të rrufeshme të cilat ajo sigurisht i dinte përmendësh, por unë nuk mbajta mend asnjërën prej tyre. I thashë që jam tmerrësisht i lodhur dhe dua vetëm të di se ku do të fle dhe nëqoftëse ka mundësi të më informojë se si mund të lidhem në internet nga dhoma. Më shoqëroi në dhomë duke më treguar çdo detaj se si përdoret banja, si hapet dhe mbyllet sistemi i ngrohje ftohjes, si mund ta përdor televizorin dhe kompjuterin, më tregoj se ku e kisha të shënuar kodin e internetit, deri edhe se si mund ta hapë derën për të dalë në ballkon prej nga mund të mbusheshe me natyrë dhe gjelbërim. Në ballkon erdha disi në vete dhe e falënderova me përulje për shërbimin. Pamja nga dritarja e dhomës time ishte më shumë se fantastike. Kopshti për rreth kompleksit të JIKE-s ishte i mbushur me lule dhe pemë dekorative. Një rrugë automobilistike e ndante më një park artificial i cili më pas bëhej njësh me pyllin natyral, që shtrihej deri në majat e larta me borë.
Kur mbeta vetëm në dhomë, puna e parë që bëra ishte kërkimi në google i kuptimit të emrit Kyoka. Emrat japonezë nuk janë thjeshtë një emër ata thuajse gjithmonë bartin një kuptim të dyfishtë të një fenomeni natyror, të një origjine apo të një sendi me vlerë, emri i Princeshës time të Kaltër që e kisha humbur në Areoportin Ndërkombëtar të Tokios shpjegohej në gjuhën e japonezëve “Fëmija i Kryeqytetit”. O zot, o perendi, o tmerr po qyteti ku jeton princesha ime ka 11 milion banor, pse duhet ta kishte këtë emër të zhurmshëm vajza që më mahniti dhe më bëri për vete vetëm për 10 orë. E futa emrin e saj në google search në gjuhën japoneze dhe në ekranin e kompjuterit mu shfaqën dhjetëra faqe, dhe qindra mijëra vajza me emrin Kyoka në të gjithë Japoninë. U panikova keqas. Mora kryet ndër duar nuk e mora vesh duart e mia ishin zvogëluar apo koka ime ishte rritur tej përmasave të tyre. Po më ikte truri.
E reduktova kërkimin e bëra vetëm për Tokion, thuajse e njëjta gjë, faqet u pakësuan pak, por emrat ishin të pafundme. Kryet nisi të më digjej, shkova në banjë dhe e futa në çesmë me rubinetin e hapur nga ana e ujit të ftohtë, uji ishte akull. Nuk e di sa ndenja ashtu me kokën poshtë ujit. Ndjeva se kryet mu ngri, ndjeva gjithashtu që kisha dhimbje të forta në tëmtha, hapa çantën e vogël valixhe dhe nxora prej andej një kuti me barna. Mora prej saj një tableta Defalgan 1000 mg dhe e kalova poshtë si pa vetëdije. U ktheva shpresë bjerrur tek kompjuteri dhe nisa të bëj kërkime me imazh dhe emër. Në fillim mu shfaqën disa Kyoko të famshme si Kyoka Jiro, heroina e famshme e filmave vizatimor për fëmijë. Apo Kyoko Chan Cox, këngëtarja e famshme që këndoi me Xhon Lenon, më pas tregimtarja dhe novelistja e shquar Kyoka Izuni, Kyoka kërcimtare, Kyoka aktore, Kyoka CEO Banke, Kyoka, Kyoka, Kyoka, pafundësisht Kyoka të famshme, të thjeshta. Por Kyoka ime, Princesha ime e Qiellit s’ishte askund. Vazhdova kështu ndoshta deri në orët e para të mëngjesit. Pastruesja e dhomës më gjeti të shtrirë me krahë hapur mbi tavolinën e kompjuterit. E tmerruar se mos isha i vdekur, ajo i thirri koleges së saj në korridor, çast nga i cili përfitova të lëvizja duke i qetësuar kështu gratë e pastrimit. Më pyetën diçka në japonisht, s’kuptova asnjë fjalë, por dukej që po interesoheshin për shëndetin tim. I qetësova me duar që asgjë s’kishte ndodhur.
