Albspirit

Media/News/Publishing

Kush punoi kundër Bashës?

Dje Lulzim Basha ka mbledhur grupin parlamentar të PD-së, ku mësohet se përtej vendimit për të vazhduar betejën kundër Saimir Tahirit ka pasur edhe debate midis deputetëve dhe kryetarit Basha.

Jo nga ato debatet që janë në funksion të ringritjes së PD-së, por debate ku një pjesë e deputetëve kërkojnë përjashtimin nga analiza të atyre që akuzohen se kanë punuar kundër, persona që kanë dalë hapur kundër Bashës apo ata që quhen me axhendë të veçantë dhe ndenjën në heshtje gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 qershorit.

Këto kanë qënë qëndrimet e disa deputetëve në lidhje me analizën që duhet të zhvillohet dhe me të deleguarit e Lulzim Bashës, në qarqe në të cilat duhet të zhvillohet analiza.

Por kush janë ata që kanë punuar kundër dhe kanë telefonuar njerëzit që të mos votojnë, siç është shprehur Flamur Noka.

A është ky Arben Ibro, i deleguari në qarkun e Kukësit, ku Flamuri ka bërë lëmsh degën dhe në rast se nuk do ta kishte shoqëruar listën Isuf Çela, në kukës PD do kishte pësuar një humbje të turpshme?

A mos janë Abi Malltezi, Gert Bogdani, Ivi Kaso, Helidon Bushati etj ata që kanë punuar kundër, që shqetësojnë Albana Vokshin apo Halim Kosovën. Në Tiranë rezultati ishte katastrofik dhe askush nuk i punoi kundër, por njerëzit nuk shkuan të votonin sepse ndiheshin të braktisur.

A punoi kundër Gazmend Bardhi, Kreshnik Çollaku, Enno Bozdo, Jemin Gjana, Fatbardh Kadili apo Florian Xhuti?

Këta janë të deleguarit e Bashës në qarqe, këta e drejtojën analizën dhe kanë në krah deputetët dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar. Në fakt shumica e tyre nuk ishin pjesë e listës së Bashës, megjithëse për 4 vite ishin sekretar dhe drejtues të PD dhe kanë përgjgjegjësi për humbjen edhe ata aq sa ju takon.

Kush punoi kundër Lulzim Bashës, ata që po shkojnë në mbledhjet e grup seksioneve dhe seksioneve dhe po  japin mendimin e tyre, ata që po shkojnë e thonë të vërtetën në pseudoanalizën që po bëjnë të deleguarit e Lulit? A mund të kenë punuar kundër dhe  ata 20 apo 30 vetë të cilët shkojnë dhe kritikojnë Lulzim Bashën?

Ndoshta po, por PD-ja sot me kundërshtitë apo heshtjet e tyre ka të paktën 230 mijë vota më pak dhe këtë duhet ta kuptojë Albana Vokshi, 8 vite e komanduar në krye të LDG-së, e cila me ndihmën e Bashës ka çuar në kushtet e inekzistencës Forumin e Gruas.

Këtë duhet ta kuptojë edhe Flamur Noka i cili degën e PD-së në Kukës kujton se e ka barakën e vet apo dhe doktor Halimi, i cili lart e poshtë thotë se do të dorëzojë mandatin, ndërsa në mbledhje i digjet barku se kush ka folur kundër.

PD ka regjistruar 230 mijë vota më pak në 2017 jo sepse ka telefonuar apo punuar kundër dikush siç pretendojnë disa deputetë humbës të PD-së.

Ka 230 mijë vota më pak sepse kishte në lista të tillë deputetë apo kandidatë, sepse fushatën e udhëhiqte një kryetar që nuk inspironte, një kryetar që gënjen, një kryetar i pabesueshëm te demokratët, njeriu i cili qante Ilir Metën ti shkonte nga pas, shkoi firmosi me Edi Ramën, filloi të shante prap Ilir Metën dhe mbronte Edi Ramën dhe tani sërish shan Ramën dhe mbron Metën. Këto në disa javë.

Një kryetar që nuk di se çfarë bën, që u akuzua se shiti mandatet e deputetëve, që u akuzua dhe akuzohet se keqpërdoret dhe është peng tek familja e tij dhe jo tek demokratët, funksionon si administrator biznesi dhe jo kryetar partie.

Ai që punoi kundër PD-së është Lulzim Basha dhe janë shumë nga ata që i servilosen nga pas dhe nuk kanë kurajën ti thonë të vërtetën në sy.

Ata që punuan kundër PD-së janë njerëzit që Lulzim Basha mbajti nga pas për 4 vite duke mbajtur detyra dhe më pas i hodhi si qenër në koshët e plehrave, ndërsa tani i ka çuar të kryejnë analiza.

Ata që punuan kundër PD-së janë në krah të Lulzim Bashës sot, janë mbështetësit e tij kryesorë. Ata po punojnë edhe sot kundër PD-së, ditë e natë pa pushim, me një pseudoanalizë dhe një farse që po e dëmton edhe më tej shtëpinë e demokratëve që po kthehet nga një forcë politike e vlerave në një sekt ku karrierë bën ai që i lëpihet më shumë kryetarit me një qëllim të vetëm.

Le të shkatërrohet PD-ja dhe të pakësohen numrat, rëndësi ka të jetë Luli në krye dhe ca servilë me mandate deputetësh. Këta janë ata që punojnë kundër PD-së dhe jo demokratët që shkojnë në analiza dhe thonë të vërtetën që shqetëson doktor Halimin, Mulin apo Albanën, përtej faktit që gjithçka është një show i porositur nga Luli./CityNews/yNews

Please follow and like us: