Profesor Emeritues Bardhosh Gaçe, një monografi monumentale për Ali Asllanin
Dëfrim Cani, studies
Janë dukuri të rralla që nuk ndodhin shpesh, sa herë që duhet të shkruash, shqyrtosh, të shtosh njohje dhe të rizbulosh profilin poetik të poetit Ali Asllani, të duket se fillon nga e para njohja për të. Nuk ka njeri që ka lexuar një libër poetik në Shqipëri që të mos e ketë lexuar “Hanko Hallën” dhe poemën “Hakërrim” të Ali Asllanit, që të dy krijimet kanë në indin e tyre një lloj proteine, që sikur e ripërtërinë fuqinë e së cilës nga poemat, çfarë nënkupton, se ato vazhdojnë të rizbulohen ende dhe pse kanë kaluar disa dhjetëra vite që janë shkruar dhe botuar. Me këtë fuqi receptuese, që vazhdon ende të na vijë Ali Asllani, unë mendoj se libri i sapodalë në treg është aktual, i rëndësishëm dhe një qasje e re dhe e gjerësishme për poetin në fjalë. Pastaj kjo prurje mban në vetvete punën skrupuloze dhe korrekte shkencërisht dhe monografish, nga pikëpamja letrare dhe filologjike e një njeriu të dijes filologjike, letrare dhe mendimit shkencor të prof. dr. Bardhosh Gaçe. Ndryshe poetëve të tjerë që u shfaqën në poezinë shqipe në kohën kur shkroi poezi dhe Ali Asllani, d.m.th. bashkëkohësit e tij, ky i fundit duket se nuk ka shteruar në mesazhet që mbart poezia e tij, por edhe nga këndvështrimet studimore apo kritike, që ende e përcjellin poezinë e tij. Duke iu shmangur një lloj “nacionalizmi”, me të cilin në jo pak raste është trajtuar Ali Asllani pas viteve ’90, pasi gjatë kohës së letërsisë së realizmit socialist ai ishte shmangur dhe ishte lënë në hije (nuk përfshihej në asnjë antologji poetike, nuk trajtohej në asnjë tekst shkollor dhe universitar), ai i ka rezistuar kohës, duke qenë fryma e kohës së tij, refleksioni i kohës së tij, duke i dhënë asaj vlerat që kishte. Po ashtu, duke qenë një talent i padiskutueshëm, Ali Asllani arriti që ta ngjeshë kohën dhe ta shndërrojë në art, qoftë i gëzueshëm ose jo, qoftë dashuri ose jo, qoftë i ëmbël apo i hidhur, por përmes një harmonie të pashoqe të artit poetik. Si i tillë, ai u bë tregues dhe “stoli” e poezisë shqipe. Një art i madh ka gjithmonë rrethana, shkaqe, ai krijon ndoshta dhe rastësi të rishfaqet, njëra nga këto risolli në përmasën e vet dhe poezinë e Ali Asllanit në ditët e sotme.
Askush si Ali Asllani nuk e ka kuptuar dhe nuk e ka “sendërtuar” në një përmasë artistike kohën në të cilën ai jetoi dhe ka kontribuar në dimensionin intelektual, njerëzor, artistik dhe bashkëshoqëror. Duke qenë një shikim ndryshe i profilit të Ali Asllanit, si poet dhe personalitet, si atdhetar e diplomat, si kontribuues i vlerave të çmuara të njeriut të kohës, libri që sjell prof. Bardhosh Gaçe, ka shtruar dhe shtuar një shqyrtesë të rëndësishme dhe të gjerësishme, dhe pse kanë kaluar aq mote nga koha e krijimit të poetit, nga koha e njeriut të dijes dhe të shërbimit ndaj popullit të tij Ali Asllani.
Libri krijon një marrëdhënie gati aktuale me epokën kur u shfaq në poezinë shqipe poeti Ali Asllani; një refleksion të qartë dhe estetik me anë të talentit të padiskutueshëm, veçmas të lirikës mbi krijimtarinë poetike të poetit; një shqyrtesë në të gjitha dimensionet në marrëdhëniet me kohën, dhe kritikën mbi poezinë e poetit. Po ashtu, në një rilexim poezia e Ali Asllanit duket se ka ende një aktualitet të “frikshëm”, duke i dhënë atij dëshminë e pagabueshmërisë së shqipes poetike, e cila lexonte në mënyrë të shkëlqyer raportet e njeriut me kohën, pushtetin, njerëzit.