Në orën 10.00 do të bëhëj prezantimi i grupit dhe më pas një vizitë prezantuese nëpër ambientet e JIKA-s. Pasditja po ashtu do kishte një vizitë në qytet, më pas në Universitetin e Veterinarisë dhe Bujqësisë së Obihiros i vetmi në Japoni dhe kjo ishte edhe arësyeja pse ishim pikërisht në këtë qytet. U vesha disi më serioz po pa kurrfarë dëshire. Në orën 10.00 u ndodha në sallën e dekoruar për mikpritjen e mysafirëve kërkues shkencore nga shumë vende të botës. Në programin tonë të forcimit të sistemeve të prodhimit dhe lidhjes së tyre me tregjet ishin tetë kërkues shkencor nga 6 vende të ballkanit. Në programet e tjera kishte nga vende afrikane, aziatike, europiane. Në sallë gjendeshim rreth pesëdhjetë persona të moshave nga 30 deri 50-vjeçare, ku dominonin lehtësisht në numër meshkujt dhe kryesisht aziatike. Secili prej nesh u prezantua me nga tre katër fjali. Radha ime e prezantimit për shkak të rendit alfabetik të vendit tonë ishte e dyta. Fola aq shkurt sa tërhoqa vemendjen e gjithë të pranishmëve. S’isha në gjendje të analizoja për mirë apo për keq. Megjithatë as që mu ba vonë për atë punë, tjetër kund e kisha mendjen unë, për tjera gjëra po flisnin ata njerëz që më dukeshin të huaj, të largët edhe pse ishin shumë të sjellshëm dhe të përzemërt. Pasi mbaroi prezantimi na paisen me gjithëfarë xhitonash dhe biletash të çilat mund ti përdornim përgjatë qëndrimit tonë në qytet. Të gjitha pa asnjë pagesë. Mund të frekuentonim Kimonot e qytetit, akuadromin, fushat e tenisit, të golfit që gjendeshin rreth 5 kilometër nga qendra jonë. Atje mund të shkonim me biçikleta, më autobuzët urbanë dhe tramvajë për të çilat kishim abone të parapaguara. Gjithashtu mund të shihnim shfaqjet e teatrit dhe koncertet e operas. Çdo të shtunë në qëndren kulturore të të huajve do të kishte “free party” me muzikë, pije dhe ushqim ku do të mblidheshin të huajt e gjithë qytetit në programet “Çhange culture” të sponsorizuara nga Bashkia e qytetit. Përgjatë kohës së studimeve do të kishim fatin të vizitonim Saporon që ishte kryeqyteti i Provincës, Kiotonkryeqytetin e vjetër të Japonisë, vendlindjen e gjigandit të prodhimit të makinave Tojotës dhe pikërisht qytetin Tojota dhe turi studimor do të përmbyllej në Tokio në qëndrën e JIKA-s ku do të rrinin tri ditë e dy netë. Ky lajm më dha pak zemër, sikur ma përkëdheli pak imagjinatën dhe intuitën se do të mund ta rigjeja edhe njëhërë Princeshën time të Kaltër. Ditët ecnin me ritmin e kërmillit. Edhe pse i shfrytëzoja të gjitha bonuset që na ishin afruar asgjë s’më hynte në sy. Më së shumti frekuentoja pishinat dhe shëtitjet me biçikletë nëpër parqet e pafundme që rrethonin qytetin provincial me rreth 70 mijë banorë. Në dhomë kisha marrë me lejen e personelit numratorin e telefonave fiks të Japonisë dhe nga katër pesë orë në ditë telefonoja vajza më emrin Kyoka që jetonin në Tokio. Në fillim i përshendesja në Japonisht pastaj u flisja në Anglisht duke ua prezantuar veten dhe përsonin që po kërkoja. Disa ma mbyllnin direkt, ndoshta duke menduar që jam ndonjë maniak seksual, disa të tjera më përgjigjeshin me delikatesë që kisha gabuar përson, disa talleshin më të drejtë me mua, shumë prej tyre e mbyllnin sapo unë nisja tu flisja në anglisht, kish edhe prej atyre që kërkonin muhabet dhe ua mbyllja unë. Por asnjëra s’ishte Kyoka ime. Në fillim e mora me radhë numëratorin, pas disa ditësh e bëra me zgjedhje. Nga fundi kur humba çdo shpresë nisa të telefonoj nga fundi i Kyoka-ve të çilat ishin të pa fundme në numëratorin telefonik të qytetit të madh.
