Albspirit

Media/News/Publishing

Cafo Boga: VEPRONI TANI — OSE RREZIKONI TË ZHDUKENI NË HARRESË

Analizë në shqip dhe anglisht

VEPRONI TANI — OSE RREZIKONI TË ZHDUKENI NË HARRESË

Një Strategji Kushtetuese për Shndërrimin e Protestës në Ripërtëritje Demokratike

Nga Cafo Boga, M.S. Diplomaci

Një Deklaratë Qëllimi

Ky shkrim paraqitet në frymën e angazhimit qytetar konstruktiv dhe të demokracisë kushtetuese.

Ai u drejtohet jo vetëm qytetarëve që kanë mbushur rrugët e Shqipërisë në protesta paqësore, por edhe çdo qytetari, institucioni publik dhe përfaqësuesi të zgjedhur që mban përgjegjësi për të ardhmen demokratike të vendit.

Qëllimi i tij nuk është të mbështesë apo të kundërshtojë ndonjë parti politike ose individ të

caktuar, por të nxisë një zgjidhje paqësore, ligjore dhe demokratike për një nga lëvizjet qytetare më të rëndësishme në historinë moderne të Shqipërisë.

Momenti Vendimtar

Më 23 maj 2026, qytetarët u mblodhën në mënyrë paqësore në fshatin bregdetar të Zvërnecit për të kundërshtuar projektet e propozuara që preknin Ishullin e Sazanit dhe ekosistemet e mbrojtura të Lagunës së Nartës. Brenda pak ditësh, ajo që nisi si një protestë mjedisore u shndërrua në një lëvizje qytetare mbarëkombëtare, që kërkonte llogaridhënie, respektimin e shtetit të së drejtës, reforma demokratike dhe, në fund, dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama. Shumë shpejt, ajo frymëzoi protesta solidariteti në mbarë Shqipërinë dhe në diasporën shqiptare.

Ka momente në jetën e çdo kombi kur ngjarjet ngrihen mbi politikën e zakonshme dhe shndërrohen në prova përcaktuese të pjekurisë demokratike, përgjegjësisë qytetare, qëndrueshmërisë institucionale dhe udhëheqjes kombëtare. Shqipëria ka arritur pikërisht në një moment të tillë.

Ky shkrim nuk rikthehet te debatet politike që i nxorën qytetarët në rrugë, sepse ato tashmë janë diskutuar gjerësisht dhe janë të njohura për opinionin publik. Po ashtu, ai nuk synon të caktojë fajtorë apo të thellojë ndarjet politike. Përkundrazi, ai ngre një pyetje që mund të përcaktojë nëse kjo lëvizje do të hyjë në histori si një sukses demokratik apo si një tjetër mundësi e humbur:

Çfarë duhet të ndodhë tani që kjo lëvizje qytetare paqësore të sjellë një ndryshim demokratik të qëndrueshëm?

Përgjigjja prek shumë më tepër sesa vetë protestuesit. Ajo lidhet me besueshmërinë e institucioneve shqiptare, besimin e qytetarëve te shteti dhe pozitën e Shqipërisë përballë partnerëve të saj evropianë.

Lëvizjet qytetare paqësore nuk triumfojnë thjesht sepse zgjasin në kohë; ato triumfojnë kur, në momentin vendimtar, arrijnë ta shndërrojnë mbështetjen popullore në udhëheqje legjitime, autoritet moral dhe veprim kushtetues.

Lëvizja shqiptare ka arritur pikërisht në këtë pikë. Pyetja nuk është më pse qytetarët dolën në rrugë, por nëse kjo ndërgjegjësim qytetar mund të evoluojë në një forcë demokratike të organizuar, të aftë për të sjellë ndryshime reale.

Arritje që Duhet të Ruhen

Arritja e parë, dhe ndoshta më e rëndësishmja, e kësaj lëvizjeje është mënyra e disiplinuar dhe paqësore me të cilën ajo është zhvilluar.