Libri ndërton një kujtesë të rëndësishme, që dhe pse i kushtohet Ali Asllanit, ai përcjell një ndjesi dhe kulturë homazhi për të dhe të tjerët që e meritojnë dhe ajo që mbetet nga ky libër, është se vepra e Ali Asllanit vazhdon që të zbulohet për shkakun e artit poetik, përmbajtjes dhe mendimit të poetit. E gjithë kjo strukturë komunikuese që mbart në vetvete libri “Ali Asllani- Liriku i madh i poezisë shqipe” lidhet me një punë të kujdesshme dhe me një stil klasik të studiuesit, i cili kupton më mirë se shumë studiues të tjerë raportin që mbart në vetvete poezia e Ali Asllanit, e cila nuk do të ishte komunikuese, e freskët gjithmonë dhe e kuptueshme në pjesën më të madhe të saj nga çdo lexues. Në nivelizimet e leximit të saj në poezinë e Asllanit ka kaq shumë çështje të estetikës, lirikës, poezisë së dashurisë, gjetja e motiveve popullore dhe ato historike, jo vetëm të llojit (poezisë) por edhe llojeve të tjera, dhe e gjithë kjo lidhet me raportin që ai kishte me këngën dhe kulturën popullore.
Profesor Bardhosh Gaçe është etnolog dhe këtë lidhje të fortë si ai nuk mundet ta kuptojë dhe ta vlerësojë kushdo. Ali Asllani kishte një lidhje të fortë me folklorin dhe kulturën popullore të Labërisë, një trevë e rëndësishme në trashëgiminë e kulturës popullore kombëtare shqiptare, e cila shfaqet në të gjithë atë larmi dhe detaje të shumta mbi të cilat sython poezia e tij me karakter social, historik, shoqëror, lirika dhe poezia e dashurisë, humori dhe ironia, satira dhe format e tjera që mbart poezia e tij. Meqë nga pikëpamja autoriale Ali Asllani është parë në një prerje tjetër të llojit libror, por edhe të kohës së koncepteve moderne të komunikimit jo vetë të artit poetik apo krijimtarisë së çdo lloji qoftë, profesor Gaçe i ka ofruar lexuesit një ese të rëndësishme, të gjerësishme, korrekte, referuese, e mirë- klasifikuar në problematikën dhe këndvështrimin bazik të krijimtarisë dhe të profilit njerëzor të Ali Asllanit, e cila siç thotë dhe Umberto Eko, ngjan si një vizitë në kohën e Ali Asllanit (Eko shënon “rivizitim i traditës”) si një raport i modernes me postmodernen për të “frymuar” në lexim dhe raport bashkëkohor Ali Asllanin.
Ndryshe ese-ja e titulluar “Ali Asllani- liriku i madh i poezisë shqipe” është shkrimi më i mirë analitik dhe sintetik i shkruar për të në studimet shqiptare. Konteksti kohor përbën një nga elementët e formësimit për të zgjuar brenda poetit arsyen dhe nevojën e komunikimit poetik, në të cilin reflektojnë bashkë-marrëdhëniet ndër- njerëzore, familja, fëmijëria, mjedisi, shkollimi, shtresimet shoqërore, që një fëmijë i kupton dhe ndikohet shumë prej tyre. Ky është kujdesi më i qartë i studiuesit për të vendosur poetin dhe formimin e tij në kohë. Kjo vëmendje do të thotë, se askush nuk mund t’i ikë kohës së tij, dhe rëndësi të madhe merr në këtë rast përdorimi i mirë i kohës, që tek Ali Asllani është një tregues konkret dhe korrekt.
