Mevlan Shanaj: Kur shërbimi zëvendëson artin (Alarmi është për Parlamentin)
Tendenca “ala video” ishte shfaqja e një kinemaje të çliruar nga kontrolli, por ende të papjekur në vetëdijen e saj artistike, ku sasia parapriu cilësinë.
Dikur studiot shtetërore, pavarësisht kufizimeve ideologjike, garantonin një organizim profesional të prodhimit dhe një filtër estetik. Me shembjen e atij sistemi, liria erdhi pa u shoqëruar me politika të reja për zhvillimin e kinemasë. U krijua një boshllëk institucional, financiar dhe profesional, pasojat e të cilit ndihen edhe sot.
Prodhimi filmik shqiptar vazhdon të vuajë nga mungesa e një strategjie kombëtare. Filmat me vlera artistike janë bërë gjithnjë e më të rrallë, ndërsa improvizimi dhe amatorizmi kanë fituar terren. Kjo nuk është përgjegjësi e krijuesve, por e politikave që kanë ndryshuar vazhdimisht pa ndërtuar një sistem të qëndrueshëm mbështetjeje.
Shqetësimi im lidhet me projektligjin e ri për kinematografinë. Në thelb ai e largon Qendrën Kombëtare të Kinematografisë nga misioni i saj për zhvillimin e filmit shqiptar dhe e afron me funksionin e një agjencie shërbimesh audiovizuale.
Edhe më problematike është skema që parashikon rimbursimin deri në 35 për qind të shpenzimeve për produksionet e huaja që zgjedhin të xhirojnë në Shqipëri. Tërheqja e investimeve të huaja është një praktikë që përdoret edhe në vende të tjera dhe, në vetvete, nuk është domosdoshmërisht e gabuar. Por pyetja që shtrohet është: me çfarë raporti ndaj nevojave të kinemasë shqiptare?
Kur fondi vjetor për prodhimin vendas është rreth 1.3 milionë euro, një politikë që orienton burime të konsiderueshme drejt subvencionimit të produksioneve të huaja rrezikon të krijojë një çekuilibër të madh. Kinemaja shqiptare ka nevojë para së gjithash për autorët e saj, për skenarët e saj, për regjisorët, aktorët dhe producentët e saj. Nëse financimi i huaj merr përparësi ndaj zhvillimit të krijimtarisë kombëtare, rrezikojmë të kemi më shumë xhirime në territorin shqiptar, por jo domosdoshmërisht më shumë kinema shqiptare.
Një shtet nuk e mat suksesin vetëm me numrin e produksioneve të huaja që kalojnë në territorin e tij. Ai matet edhe me numrin e filmave kombëtarë që mbeten në kujtesën e publikut dhe në historinë e kulturës.
Nëse filozofia e këtij projektligji mbetet kjo, ekziston rreziku që Shqipëria të shndërrohet në një vend që ofron shërbime për filmat e të tjerëve, ndërsa filmi shqiptar mbetet spektator në shtëpinë e vet. Ky do të ishte një gabim strategjik me pasoja afatgjata për kulturën kombëtare.