Greqia, jehonë shtetësisë shqiptare të Janullatos
Dhënia e nënshtetësisë shqiptare nga Presidenti Ilir Meta, fortlumturisë së tij Anastas Janullatos, është pritur me reagime të shumta në Greqi.
Reagimi i parë ka ardhur nga vetë ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, i cili me një postim në Twitter ka përshëndetur vendimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ky akt shkruan kreu i diplomacisë greke- është një hap i njohjes së kontributit të tij të thellë humanitar dhe i perforcimit të besimit midis popujve tanë.
Pas këtij reagimi nuk ka mbetur televizion apo media e shkruar që të mos ketë transmetuar lajmin në fjalë, madje duke publikuar edhe dekretin e presidentit Ilir Meta të përkthyer në greqisht. Në fillim ka qenë kanali i tretë publik i Greqisë ERT3 që me një reportazh të detajuar ka bërë me dije lajmin në fjalë.
Më pas agjencia greke shtetërore e lajmeve i ka kushtuar kësaj ngjarjeje një artikull në faqen e parë të saj. Kanë pasuar televizioni privat SKAI, gazetat më të mëdha të vendit si Kathimerini, To Vima , Documento, Protothema dhe qindra portale greke Kryepeshkopi Anastas gëzon edhe në Greqi respekt dhe mirënjohje të jashtëzakonshme nga shumica e qytetarëve të cilët e konsiderojnë si një nga klerikët më të shquar që kanë kontribuar me veprën e tyre për përhapjen e frymës së ortodoksisë, tolerancës dhe humanizmit.