Kadare: Letra ime e vetme për Enverin
-Zoti Kadare, në media qarkullon një letër, që ju i keni dërguar Enver Hoxhës, më 1980. Është e vërtetë kjo letër? I keni dërguar letra të tjera diktatorit?
Kadare: Kjo është një letër e vërtetë, shkruar me dorën time. Madje, është faksimile e vetme. Është shkruar më 1980 dhe është letra e vetme që i kam dërguar në jetën time Enver Hoxhës. Unë, në fakt, prisja nga hapja e dosjeve një trajtim më serioz të një çështjeje të tillë. Ç’domethënë trajtim serioz? Do të thotë që shtypi, që e nxjerr një letër të tillë, duhet të japë një sqarim minimal për të. Është i rëndësishëm si dokument, sepse është letra e një shkrimtari të njohur, e vetmja drejtuar sunduesit të vendit dhe botohet, si rastësisht, pa asnjë informacion sqarues.
-Si ka dalë kjo letër nga Arkivi?
Kadare: Absolutisht nuk di asgjë. Ishte zhgënjyese. Në dosjen time besoj ky është dokumenti kryesor dhe del kështu pa asnjë përgjegjësi. Krijon lloj-lloj keqkuptimesh.
-Pse e shkruat këtë letër? Çfarë ndodhi, që e shkruat?
Kadare: Kjo letër është shkruar pasi më kanë thirrur në Komitetin Qendror për të më njoftuar se “motra juaj do të ishte sot në burg, po të mos ishte motra juaj”. Më është thënë se shoqet e saj, një grup shoqesh, janë të gjitha në burg. U thashë se nuk di asgjë. I pyeta pse. Më thanë se flisnin kundër regjimit e, veçanërisht, kundër Enver Hoxhës. Sigurisht që unë në familje nuk bëja biseda të rrezikshme, sidomos me motrën, duke e ditur tipin e saj. Por, kurrsesi nuk e kisha për zakon të flisja për çështje delikate, sepse do kisha marrë veten më qafë shumë vite përpara. Nuk u hodha përpjetë të thosha “jo, janë shpifje”. Dhashë të kuptoj që e merrja me mend që kishte ndodhur kjo gjë, përderisa ishin të gjitha në burg, me përjashtim të motrës sime. Më duket se kam pyetur se sa kohë ka që hetohet dhe më është thënë se hetimi vazhdon prej shumë kohësh. Mora vesh se motra ime ka qenë në hetim për një kohë të gjatë dhe mua s’më ka treguar asgjë.
-Ju nuk e dinit se motra juaj hetohej? Si u ndjetë dhe si reaguat kur e morët vesh?
Kadare: Vetvetiu pata një ndjesi të keqe për këtë lloj papërgjegjshmërie të një anëtari të familjes, që merr nëpër gojë Enver Hoxhën për gjëra të rrezikshme, duke qenë motra ime. Ka qenë prej saj një mungesë përgjegjshmërie e plotë. Ndaj, me gjakftohtësi, nuk kundërshtova, as nuk thashë asgjë tjetër. Siç e kam shkruar në letër, u thashë “trembeni”. Vete unë i kërkova të mos vinte më në shtëpinë time, meqë ajo hetohej prej kohësh dhe as, së paku, nuk më lajmëroi që të kisha kujdes.
-Është thënë se e keni dëbuar motrën. Si është e vërteta?
Kadare: Është spekuluar në këtë pikë, pasi unë nuk e kam dëbuar nga shtëpia. Nuk kisha si ta dëboja, kur nuk jetonte me mua, kishte shtëpinë e vet e ajo vinte te unë siç shkon motra te vëllai.
-Për çfarë hetohej motra juaj, çfarë kishte thënë?
Kadare: E pyeta motrën çfarë kishte ndodhur. Mezi më tregoi diçka. Unë u konsultova me një mikun tim. Më tha se ishte shumë e rrezikshme të flitej për Hoxhën, varej çfarë flitej. Motra nuk më tregoi detaje. I thashë: “Pse s’më ke treguar se shoqet e tua janë në burg? Pse s’më ke thënë, që je thirrur në hetuesi?” E pyeta se çfarë kishte thënë për Enver Hoxhën, por nuk më tregonte. Nuk e di mirë as tani.
-Ishte për ju një problem me sistemin dhe një problem brenda familjes. Çfarë thuhej për E. Hoxhën e për çfarë kishit frikë?