Pastaj nisa të arsyetoj , nëse mund të quhet arsyetim, budalleku që po bëja: Numëratori i Tokios kishte mbi 2 milionë numra telefoni. Pse duhet të ketë patjetër numër telefoni fiks Princesha ime e Kaltër? U dorëzova. Prej tri javësh, katër-pesë orë në ditë i kaloja duke marrë në telefon numrat e Kyokave të Tokios. 0,4 % e vajzave të Tokios e kishin emrin Kyoko, 60 % e tyre kishin numër telefoni fiks dhe ndoshta Kyoka ime ishte e pafat dhe i përkiste atyre 17 mijë e gjashtëqind Kyokave, që përdornin telefon celularë. Hoqa dorë nga ideja që mund ta gjeja përmes telefonit. Iu drejtova Zotit. U luta në tempullin e famshëm në Kiyomusidera, po edhe në Tempullin Kinkakuju të Kiotos, më pas kur mbërritëm në Tokio u luta me përgjërim në gjuhën time , por edhe në gjuhën e japonezëve në Tempullin Sensoji dhe në Faltoren meiji –jingu në Tokio dhe pikërisht këtu ajo Princesha ime e Kaltër mu shfaq ashtu siç e kisha parë në Romë, si një manushaqe e strukur nën madhështinë e kryeqytetit të perendorisë Romake. Nuk më foli, thjeshtë më përshëndeti më një buzëqeshje, që u shua në ajrin e ngarkuar nga aromat e dhjetra qirinjëv. Ndeza një qiri duke u lutur ta ri gjeja atë zjarr aziatik që lindi në Romë dhe mu fik në Tokio. Ideja që ajo u shfaq nuk ma dogji ëndrrën që do të mund ta ri ndizja atë zjarr. Ditën e dytë të vizitës në Tokio na çuan në Kullën e Tokios, një mrekulli arkitektonike sigurisht më e lartë se Kulla Eifel, kur mbërrita në lartësinë 333 metra mbeta i varur në një binokël për shumë kohë edhe pse pagesa prej 20 jenësh kish mbaruar me kohë.
Futa si i marrë monedha të tjera deri sa pashë që radha e vizitorëve pas meje ishte shkruar si dikur në vendin tim për të marrë një shishe me qumësht a kos. Aty shpresova shumë që do të mund ta shihja Princeshën time të Kaltër por ishte një shpresë idiote. Në mbrëmjen e ditës së tretë të turit tonë studimor në Tokio, do të udhëtonim rishtazi me avion drejt Obihiros, në Aeroportin e udhëtimeve kombëtare mu kujtua gjithçka kisha parë tre muaj e dy javë më parë. Dita kur e kisha humbur përgjithmonë Kyokën. I njëjti trishtim.
I njëjti mall. E njëjta dashuri e zjarrtë, djegur në zjarrin e mungesës. Dashuri fluturash. Udhëtuam në errësirë drejt Obihiros për t’u kthyer në Tokio vetëm pas pesë ditësh, kur do të mbyllej udhëtimit tim studimor në Japoni. Katër muaj dhe tre javë ankth, vuajtje, mbytje, ngashërime emocionale, shtrëngime zemre, dhimbje koke, shthurje psiko-morale, shfrime dhe lëshime psiqike ishin pak a shumë rezultatet e këtij udhëtimi të dështuar studimor. Ndryshe e kisha ëndërruar, që kur kisha lindur në atë dhomë spitali, të shndërruar në psikiatri e ku strehohej çdo pranverë Salihi i Geghysenit, i çmenduri më i rrezikshëm i qytetit tonë. Ditët e fundit në Obihiro ishin thuajse të ngjashme me të gjitha javët e kaluara. Kërkimi im shkencor pati thuajse fat të njëjtë me kërkimet e mia të pafrytshme për gjetjen e gjurmëve të Princeshës së Kaltër. Megjithatë për prezantimin final i cili ishte kërkesë e domosdoshme përdora disa të dhëna dhe kërkime të bëra kohë më parë në vendin tim. Këtyre gjetjeve u bëra një analizë krahasuese statistikore me disa vende të rajonit dhe punimi im jo vetëm që u prit mire, por veç kësaj u vendos që të botohej në revistën shkencore të Universitetit të Obihiros. Ky vendim befasues i bordit të revistës ishte e vetmja kënaqësi që ndjeva qysh ditën kur shkela në tokën japonezë katër muaj e tre javë më parë. Kohë kur më humbi nga sytë Kyoka në mizërinë e njerëzve në atë aeroport të çmendur. Të nesërmen e prezantimeve u organizua ceremonia e ndarjes së Certifikatave. Në të njëjtën sallë, me të njëjtin dekor me ndryshimin e vetëm që tani po merrnim nga një certifikate të firmosur nga Sadako Ogata dhe disa dhurata simbolike. Pasdite do të fluturoja drejt Tokios dhe në orën 22.00 nga Tokio drejt Romës.