Mijëra qytetarë kanë ushtruar një nga të drejtat më themelore të demokracisë — të drejtën për t’u mbledhur dhe për ta bërë të dëgjohet zëri i tyre — pa lejuar që dhuna, shkatërrimi apo provokimet të përcaktojnë kauzën e tyre. Pikërisht kjo vetëpërmbajtje i ka dhënë lëvizjes autoritet moral dhe ka dëshmuar se ndryshimi demokratik mund të kërkohet me përgjegjësi, qytetari dhe dinjitet.

Lëvizja arriti gjithashtu ta çojë një çështje me rëndësi kombëtare në vëmendjen e Evropës.

Shqetësimet që nisën me mbrojtjen e Zvërnecit, Ishullit të Sazanit dhe Lagunës së Nartës mbërritën deri në Parlamentin Evropian, i cili shprehu rezerva serioze ndaj zhvillimeve në zonat e mbrojtura natyrore të Shqipërisë dhe rikujtoi detyrimet që vendi ka marrë përsipër në kuadër të standardeve evropiane për mbrojtjen e mjedisit.

Ky ishte më shumë sesa një sukses mjedisor. Ai tregoi se angazhimi qytetar paqësor është në gjendje të vendosë çështje kombëtare në axhendën evropiane dhe të sjellë vëmendje ndërkombëtare mbi vendime që ndikojnë të ardhmen e Shqipërisë.

Këto arritje i kanë dhënë lëvizjes pasurinë e saj më të çmuar: besueshmërinë.

Por besueshmëria nuk është kurrë e përhershme. Ajo forcohet përmes disiplinës, organizimit dhe udhëheqjes së përgjegjshme, por mund të zbehet shpejt nga pasiguria, hezitimi ose paaftësia për të evoluar.

Prandaj, sfida e lëvizjes nuk është më nëse mund të vazhdojë protestat, por nëse mund ta ruajë besimin që ka fituar duke e shndërruar mbështetjen popullore në veprim demokratik të organizuar dhe me qëllim të qartë.

Koha për të Vepruar është Tani

Çdo lëvizje demokratike e suksesshme arrin një moment kur sukseset e së djeshmes nukn mjaftojnë më për të garantuar suksesin e së nesërmes.

Ekziston një thënie e vjetër ballkanike që përmbledh një të vërtetë të përjetshme: sado i jashtëzakonshëm të jetë një zhvillim, ai nuk mund të mbetet përgjithmonë në qendër të vëmendjes së publikut. Një lëvizje qytetare duhet, herët a vonë, të evoluojë në një forcë demokratike të organizuar, ose të pranojë se vrulli i saj do të fillojë gradualisht të zbehet.

Lëvizja që lindi në Zvërnec ka dëshmuar guxim, disiplinë dhe përgjegjësi qytetare. Ajo ka bashkuar qytetarët, ka frymëzuar diasporën shqiptare dhe ka tërhequr vëmendjen e Evropës. Por entuziazmi publik, sado i madh të jetë, i hap rrugë një pyetjeje krejtësisht legjitime:

Çfarë vjen më pas?

Kjo nuk është një pyetje që buron nga kritika, por nga bindja se kjo lëvizje mund të arrijë diçka shumë më të madhe sesa protestat vetë.

Qeveritë nuk triumfojnë gjithmonë sepse arrijnë ta bindin opinionin publik; shpesh ato fitojnë sepse dinë të presin. Me kalimin e kohës, vrulli zbehet, pasiguria zëvendëson entuziazmin dhe edhe kauza më e drejtë mund ta humbasë drejtimin kur të njëjtat veprime përsëriten pa sjellë rezultate të dukshme.

Pikërisht për këtë arsye, lëvizja qytetare shqiptare ka hyrë në një fazë të re.

Çështja nuk është më nëse ajo mund të vazhdojë të mbushë sheshet me protestues, por nëse mund ta shndërrojë besimin e fituar nga qytetarët në një udhëheqje demokratike të organizuar dhe të besueshme.

Në këtë fazë, guximi nuk mjafton më. Ai duhet të shoqërohet me organizim, vizion dhe përgjegjësi.

Nga Protesta në Përfaqësim Demokratik

Demonstratat publike mund të zgjojnë ndërgjegjen e një kombi, të nxjerrin në pah padrejtësitë dhe të mobilizojnë qytetarët rreth një qëllimi të përbashkët. Por ato, të vetme, nuk mund të negociojnë reforma kushtetuese, të angazhojnë institucionet shtetërore apo ta udhëheqin vendin drejt një tranzicioni demokratik.