Kadare: Shikoni, kur thuhej për Enver Hoxhën diçka tepër e rrezikshme dhe delikate kishte disa probleme. Ishin gjëra që edhe vetë ata kishin frikë t’i trajtonin me njëri-tjetrin, sepse u ikte koka. E kjo ka ndodhur disa herë. Këtu ishte djallëzia: për Enver Hoxhën thuheshin lloj-lloje thashethemesh dhe më të rrezikshmet ishin ato që kishin lidhje me figurën morale të tij. Shumë njerëz janë pushkatuar, nuk u gjendet varri dhe nuk u gjenden kockat, për arsye që nuk e di njeri e nuk e thotë njeri.
E dinte vetëm ai, kur e nuhaste, kur e merrte vesh se po flisnin për “atë” gjë ose për “këtë” gjë. Këtu është një nga sekretet më të ndyra të diktaturës shqiptare.
-Për thashetheme të jetës intime të shefave?
Kadare: Po, për jetën intime, gjë për të cilën unë, duke e ditur se sa e rrezikshme ishte dhe sa pasoja kishte, nuk e flisja as me shokët e ngushtë. Papritur del motra ime e përzier në një bisedë të tillë. Jam i sigurt që e kanë bërë qëllimshëm, e kanë futur qëllimisht për ta përdorur kundër meje.
-Ju keni thënë se “shteti kishte gati arkivolin për mua”, pra edhe kjo, përfshirja e motrës suaj në një bisedë për çështje intime të diktatorit mund të përdorej kundra jush?
Kadare: Sigurisht. Sepse motra ime ishte një njeri i thjeshtë. Gjithë komplikimi i saj vinte nga unë dhe ajo desh më mori më qafë, derisa lejonte të përfshihej në këto biseda e, më tej as të mos më lajmëronte, kur e pësuan shoqet e saj. Të merrja një masë, të mbrohesha e të sqarohesha.
-Kush e dinte ekzistencën e kësaj letre? Pse doli pikërisht tani?
Kadare: Enigmë është kush e nxori. E dija vetëm unë, që e kam shkruar. Kush e nxori tani, kush e manovroi tani? Të shkon mendja se ka dalë direkt nga kasaforta e E. Hoxhës, e Nexhmije Hoxhës ose e atij që e ka marrë këtë kasafortë si testament.
-Pse e shkruat letrën?
Kadare: Sepse ishte më mirë të bëhej, sesa të mos bëhej. Ishte më mirë të thosha se e di këtë gjë, sepse m’u tha, në fund të fundit. Nuk thuhet që kjo është shpifje. E kam marrë të mirëqenë, që shteti shqiptar ka në dorë të thëna të dënueshme të motrës sime. Nuk e kam fshehur një zemërim timin me motrën në atë letër.
-Një pjesë e publikut kupton kushtet, në të cilat u shkrua letra, një pjesë tjetër mund të mendojë se ju e hodhët në flakë motrën tuaj për të shpëtuar veten. Kjo letër mbronte motrën tuaj apo ju dhe atë?
Kadare: Unë, jo vetëm e mbrojta më këtë letër, por është e vetmja mbrojtje e saj. Në atë që unë them se ka qenë e ç’ekuilibruar psiqikisht, ishte e vetmja mbrojtje që unë mund t’i bëja. Motra ime nuk u fut në burg as dy vjet, as pesë vjet për shkak të kësaj, sepse mbrojtja e parë në çdo sistem gjyqësor në botë, sisteme diktatoriale apo jo, është të thuash se personi nuk është në rregull mendërisht, se është i paaftë mendërisht dhe për këto arsye, pra, nuk është i përgjegjshëm për ato që thotë. Kjo është mbrojtja e çdo krimineli apo vrasësi dhe për mua kjo ishte e vetmja mënyrë për ta mbrojtur atë dhe jo vetëm atë.
-Ju prej vitesh keni kërkuar hapjen e dosjeve. Për ironi, ende pa u hapur, del një letër, që duket sikur hedh baltë mbi ju?
Kadare: Jo baltë, por më keq se baltë. Është tentuar të më dëmtojnë në atë kohë, por shih, edhe tani prapë. Nuk e duan të vërtetën, nuk e do askush. Krimi i madh nuk e do të vërtetën kurrë. Unë, të mos di letrën e vetme që i kam bërë Enver Hoxhës, të mos di ku është e si del, kush e ka në dorë? Nuk më ka treguar askush deri më sot, nuk dija ku ishte. Ishte hera e parë që e kam parë, sepse ka rreth 40 vjet që është shkruar, madje nuk e mbaja mend mirë.
-Ju flisni në letër se atëkohë ju kanë penguar të merrni pjesë në takimet për skenarin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ju kanë penguar të dilni jashtë me delegacione. Pra, ishit në presion?
Kadare: Po, sigurisht që isha nën presion. Pas kësaj, ka dhe një dokument tjetër më të llahtarshëm. Është procesverbali i Llambi Ziçishtit. Ministri i Shëndetësisë nën torturë ka dhënë një procesverbal që thotë, se ‘në grupin tonë patëm sukses, e futëm Kadarenë’. Ministri ka vdekur i copëtuar nga tortura, as trupi nuk i gjendet më, i kanë marrë ç’kanë dashur në torturë, aty ai ka thënë që ishte agjent, ai e Mehmet Shehu, unë e të tjerë plot.
A ka ku të vejë më një akuzë për një shkrimtar të njohur, sesa të akuzohet si pjesëtar i një komploti kundër shtetit? Si shpëtoi nga kjo akuzë Kadare, si u vërtetua e kundërta? A u vërtetua ndonjëherë apo është varrosur, bashkë me kockat e Llambi Ziçishtit? Është kaq dëshpëruese ajo që del nga ky fenomen, kjo mungesë serioziteti me dosjet e fshehta, në ato dosjet më të rrezikshme, që kanë të bëjnë direkt me diktatorin.
-Studiuesi Peter Morgan ju ka cilësuar mjeshtër shahu përballë Hoxhës, megjithatë, si mundët të shpëtonit nga këto dyshime e komplote, që ngriheshin dhe ju përfshinin?
Kadare: Ishin kaq grykëse disa herë, saqë shpesh rrëzonin veten. Këto dosje ishin një propozim që i bëhej udhëheqjes, “nëse doni ta hiqni qafe, ja ku e keni”.
-Kush ju mbronte ju dhe pse?
Kadare: Kjo është pyetje serioze. A ka një mbrojtje këtu? Ka një mbrojtje. Thashethemi është se e mbronte Enver Hoxha. Edhe unë po ju them po, ashtu është. Vetëm ai kishte fuqi të të mbronte nga akuza të tilla.
-Keni thënë se Enver Hoxha ju mbronte nga vetvetja?
Kadare: Ai më mbronte nga njerëzit e vet, nga sistemi i vet, nga vetja e vet. Kjo ndodh shpesh me shkrimtarët e njohur. Raportet e tyre me rendet tiranike janë zakonisht të rënda e të ndërlikuara, kështu shpjegohet, ndoshta edhe arsyeja që takimet e tyre me diktatoret janë aq të rralla. Janë shkrimtarët, ndoshta, që i shmangnin, por tiranët bënin të njëjtën gjë. Këmbimet e letrave ose bisedat telefonike janë gjithashtu të rralla. Interpretimet e tyre të vështira dhe shpjegimet kundërthënëse për to vazhdojnë shpesh me vite, si e famshmja bisedë telefonike Stalin-Pasternak. Kur i tregova një mikut tim shqetësimin që do t’i drejtoja një letër Enver Hoxhës, ai u habit që kjo ndodhte për herë të parë. Iu duk jonormale një gjë e tillë, në kuptimin jo të mirë të fjalës.
-A mund të ma shpjegoni këtë shije jo të mirë, sipas mikut tuaj?
Kadare: Ishte e natyrshme. Në botën komuniste reklamoheshin shpesh letërkëmbimet ose dialogët midis shkrimtareve të njohur dhe shefave të vendit. Kjo bëhej gjithmonë përmes një ngjyrimi festiv. E kundërta, heshtja do të linte përshtypjen e keqe të ftohtësisë. Aq më tepër, një letër e zymtë si kjo.
Në Shqipëri ishte e vështirë të besohej se unë e kam takuar dhe biseduar vetëm një herë me Enver Hoxhën dhe se i kam shkruar vetëm këtë letër aspak festive.
-Të kthehemi te letra. Pse ju drejtuat vetë diktatorit dhe jo dikujt tjetër?
Kadare: Mendova se ishte më mirë t’ia vija në dukje sunduesit ç’kishte ndodhur, pa e marrë në mbrojtje motrën dhe absolutisht i ndërgjegjshëm, jo vetëm për ta shpëtuar atë, por me atë letër gjithë afera binte, i ulej rëndësia. E gjitha shfryhej, quhej një budallallëk, siç në të vërtetë edhe ishte, sepse të flasësh dhe t’i japësh rëndësi këtij thashethemi për jetën personale të shefit, do të thotë të krijosh një rrezik të kotë. Nuk ishte kjo fatkeqësia e Shqipërisë dhe s’kishte të bënte me hallet e saj.
-Jeni penduar që e keni bërë letrën?
Kadare: Nuk jam penduar fare. Unë nuk isha përzier kurrë në atë thashethem, pra, nuk kisha marrë pjesë, nuk e dija dhe nuk fshihja asgjë. Unë dija aq sa di sot. Kuptoj se ka njerëz që janë marrë me këtë dosje të fshehtë, të llahtarshme.
-E keni shkruar vetëm, keni pyetur njeri? Në çfarë situate e keni shkruar?
Kadare: Vetëm krejtësisht. Kam biseduar me Helenën, me siguri, sepse nuk lija asgjë pa biseduar me të. Madje, as nuk e kam korrigjuar. Nuk kam bërë dy a tri kopje, sepse nuk duhej. Nuk kisha as ku ta shtypja dhe e dërgova të shkruar me dorë.
-Keni marrë përgjigje për këtë letër nga Enver Hoxha?
Kadare: Jo, nuk më ka kthyer përgjigje.
-Dosjet priten të hapen nga Autoriteti i ri i krijuar. Megjithatë, prej dosjes suaj del një letër e panjohur më parë. Pse tani?
Kadare: Me sa duket, në Shqipëri ende ka njerëz që mendojnë se mund ta mbrojnë ende diktaturën. Kur hapen dosjet e fshehta të një tiranie, hapen dosjet e fshehta kundër saj. Me sa duket, njerëzit që kanë qenë të përzier në këto krime duan të bëjnë të kundërtën.
-A e menduat atë kohë që do t’ju nxirrte problem letra në të ardhmen?
Kadare: Jo, nuk e kam menduar fare. Unë kam bërë një letër krejtësisht të çiltër. Ju do të thoni, a mund të jesh i çiltër me një diktator? Po, mundet deri diku. Unë nuk i them atij “sa mirë e ke bërë, që e ke llahtarisur motrën time deri në atë shkallë”, nuk them asgjë të tillë. T’i them p.sh. sa mirë që e përforcon luftën e klasave, me demek, sa bukur që po sundon e të tjera si këto. As kam kërkuar, e as nuk kam hedhur poshtë asgjë.
Me sa dukej, shokut tim, me të cilin bisedova punën e letrës, i ishte dukur se kishte qenë një pakujdesi, për të mos thënë një gabim nga ana ime, që s’kisha gjetur ndonjë rast t’i shkruaja ndonjë përshëndetje, një urim apo diçka të ngjashme. S’do të më vinte çudi, që të më thoshte me ironi: shyqyr që paske gjetur më në fund një shkak për t’i shkruar.
-Këto ditë shtypi vazhdon të shkruajë për historinë e letrës suaj. Mendimi i përgjithshëm është se ju, ndoshta bezdiseni nga zhurma të tilla. Si është e vërteta?
Kadare: Bezdisje apo jo, e vërteta qëndron midis të dyjave. Bashkë me dilemën e përhershme: a është mirë që të ketë gjithmonë një sqarim të gjërave? Sqarimi qëllon që e zmadhon zhurmën dhe shumë njerëz parapëlqejnë heshtjen. Nga ana tjetër, një personazh ka një lloj përgjegjësie përpara publikut, në fund të fundit, në gjuhën shqipe fjala përgjegjësi, ashtu si në gjuhët kryesore të Europës, vjen nga fjala “përgjigje”. Pra, përgjigjja gjithashtu është e nevojshme. Shpresoj që biseda me ju të ketë hyrë në punë, veç të tjerash, për një gjë të tillë.
Letra e plotë e Ismail Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës në 2 prill 1980
Shoku Enver,
Ju kërkoj shumë falje që po ju shkruaj këtë letër, me të cilën nuk do të doja t’ju shqetësoja kurrsesi, në qoftë se nuk do të më detyronin rrethanat dhe një komplikim i krijuar kohët e fundit në jetën time.