Një orë e katër dhjetë e pesë minuta sa zgjati udhëtimi nga aeroporti i vogël i Obihiros deri në aeroportin e fluturimeve të brendshme në Tokio më mbërtheu një valë besimi dhe optimizmi që do të mund ta takoja qoftë edhe për një përshendetje me dorë Kyokën. Probabiliteti është teori e zotit dhe rastet e rralla janë po aq të sigurta sa vetëm dashuria mund ti bëjë të vërteta. Në fund të fundit pse s’duhej ta takoja? Pse duhej të isha aq i pafat? Çfarë mekati kisha bërë unë që të isha i dënuar kaq rëndë? Cila shtrigë apo shtrigan më kishte mallkuar që të mos mund ta takoja më Kyokën time të ëmbël?
Me këtë shpresë të pashpresë arrita në Tokio. Më priste i njëjti burrë me kostum të zi, këmishë të bardhë, kollare të zezë dhe syze optike. Para se ta shihja emrin tim të varur në qafën e tij ai më thirri me emër gjithë duke buzëqeshur. E përshëndeta edhe unë me përzemërsi duke u përulur dy a tri herë para tij në stilin japonez që tashmë e kisha përvetësuar. E pashë që iu gëzua gjestit tim, rrëmbeu valixhen e madhe me rrota. Në vendin e taksive na priste i njëjti shofer me të njëjtën makinë edhe ai më përshëndeti në stilin e vendit të tij dhe unë po ashtu. Rrëshqitëm në rrugët e Tokios duke përshkruar pjesën lindore të qytetit gjigand për të mbërritur në aeroport. Dielli ishte fshehur diku në ujërat e Oqeanit Paqësor të Veriut por qielli akoma ishte i kaltër dhe i ndezur nga rrezet e tij. Përmes qelqeve të syprinës së veturës, munda të shquaj një hënë vogëlushë, dy ditëshe. Ia dola të vizatoja me të imazhin e Kyokës në atë qiell të kaltër që po errësohej. Me hënën dy ditëshe bëra fytyrën e saj, për sy i vendosa yje të ndritshëm, ndërsa trupin ia ndërtova me arushën e vogël. Pastaj me kujdes e mbulova trupin e saj të zjarrtë me vellon e kaltër të qiellit.
Mu duk sikur isha në Aeroportin “Leonardo Da Vinçi” të Romës duke shkuar pas Kyokës si Princi i Kaltër që kërkonte Hirushen e ëndrrave të tij në librat me përralla për fëmijë. Me këtë ëndërr të bukur në sy mbërritëm në aeroport. U enda kafeve dhe dyqaneve për rreth dy orë. Ndala gjatë në një librari, mu kujtua diplomati poet me të cilin kisha kaluar një ditë të bukur në Romë dhe më kishte thënë që Japonia është vendi i poetëve të vargut tingëllues, vendi i poetëve të hajkut. Bleva gazetën kombëtare “Asahi Shinbun” njëra prej dy gazetave ditore më të madhe në Japoni e cila dilte dy herë në ditë. Njëherë në mëngjes dhe herën tjetër në mbrëmje në rreth dhjetë milion kopje. Kisha filluar të mësoja disa fjalë dhe shprehje në gjuhën japonezë dhe ku më lehtë mund ti gjeje fjalët dhe frazat standarde se sa në një të përditshme aq popullore. Qiellin nuk mund ta shihja më por atë imazhin e vizatuar të Kyokës e kisha në mendje, në sy, në zemër dhe po më shpërndahej në shpirt. Me atë imazh i kalova rreshtat e gjatë, përshëndetjet marketing të stjuardesave deri sa u ula në sediljen time në kompartamentin e klasit të parë.
Mora frymë thellë disa herë, njëlloj sikur po bëja ritin japonez të pirjes së çajit i cili është në vetvete një art çlodhje dhe qetësie. Doja të jetoja sa më gjatë me atë imazh të zjarrtë qiellor ku e kisha vizatuar Kyokën. Doja që kjo aventurë e pafat të mbaronte po në këtë udhëtim kthyes, nuk mund të vuaja më shumë. Më pëlqente ta lija në qiell atë dashuri të pafat, aty ku e kisha përjetuar. Do ta fusja në sirtarin e kujtesës si dashuri që erdhi si një rrufe në qiell të kthjellët dhe po në atë qiell u fik, u shua dhe kaq.