Prandaj, çdo lëvizje qytetare paqësore duhet t’i përgjigjet një pyetjeje themelore:

Kush flet në emër të lëvizjes dhe me çfarë legjitimiteti?

Përgjigjja nuk mund të varet nga ai që mbledh turmën më të madhe apo mban fjalimin më të zjarrtë. Udhëheqja duhet të dalë nga një proces transparent, përfaqësues dhe demokratik, i aftë të fitojë besimin e publikut.

Një mënyrë e mundshme do të ishte thirrja e një Konvente Kombëtare Qytetare, ku të përfaqësoheshin delegatë të lëvizjes nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora, së bashku me përfaqësues të organizatave rinore, shoqërisë civile, shoqatave profesionale, universiteteve, organizatave mjedisore dhe çdo organizate tjetër të përkushtuar ndaj ndryshimit demokratik me mjete paqësore.

Konventa duhet të miratojë rregulla të qarta për propozimin dhe zgjedhjen e një Udhëheqjeje Përfaqësuese.

Kandidatët mund të propozohen nga delegatët ose të vetëkandidohen, me kusht që të kenë mbështetjen e nevojshme, të pranojnë zyrtarisht parimet e Konventës dhe të paraqesin para saj kualifikimet, përvojën dhe objektivat e tyre.

Më pas, përmes një votimi transparent, kandidatët që gëzojnë mbështetjen më të madhe do të formonin organin drejtues të lëvizjes.

Mënyra konkrete e zgjedhjes mund të ndryshojë, por disa parime nuk mund të vihen kurrë në diskutim: pjesëmarrja e gjerë, barazia e mundësive, llogaridhënia dhe legjitimiteti demokratik.

Personat që do të zgjidhen nuk duhet të jenë thjesht folësit më të njohur apo figurat më të dukshme të protestave.

Ata duhet të jenë gra dhe burra me integritet të padiskutueshëm, aftësi të provuara, gjykim të shëndoshë dhe përkushtim të sinqertë ndaj shërbimit publik.

Kjo udhëheqje duhet të bashkojë energjinë dhe profesionalizmin e brezit të ri të shqiptarëve, të aftë për t’u bërë brezi i ardhshëm i udhëheqësve demokratikë të vendit, me përvojën e figurave publike dhe politikanëve, karriera e të cilëve nuk është njollosur nga akuza të besueshme për korrupsion apo shpërdorim të detyrës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Harry S. Truman, e shprehu këtë parim në mënyrë të drejtpërdrejtë: “Më trego një njeri që pasurohet duke qenë politikan dhe unë do të të tregoj një mashtrues”.

Pavarësisht se si mund të vlerësohet gjuha e përdorur nga Trumani, parimi mbi të cilin mbështetet kjo thënie mbetet po aq i vlefshëm edhe sot: shërbimi publik nuk duhet të shndërrohet kurrë në një rrugë drejt pasurimit personal të pajustifikuar.

Një lëvizje që synon të rikthejë besimin e qytetarëve duhet të përfaqësohet nga njerëz që e meritojnë atë besim. Ajo duhet të jetë moralisht më e lartë se sistemi që synon të ndryshojë.

Këshilli i Qytetarëve

Pas zgjedhjes së Udhëheqjes Përfaqësuese, ajo duhet t’i propozojë Konventës Kombëtare Qytetare krijimin e një Këshilli të Qytetarëve, të përbërë nga personalitete të respektuara të jetës publike dhe profesionale.

Në këtë këshill mund të përfshihen juristë dhe ekspertë të së drejtës kushtetuese, gjyqtarë të dale në pension, ekonomistë, profesorë universitarë, ekspertë të mjedisit, përfaqësues të botës së biznesit, shkrimtarë, ish-diplomatë, drejtues të shoqërisë civile, si edhe përfaqësues të spikatur të diasporës shqiptare.