Ashtu si shokë të tjerë shkrimtarë, kam vite që punoj në frontin e letërsisë, duke u përpjekur me të gjitha forcat të jap sa më shumë vepra që t’i shërbejnë partisë dhe popullit. Në punën time kam mundur të realizoj vepra që janë pritur mirë e i kanë shërbyer kohës, ashtu siç kam shkruar ndonjëherë edhe ndonjë krijim botimi i të cilit do të ishte një gjë shumë e keqe për mua e do t’i krijonte telashe partisë. Unë jam i ndërgjegjshëm për të gjitha këto, ashtu siç jam i ndërgjegjshëm për mirënjohjen time ndaj popullit e Partisë, sepse e kuptoj thellë se janë ata që më bënë shkrimtar e se është jeta e popullit dhe e Partisë që kanë qenë dhe janë burimi e materia e vetme për veprat e mia.
Ashtu si çdo krijues, unë kam pasur në punën time dhe jetën time gëzimet që jep puna krijuese, por kam pasur gjithashtu edhe preokupimet e telashet që sjell ajo. Disa herë e për disa vepra këto telashe kanë qenë të rënda, por unë kam bërë përpjekje me veten time për t’i kapërcyer ato, duke pasur besim gjithmonë se koha do t’i sqarojë gjërat e do t’i zhdukë keqkuptimet. Duke njohur mungesat e veprës sime, duke u përpjekur me të gjitha mundësitë t’i ndreq e t’i ribotoj librat, jam përpjekur të përfitoj nga kritikat e drejta e dashamirëse. Por nga ana tjetër nuk do të isha i sinqertë po të mos thosha se krahas kritikave konstruktive kam pranuar ndonjëherë edhe të kundërtën e tyre, një këmbëngulje të ashpër ndaj disa veprave. Njerëz të ndryshëm janë përpjekur të tregojnë se këto vepra janë të dëmshme dhe kur koha ka treguar të kundërtën ata kanë vazhduar në këmbënguljen e tyre, duke kaluar nga akuzat kundër veprës në akuza kundër autorit, në mënyrë që në rrugë të ndryshme të arrinin të njëjtin rezultat. Kjo lidhje dyshimesh mbi autorin, përpjekjet për të bërë një ndarje midis veprës dhe shkrimtarit, dezinformimet e ndryshme, ndonjë prej të cilave e kam mësuar rastësisht, më kanë shkaktuar disa herë dëshpërim në shpirt. Shpeshherë kam bërë pyetjen: Kujt i shërben ky pasion për destruksion të veprave letrare, për hedhje baltë kundër tyre apo krijuesve të tyre? Në fund të fundit, këto dëshmi artistike janë dëshmi e kohës dhe këta dëshmitarë në emër të ç’kohe e ç’të ardhmeje kritikojnë t’i prishin ato, apo të vëmë pikëpyetje të gjithfarëllojshme përpara tyre apo në emër të tyre.
Ju lutem të më falni, shoku Enver që u zgjata për këtë gjë. Jam kritikuar disa herë me të drejtë, kam treguar se kam reflektuar mbi kritikat me ripunimin që u kam bërë librave të botuar, por më janë bërë disa herë edhe kritika të rënda dhe të padrejta. Nuk besoj se ndonjë shkrimtar tjetër në Shqipëri është krahasuar me renegatin Gjillas apo tradhtarin Solzhenicin, siç jam krahasuar unë, dhe kjo jo në ndonjë bisedë të çfarëdoshme por në një mbledhje partie. Natyrisht, unë s’e kam pranuar një kritikë të tillë, por as kam bërë ndonjë zhurmë për t’i vënë gjërat në vend. Kam pasur përherë bindje dhe besim se koha korrigjon vetvetiu teprimet, se partia është e rreptë por e drejtë, se ajo s’mund të jetë kurrë e dashur me qëndrime të tilla dhe nuk kam qenë zhgënjyer aspak, sepse Partia ashtu si më ka kritikuar me rreptësi, me një dashuri po aq të madhe më ka dhënë prapë dorën. Kjo më ka bërë që t’i jap të drejtë vetes që nuk kam bërë alarme të panevojshme dhe të parakohshme.