Periudha në të cilën shkroi dhe pati veprimtarinë e tij poetike, shoqërore, diplomatike, shtetërore dhe marrëdhëniet e tjera poeti, ishte një nga kohët më të ngjeshura në disekuilibrat shoqëror, kulturor, politik dhe shtetëror, vetëm raporti me atdheun dhe Pavarësinë nuk mund të ishte vështirë të gabohej. Dhe pse poezia e para- viteve ’45 nuk hyn tek poezia moderne shqiptare, për shkakun se ajo nuk ishte e organizuar dhe krijuesit nuk ishin të mbledhur rreth një institucioni apo klubi shkrimtarësh, përveç kolegjeve të jezuitëve, të cilët kishin një lloj marrëveshje mes tyre. Poezia është shkruar gjatë kësaj kohe, madje siç shkruan profesor Gaçe, kishte një plejadë si: Migjeni, Gj. Fishta, Dh. Shuteriqi, Petro Marko, Lasgush Poradeci, Fan Noli, Ndre Mjeda, Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli, Nonda Bulka, Spiro Çomora, Nexhat Hakiu dhe të tjerë, thuajse të gjithë sot zënë një vend të rëndësishëm në historinë e poezisë dhe letërsisë shqipe, mes të cilëve shquan dhe Ali Asllani.
Për shkakun e një profili krejt të veçantë, që poeti Ali Asllani ka krijuar në poezinë shqipe dhe arsye moderne receptive e leximit të poezisë, studiuesi ka reflektuar një shqyrtesë interesante të propozuar si “problemi i leximit të poezisë së Ali Asllanit”, që vjen përmes një refleksioni mbi dy poezi të poetit, atë “Zonja Lu” dhe poezia që e hyjnizon poezinë e titulluar “Mbretëresha Perëndeshë”, me protagoniste Kleopatrën, e cila përthyen raporte poetike tek poeti dhe jo gjë tjetër, siç është thënë në ndonjë mendim apo koment për këtë poezi. Shënimet jetësore, të cilat prof. Gaçe i ka risjellë me kujdes dhe në këtë ese, lidhen mjaft, si dhe ku u formua Ali Asllani, ku natyrisht Vlora dhe shkollimi i tij në gjimnazin “Zosimea” e deri në Turqi, duke gjetur mbështetje tek njerëz të njohur të kohës, përbëjnë një nga “gurët e mozaikut” jetësor të poetit, i cili siç dhe kuptohet ka reaguar si një krijesë e mrekullueshme njerëzore, që në dy krijimet e para të tij në një moshë të vogël, dhe që lidheshin me vendlindjen dhe trevën e tij. Zakonisht, krijimet e para poetike janë të natyrës së dashurisë, ndërsa Ali Asllani krijimin e parë të tij e ka për fshatin dhe botuar në një gazetë të kohës.
Studiuesi Bardhosh Gaçe ka reflektuar një analizë ideo- artistike, ku nuk mungojnë dhe konceptet estetike që mbart poezia e Ali Asllanit, mbi një kriter tematik që mund të studiohet poezia e Asllanit, ku shquajnë lirika e dashurisë, lirika patriotike, lirika sociale dhe shoqërore, dy poemat e njohura “Hanko Halla” dhe “Hakërrim”, duke e profiluar poetin si një nga njerëzit me një ndjeshmëri të madhe të kohës dhe gjithë problematikën që ajo mbartte. Studiuesi shpjegon dhe në mënyrë sintetike mendon, se poezia e Ali Asllanit ishte mjaft mirë e organizuar estetikisht dhe me mjetet e gjuhës dhe fjalorit, duke e ekspozuar atë si një mjeshtër i satirës, humorit dhe ironisë.
Studiuesi shkruan: “… Ali Asllani shfaqet si lirik i madh dhe si satirist- ironik i madh, dy tema të rëndësishme në poezi, të cilat kërkojnë zotësi të mëdha poetike, njohje të gjerësishme të gjuhës dhe estetikës dhe kapacitet të madh leksikologjik.” Në poezinë e Ali Asllanit u shpërfaq në masën më të mirë të mundshme koha në të cilën ai jetoi, një kohë që ishte plot ngarkesa të natyrës patriotike dhe të raporteve politike, e cila ka mjaft rëndësi jo vetëm në krijimtarinë e Asllanit, por edhe të poezisë shqipe. Në konceptin poetik të Gaçes, i cili reflekton temën patriotike në poezinë e Ali Asllanit, ai veçon lidhjen me mjedisin njerëzor të kohës, pa e abstraguar qëndrimin patriotik, ai shkruan ndër të tjera: “Pikërisht në ato mjedise ku dasma, dashuria, lufta dhe gjëmat i rrinin mbi kokë dhe burrit dhe gruas, dhe djalit dhe vajzës, dhe në ditën e mortit dhe në ditën e dasmës, Ali Asllani e gjen heroin e tij mes njerëzve dhe viseve të Labërisë”.