Anëtarët e këtij Këshilli nuk duhet të jenë politikanë aktivë që kërkojnë poste apo pushtet. Ata duhet të jenë individë, integriteti, arritjet profesionale dhe kontributi i të cilëve në shërbim të vendit u kanë siguruar tashmë respektin e publikut.

Për të forcuar legjitimitetin e tij demokratik, përbërja e Këshillit duhet të miratohet nga Konventa Kombëtare Qytetare.

Role të Ndara, Përgjegjësi të Qarta

Funksionet e këtyre dy strukturave duhet të jenë të qarta dhe të dallueshme.

Udhëheqja Përfaqësuese duhet të flasë, të negociojë dhe të veprojë në emër të lëvizjes. Këshilli i Qytetarëve, nga ana tjetër, duhet të ofrojë udhëzim kushtetues, etik dhe profesional, duke u kujdesur që çdo veprim i lëvizjes të mbetet në përputhje me Kushtetutën, shtetin e së drejtës dhe interesin kombëtar.

Ky nuk është domosdoshmërisht modeli i vetëm i mundshëm. Mund të ekzistojnë edhe alternativa të tjera po aq të vlefshme, për sa kohë që ato respektojnë të njëjtat parime themelore: transparencën, përfaqësimin, legjitimitetin demokratik dhe përputhshmërinë e plotë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Qëllimi nuk është krijimi i një partie të re politike, por ndërtimi i një strukture qytetare të besueshme, të aftë për ta shndërruar protestën në veprim demokratik të përgjegjshëm.

Zgjedhja që Qëndron Përpara

Pasi lëvizja të ketë krijuar një përfaqësim legjitim dhe një Këshill të respektuar të Qytetarëve, përgjegjësia e saj e parë duhet të jetë kërkimi i dialogut dhe jo i përballjes.

Duke vepruar brenda rendit kushtetues të Republikës së Shqipërisë, ajo duhet t’ia paraqesë propozimet e saj Kuvendit të Shqipërisë dhe t’u bëjë thirrje të gjitha forcave politike që ta vendosin interesin kombëtar mbi interesat partiake.

Objektivi i menjëhershëm duhet të jetë rivendosja e besimit të qytetarëve dhe krijimi i kushteve për zhvillimin e zgjedhjeve vërtet të lira, të ndershme, transparente dhe të besueshme, si për qytetarët shqiptarë ashtu edhe për komunitetin ndërkombëtar.

Vetëm Kuvendi i Shqipërisë ka kompetencën kushtetuese për të krijuar ose miratuar një konfigurim të ri qeverisës.

Nëse Kuvendi dhe Qeveria tregojnë gatishmëri për dialog të sinqertë, një zgjidhje kushtetuese mund të jetë krijimi i një qeverie teknike ose kujdestare, me mandat të kufizuar, që do të kishte për detyrë përgatitjen e vendit për zgjedhje të reja.

Megjithatë, kjo do të ishte vetëm pika e nisjes.

Përpara se qytetarët të rikthehen në kutitë e votimit, Shqipëria duhet të vendosë garanci shume më të forta kundër manipulimit dhe mashtrimit zgjedhor, të zbatojë rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë, të rrisë transparencën në financimin e fushatave dhe administrimin e zgjedhjeve, të garantojë kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit dhe të sigurojë monitorim të besueshëm si nga institucionet vendase, ashtu edhe nga ato ndërkombëtare.

Reforma për një Demokraci më të Fortë

Reforma më të gjera kushtetuese dhe institucionale — përfshirë kufizimin e mandateve për funksionet më të larta politike, forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës së pushteteve, si dhe vendosjen e garancive ligjore kundër përqendrimit dhe shpërdorimit të pushtetit — duhet të shqyrtohen nga një Kuvend i ri, i zgjedhur mbi bazën e një legjitimiteti të ripërtërirë demokratik.

Megjithatë, një udhëheqje e përgjegjshme duhet të jetë e përgatitur edhe për mundësinë që

Qeveria dhe shumica parlamentare të refuzojnë një dialog kuptimplotë.

Në një rast të tillë, lëvizja duhet t’i rezistojë zhgënjimit dhe të ruajë me vendosmëri parimet që i kanë dhënë autoritetin e saj moral.