Përpara se të shkruaj këtë letër shoku Enver, u mendova gjatë nëse duhet apo jo t’ju shkruaj. Duke u përpjekur të vë në një raport të drejtë hallet personale të një njeriu me problemet e mëdha të vendit, ideja se mos po Ju drejtohem për diçka që nuk e përligj vetveten, më ka munduar mjaft. Dhe vetëm bindja se halli për të cilin po ju shkruaj nuk është një hall i parakohshëm dhe se bën një komplikim serioz në jetën time, më shtyu që ta bëj hapin.
Ka një vit që disa ngjarje të njëpasnjëshme e kanë shtrembëruar këtë komplikim. Ai nuk është i shkëputur nga ato që parashkrova në fillim të kësaj letre. Vitin e kaluar më thirrën në Komitetin e Partisë së Tiranës për të më njoftuar se motra ime flet keq politikisht dhe se është thirrur edhe në hetuesi për këtë gjë. Unë mbajta qëndrim menjëherë kundër saj, duke i thënë sekretarit të Partisë, shokut Xh. Gjoni se mirë do të bënin që ta trembnin, ashtu siç do të bëj dhe unë me të. E thashë këtë me bindje, se më revoltoi sjellja e saj dhe nga ana tjetër e njihja motrën time. Fatkeqe në jetë nga pamartesia, maniake depresive dhe me nerva të çekuilibruara, prej saj mund të prisja çdo gjë. Fakti që siç më tregoi sekretari i Partisë, midis atyre që shaheshin isha dhe unë, vëllai i saj, bashkë me librat e mi, tregon esencën e saj. Megjithatë, edhe pse e tillë, unë mbajta qëndrim jashtëzakonisht të ashpër me të. Njoftova gjithë fisin për ngjarjen dhe u ndalova qysh prej asaj dite të shkelte në shtëpinë time. Isha i bindur se asnjë lidhje nuk do të kishte kjo ngjarje me jetën time.
Para ca kohe, kur bëra një kërkesë për një shërbim jashtë shtetit për një mbledhje materialesh për një libër që po shkruaj, kërkesë e cila m’u refuzua, përsëri nuk bëra ndonjë lidhje me ngjarjen e mësipërme, sepse edhe më parë më ka qëlluar mosaprovimi i ndonjë rruge apo heqja nga ndonjë delegacion. Ajo që më tronditi me të vërtetë ishte ngjarja e fundit që ndodhi me kineastët e huaj që po bëhen gati të xhirojnë filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Do të më falni që ta shpjegoj dhe këtë.
Kineastët francezë në muajin shkurt sollën me vete skenarin e filmit të shkruar prej tyre, për ta diskutuar me autorin, në bazë të marrëveshjes. Ky diskutim nuk ishte në favorin tonë sepse na jepte të gjitha mundësitë që të influenconim që filmi të bëhej sa më i favorshëm për luftën e popullit tonë dhe për vendin tonë sot. Për mua janë të paharruara sugjerimet për këtë film, që rasti i mirë e solli t’i dëgjoja drejtpërdrejt prej Jush tetë vjet më parë dhe të cilat kanë shërbyer si kriter bazë për punën tone me kineastët e huaj.
Skenari i paraqitur prej tyre, krahas meritave të padiskutueshme, kishte edhe mungesa të ndjeshme, të cilat ne do të përpiqeshim t’i plotësonim. Për të pasur mundësi që skenari të studiohej me kujdes nga autori së bashku me një grup pune, u kërkua prej të huajve shtyrja e diskutimit për disa javë. Ata e pranuan këtë gjë dhe u larguan në pritje të diskutimit të ardhshëm. Gjatë kësaj kohe skenari u studiua, u bënë gati vërejtjet dhe sugjerimet, disa herë në variante të ndryshme të cilat do t’u shpjegoheshin kineastëve prej autorit një për një, me skenarin dhe romanin përpara për ta bërë sa më të kuptueshëm e pranueshëm. Ishte fjala sidomos për xhirimet që lidheshin për paraqitjen sa më të mirë të luftës nacionalçlirimtare dhe të pozitës së Shqipërisë së sotme në botë, dy nga motivet më të rëndësishme e delikate të këtij filmi, i cili mund të ishte mjaft aktual për situatat e tanishme.