Kthimi nga Tokio për në Romë zgjaste 11 orë, dy orë më shumë se Romë-Tokio dhe kjo sipas një shkrimi që po lexoja në numrin e fundit të revistës së agjencisë Al Italia vinte për shkak se ne udhëtonim kundër erërave të forta që vinin nga perëndimi, erëra dhe shtrëngata që bëheshin acar mbi Polin e Veriut, erëra që më rikthyen në ankthin tim lindor ku kisha gjetur dhe humbur një dashuri. Po pse kur shkon drejt Lindjes të ndihmojnë erërat dhe mbërrin më shpejt dhe kur shkon drejt Perëndimit ato të pengojnë dhe të duhet më shumë kohë, më shumë orë? Sepse erërat që të çojnë drejt lindjes janë më të lehta, më tërheqëse, më jetësore. Erëra që të çojnë te ama, te nana, te “a” por kjo ndodh kur nuk shko për të vrarë, kur nuk shko për të djegur dhe plaçkitur, kur nuk shko për të djegur dhe shkatërruar qytetërime siç ka ndodhur me shekuj. Në Lindje njerëzit shkojnë për t’u ribërë fëmijë, atje njerëzit shkojnë për të gjetur një dashuri. Ndaj erërat që të çojnë në Lindje janë ato që na bëjnë të duam më shumë dhe ato që na kthejnë nga Lindja drejt Perëndimit janë të egra, të forta, të plakura. Ja këto ishin arsyetimet e mia, kur po i jepja fund një shisheje Cabernet-sauvignon. Hodha sytë mbi titujt e faqes së parë.
Shtanga në cepin e djathtë, aty ishte fotoja e Kyokës time. Poshtë saj një tekst telegrafik. “Sot rreth orës 11.00 në zyrat e Kompanisë “MITO-00” u gjet e vdekur 28 vjeçarja Kyoka Mitsuky. Në tavolinën e saj të punës policia ka sekuestruar një vendim të kompanisë i cili bën fjalë për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës. Motivacioni “në kompaninë tonë për shkak të angazhimeve nuk mund të punojnë gra shtatëzanë dhe nëna me fëmijë. Kjo ka qenë edhe një kusht në kontratën e punës. Kyoka Mitsuky është vet deklaruar katër muajsh shtatzënë dhe pikërisht për këtë arsye i ndërpriten marrëdhëniet e punës”. Policia ka marrë në pyetje shumë drejtues të kompanisë dhe ka ndaluar drejtorin e Departamentit të Burimeve Njerëzore. Hetimet vazhdojnë. Në numrin e mëngjesit do të sjellim informacione të tjera rreth kësaj ngjarje që ka tronditur Tokion”.
U mundova të nxjerr qesen nga mbajtësja por nuk arrita dhe volla mbi sediljen përballë. Volla dhe bërtita si i marrë, volla prapë, bërtita prapë. Nuk e di se sa orë më vonë e pashë vetën time të shtrirë në një dhomë spitali rrethuar me aparatura të gjithfarë lloji, në krah të djathtë ishte vendosur një vigon që furnizohej me serum përmbajtjen e të cilit nuk arrita ta lexoj dot sepse ishin i shkruar me shkronja cirilike. Kur u mundova ta çoj dorën e majtë në ije ndjeva një dhimbje të lehtë.
Një burrë dhe dy gra më pamje aziatike rrinin mbi kokën time. Burri fliste një anglishte të shkoqitur dhe të ngadaltë: Po më thoshte që të mos shqetësohesha, pasi tani isha mirë. Parametrat të janë stabilizuar, tensioni dhe rrahjet e zemrës janë normal, ke qenë me fat, sapo ke kaluar një atak kardiak shumë të fortë por besojmë që s’ka lënë gjurmë. Megjithatë do të rrini deri nesër nën kujdesin e mjekëve dhe pastaj do të vendosim pas një konsultë me kolegët se kur mund të jeni i gatshëm për fluturimin tuaj. I hapa sytë përtej mundësisë dhe mu duk se pyeta:
– Ku jam tani? Ku jemi këtu?
– Këtu jeni në spitalin qendror në Dushanbe. Kryeqyteti i Republikës së Taxhikistanit. Aeroplani me të cilin po udhëtonit ju ka bërë një ulje të sforcuar për shkakun e shëndetit tuaj. Keni të paktën katër orë që jeni në spital. Për fat në avion ka rastisur një mjek kardiolog dhe ndoshta jetën e keni prej tij. Nuk duhet të bëheni merak për shpenzimet spitalore ato i mbulon JIKA. Tani duhet të pushoni, e keqja e madhe ka kaluar.
Prej vitesh, këtë histori dashurie e shoh në ëndërr shumë shpesh, aq sa kisha filluar ta besoja që kishte ndodhur me të vërtetë.
Obihiro 2007 – Tiranë 2021.