Dhuna nuk mund të jetë kurrë një alternativë e pranueshme. Ajo do ta dobësonte lëvizjen, do ta përçante opinionin publik, do t’u jepte justifikim atyre që kërkojnë ta shtypin ose ta diskreditojnë dhe do të dëmtonte vetë kauzën që ajo përfaqëson.

Karakteri paqësor i kësaj lëvizjeje nuk është thjesht një taktikë politike; ai është themeli i legjitimitetit të saj.

Nëse dialogu kushtetues brenda vendit shteron pa rezultat, lëvizja duhet të mbetet e organizuar, e bashkuar dhe paqësore, duke e përqendruar njëkohësisht vëmendjen edhe te angazhimet evropiane dhe ndërkombëtare të Shqipërisë.

Përmes Udhëheqjes së saj Përfaqësuese dhe Këshillit të Qytetarëve, ajo duhet të dokumentojë shqetësimet e saj dhe t’i paraqesë ato pranë Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian, Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe institucioneve të tjera demokratike ndërkombëtare.

Këto institucione nuk mund dhe nuk duhet të zgjedhin qeverinë e Shqipërisë. Megjithatë, ato kanë të drejtën dhe detyrimin të kërkojnë që Shqipëria të respektojë standardet demokratike, detyrimet zgjedhore dhe parimet e shtetit të së drejtës, të cilat i ka pranuar vullnetarisht si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Angazhimi ndërkombëtar duhet të shërbejë si mbështetje për veprimin paqësor qytetar Brenda vendit, dhe kurrë si zëvendësim i tij.

Një Apel Përfundimtar

Lëvizja që lindi në Zvërnec ka zgjuar ndërgjegjen qytetare, ka frymëzuar shqiptarët në të gjithë diasporën dhe ka dëshmuar se ndryshimi demokratik mund të kërkohet në mënyrë paqësore, dinjitoze dhe qytetare.

Por këto arritje nuk do të mbijetojnë vetvetiu.

Tani është koha që lëvizja të organizohet përmes një përfaqësimi legjitim, të zgjedhë drejtues me integritet të padiskutueshëm, të krijojë një Këshill të Qytetarëve të aftë të ofrojë orientim kushtetues dhe profesional, si dhe t’i paraqesë vendit një program realist për reforma zgjedhore dhe institucionale.

Nëse Qeveria pranon dialogun, lëvizja duhet të negociojë me përgjegjësi dhe të punojë, përmes Kuvendit, për një tranzicion kushtetues dhe zgjedhje të besueshme.

Nëse Qeveria refuzon, ajo duhet të ruajë karakterin e saj paqësor, të forcojë organizimin e brendshëm dhe të kërkojë mbështetje të vazhdueshme nga partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë të Shqipërisë.

Ajo që nuk mund të bëjë është të mbetet pafundësisht në të njëjtin vend, duke përsëritur të njëjtat slogane dhe duke pritur një rezultat ndryshe.

Euforia mund të shndërrohet në zhgënjim. Zhgënjimi mund të kthehet në frustrim. Ndërsa frustrimi, nëse mbetet pa drejtim dhe pa udhëheqje, mund të çojë në përçarje ose edhe në dhunë — një përfundim që duhet shmangur me çdo kusht.

Historia nuk do ta gjykojë këtë lëvizje vetëm nga numri i njerëzve që arriti të nxjerrë në rrugë apo nga kohëzgjatja e protestave.

Ajo do ta gjykojë nëse pati mençurinë të kuptojë se erdhi çasti kur protesta, sado e rëndësishme, nuk mjaftonte më; nëse pati vizionin ta shndërronte guximin në organizim, besimin qytetar në legjitimitet demokratik dhe shpresën në veprim konkret kushtetues.

Historia kujton ata që e kuptojnë momentin vendimtar dhe kanë guximin të veprojnë përpara se ai të humbasë.

Veproni tani — ose rrezikoni të zhdukeni në harresë.

https://mail.google.com/mail/u/0/?tab=rm&ogbl#inbox/FMfcgzQhVNdBvSVhBqXBRXMBwlHvqLbV?projector=1&messagePartId=0.1