Kur gjithçka u bë gati, për habinë time të plotë u vendos që diskutimi të mos bëhej gojarisht, por vërejtjet dhe sugjerimet të dërgoheshin me një letër. Duke qenë se marrja vesh me korrespondencë për një gjë kaq delikate, e sidomos kur ishte fjala për krijues që përfaqësojnë dy arte të ndryshme, është pothuajse e pamundur, nuk mund ta shpjegoja ndryshe heqjen dorë nga diskutimi që ishte një gjë aq e favorshme për ne, veçse si diçka që kishte lidhje me vetë autorin. Meqenëse kineastët francezë porsa kishin ardhur për punën e të shkruarit në Shqipëri, dhe tani duhej të shkonte autori, ai që shtyu afatin, atje, për fillimin e punës, ishte e qartë se praktikisht hiqej dorë nga mundësitë që na jepeshin për përmirësimin e skenarit, zëvendësohej diskutimi i gjallë me një dërgim formal vërejtjesh, me një fjalë, pas tetë vjetësh përpjekjesh, në momentin deçiziv abandonohej skenari, vetëm e vetëm se nuk ishte e detyrueshme që autori ta çonte këtë shërbim jashtë shtetit. Me këtë gjendje të disfavorshme krejtësisht ka mbetur puna e filmit.
Nuk e fsheh se kjo gjë më shkaktoi një tronditje të thellë. Nuk e mendoja kurrë se do të vinte një ditë që unë mund të hyja në numrin e atyre njerëzve për të cilët mungon besimi për t’i çuar jashtë. Besimi që unë e ndjeja se Partia kishte treguar ndaj meje në momentet e mia më të vështira, ka qenë një nga gëzimet më të mëdha të jetës sime. Disa herë njerëz të ndryshëm në mënyra të tërthorta kanë bërë të nënkuptoj se ishte një iluzion ky besim që unë kujtoj se kihej ndaj meje, se e vërteta qe ndryshe dhe se ishin të tërë ata që gëzonin këtë besim. Unë për asnjë çast nuk e kam pranuar një gjë të tillë, dhe ishte hera e parë këto ditë që u dëshpërova se ndoshta diçka kishte ndryshuar, se këmbëngulja e destruktorëve në lidhje me motrën time dhe dezinformimet e ndryshme, diçka kishin arritur më në fund. Ajo që për mua ishte një nga gjërat më të shtrenjta, që më jepte krahë të punoja e të kapërceja vështirësitë, që më jepte të drejtën brenda vetes, ndërgjegjes sime që ta ndjej veten shkrimtar të natyrshëm të socializmit dhe jo këngëtar të jashtëm të tij, lusite nujur, me sa duhej të prekej. Desha dhe dëshiroj akoma të mos i besoj kësaj, por fakti ishte tepër i pashpjegueshëm.
U përpoqa shoku Enver, të tregoj në një mënyrë të drejtpërdrejtë, atë që ndoshta mund të duket e thjeshtë, por që ka shkaktuar një nga trazimet e mia më të mëdha. Ju lutem edhe njëherë të më falni për këtë letër që është tepër e gjatë për kohën tuaj të çmuar. Si komunist dhe si shkrimtar Ju drejtohem Juve sekretarit të Parë të Partisë dhe udhëheqësit të vendit me mirënjohjen e madhe për atë çka keni bërë për vendin dhe për mua personalisht në momente të rëndësishme të jetës dhe krijimtarisë sime, për të gjetur dhe njëherë ndihmën tuaj aq të nevojshme.
Jeta dhe vepra ime kanë qenë e do të jenë të lidhura pazgjidhshmërisht me kohën tonë, me popullin e Partinë, ky angazhim e kjo lidhje do të jenë përherë të plota e pa rezerva. Arsyeja që Ju shkrova këtë letër nuk është vetëm zgjidhja e problemit të filmit që do ta dëshiroja si autor e në radhë të parë si qytetar, por mundësia për të fituar klimën e mirë të penës, mundësinë për angazhimin tim të plotë krejt jetës sime e forcave të mia me punën letrare.
Jam duke punuar me intensitet për pjesën e tretë të një trilogjie (mesi i së cilës është “Dimri i madh”) për rrugën epike 35-vjeçare të Partisë sonë, dhe dëshiroj të jap të gjitha energjitë dhe mundësitë e mia për kryerjen me sukses të kësaj vepre, me punën krijuese në përgjithësi, qëllimi i vetëm i pandryshueshëm i jetës sime.
Duke ju kërkuar dhe njëherë falje për shqetësimin
Me respekt të thellë
Ismail Kadare, Tiranë, 2 prill 1980/gsh.al/