Lidhur me qëndrimin ndaj shoqërisë në një vështrim të gjerësishëm, Ali Asllani është ndoshta poeti më i angazhuar në jetën e shoqërisë së kohës, përmes një shqise të imët që ai kishte. Duke e konsideruar një temë mjaft të mprehtë dhe si një burim përmes të cilit shfaqet formimi shoqëror i poetit dhe si një njeri që e njihte mirë shoqërinë e kohës, prof. Gaçe, mendon, se: “Shoqëria në poezi dhe në letërsi përbën mesazhin më të rëndësishëm të komunikimit. Nëse ka poet që nuk i shkëputet assesi kontaktit dhe përditësimit shoqëror është Ali Asllani, qoftë si trashëgimi, qoftë si element jetik qytetar, por edhe në marrëdhëniet e brendshme që ajo mbart me veten dhe poetin.”, çfarë tregon se sa qytetar ishte vetë poeti në një kohë të vështirë të atdheut dhe të kombit, siç reflekton e gjithë poezia e Asllanit para viteve 1945.
Një kontakt jo vetëm të kohës së tij, por përtej kohës reale, sepse poeti ka një arsye që të tejkalojë kohën e tij në krijimtarinë artistike, janë dy nga krijimet më të rëndësishme në atë që shkroi Ali Asllani, dy poemat që kanë kaluar në një masë të madhe vlerësimesh, hulumtimesh dhe qëndrimesh kritike të kohës së tij dhe studimin e veprës së tij sot. Studiuesi Gaçe, mbi poemën “Hanko Halla” ka sjellë ndoshta vlerësimin më epik të saj. Ai shkruan: “Është vështirë t’i vësh në gojë një peshë kaq të madhe personazhit epiko- lirik, si Hanko Halla, e cila mbart gjithë “bagazhet” e kohës në të gjitha kuptimet…”, ndërsa poema “Hakërrim”, e cila është ndërtuar mbi një satirë dhe ironi gati “groteske”, është ndoshta njëra nga pasqyrat më të mira, ku mund të shihet talenti dhe qytetaria përballë kohës, për të cilën Gaçe shkruan: “Poemën e përshkon një sfond social- kulturor, por edhe politik interesant, një tablo e zymtë dhe për më tepër me kundërthënie të brendshme,… objekti i së cilës është dënimi i veseve të këqija, madje deri në tradhti kombëtare…”.
Ndërsa lirika e dashurisë, e cila zë pjesën më të madhe në poezinë e Asllanit, mbetet një marrëdhënie e freskët në trashëgiminë më të mirë të poezisë lirike shqiptare. Prof. Gaçe, në mënyrë më sintetike se kushdo që e ka hulumtuar lirikën e Asllanit shkruan: “Lirika në poezinë e Ali Asllanit shpalos një karakter njerëzor të ndjeshëm, lirik, sa të brishtë po aq dhe etik, valorizues. Libri i sapodalë nga shtypi ngjan si një “herald”, i cili tregon për një nga poetët më të papërsëritshëm të poezisë shqipe, por edhe një kërkim për ta njohur atë. Në ese-në e Gaçes ka një kujtesë dhe rrjet të madh njerëzish të njohur të trevës së tij dhe më gjerë, që përbëjnë dhe një bazë të madhe të lidhjeve, marrëdhënieve, kontakteve dhe konceptit social- njerëzor të tij, por edhe të qytetarisë së kohës. Figura të njohura të kohës nga të gjitha fushat, e bëjnë të besueshme dhe mjaft sociale dhe përfaqësuese figurën njerëzore dhe intelektuale të Ali Asllanit.
Pjesën më të madhe të librit e zë mendimi dhe vlerësimet në tri kohët mbi poezinë dhe profilin e Ali Asllanit, para çlirimit, ajo e viteve ’45- ’90 dhe pas viteve ’90, duke i dhënë atij një prani të përhershme dhe vlerësim për atë që ai ishte në të vërtetë, poet dhe njeri, patriot dhe intelektual, shtetar dhe veprimtar. Libri “Ali Asllani- liriku i madh i poezisë shqipe” i Prof. dr. Bardhosh Gaçes është një dokument i çmuar në vlerësimin e figurës, por edhe të llojit të veçantë libror për profilet e kësaj natyre, në zhvillimin bashkëkohor të letërsisë shqipe.