Albspirit

Media/News/Publishing

Kozeta Vrenjo, vajza e Hazmuratit, me botë të pasur, të pafund shpirtërore

Vasil Muka

Kozeta Vrenjo,vajza e Hazmuratit, me botë të pasur, të pafund shpirtërore.

Shkëmbeheshim shpesh tatëpjetës së Hazmuratit, a e shihja te sufaja e portës së Luanit, burrit të urtë e punëtor. E simpatizoja nga larg, përshëndeteshim me nje tundje koke për xhentilencë dhe kaq.

U takuam rastësisht në një ksoll ne Tiranë. Biseda e ngrohtë, me time shoqe, komshije dikur, më përfshiu. Ajo më përgëzoi për shkrimet e mia e më kërkoi librin.

U takuam dhe befasia më përfshiu tërësisht. Pas asaj vajze me emrin e bukur Kozetë, si sytë e saj, por me shpirtin e saj gati hyjnor, zbulova një artiste, shkrimtare, grua heroinë, një Kozetë të Hygoit.

Kalvari i jetës së saj, e vetme, mbushur me përkujdesje amësore e dashuri për vajzat Dorën e Ajkunën (sa emra simbolik), ka rrëzuar e vënë nën këmbë, peripecitë pa fund të jetës e sëmundjes, pasqyruar mjeshtërisht e shpirtërisht plot guxim e largpamësi te tregimi i saj “Fluturim mbi Filadelfia”. Kozeta e mundi vdekjen e jeton si model fitimtareje. I gëzohet jetës e mbeskave të saj.

Një mendje guximtare, e hapur, moderne, vizionare, shprehur me gjuhë të epërme, plot metaforë e simbolikë të bën ta adhurosh këtë vajzë – nënë – grua burrneshë – Kozetë.

Krijimet e Kozetës, veçanërisht, ai për gjyshërit, libohovitë, të tërheq e rrufis, të jep dhimbje por dhe besim.

Sa vizionare për jetën e familjen, sa optimizëm heroik. Sa guxim triumfues, besim e shpresë ka kjo vajzë, e Zoti e ka Bekuar.

Kozetë – moj vajza e ndrojtur e Hazmuratit, më befasove e bëre të lumtur e plot besim, më mësove e përforcove mendimin se: Jeta është luftë, e duhet fituar, e ajo bëhet dhe më e bukur!

Të falenderoj dhe për shkrimin tuaj në facebook për librin tim “Portat e kujtesës” të cilin po e ribotoj më poshtë:

Te shkruash per bashkeqytetaret e tu, për ata që janë dhe për ata që mungojnë, apo për ata që i përkasin një gjenerate tjetër, është diçka e mrekullueshme. Dhe këtë mund ta bësh me dashuri, me durim, me kujtesë dhe me shumë kujdes. Këtë ka bërë profesor Vasili, sepse pasioni për artin, mirënjohja dhe respekti që e karakterizojnë e kanë bërë të mundur këtë libër, kushtuar gjirokastritëve të tij

Profesor Vasili ka mbetur po ai pasionant për profesionin e tij, që ka formuar breza të tërë nxënësish, të cilët edhe sot e kujtojnë me respekt kohën dhe përkushtimin që ai u ka kushtuar. Pata kënaqësinë që sot të pinim një kafe dhe të shkëmbenim mendime për librin e tij, por edhe për shkrimet e mia, të cilat ai i ka mirëpritur dhe lexuar me kënaqësi.

Bisedat për letërsinë janë dhe mbeten ndër më të bukurat. Librit i uroj rrugë të mbarë dhe uroj ta lexojnë edhe të tjerë. Urime të përzemërta!