Albspirit

Media/News/Publishing

Dosja “Bushati” për Greqinë, kryefjalë: Ligji i luftës, pronat dhe çështja çame

Dosja “Bushati” për Greqinë, kryefjalë: Ligji i luftës, pronat dhe çështja çame

Orët e fundit përpara vizitës së ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në Tiranë, duket se janë shumë intensive në të dyja kampet, ku ende vijojnë punimet për të arritur rezultate konkrete me këtë vizitë.

Pretendimeve të homologut të tij grek, apo asaj që në mediet e shtetit fqinj u quajt si “Dosja Kotzias”, të cilën ky i fundit do ta paraqesë në Tiranë, Top Channel ka mësuar se ministri Ditmir Bushati do t’i përgjigjet me një dosje të tijën.

Mësohet se dosja e Kotzias, kryefjalë ka dy çështje: atë të kufirit detar dhe atë të të rënëve grekë në Shqipëri. Kryediplomati grek do të mbërrijë në Tiranë për të gjetur zgjidhje për këto çështje, të cilat konsiderohen si shumë të rëndësishme për ta.

Por “Dosja Bushati” ka si kryefjalë mbylljen e kapitullit të Luftës së Dytë Botërore, ku përfshihet edhe ligji grek i Luftës, i cili për palën shqiptare është absurd; sekuestro konservative për pronat e shtetit dhe shtetasve shqiptarë në Greqi, si dhe çështja çame.

Në dosjen që Bushati do t’i paraqesë Kotziasit theksohet se, për palën shqiptare, heqja e ligjit të luftës është baza nga duhet të fillojë futja në normalitet e kësaj marrëdhënieje, gjë që më pas do t’u japë mundësi dy vendeve për të vijuar me kapitullin e dytë, që janë çështjet e aktualitetit, ku përfshihen komisionet dypalëshe, minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti shqiptar në Greqi, si dhe çështjet e së ardhmes, ku përshihen delimitimi i “shelfit” kontinental dhe Zona Ekonomike Ekskluzive.

Por, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme në një numër të madh çështjesh, ajo që bie në sy është se, për herë të parë, dy ministrat do të jenë përballë një grupi studentësh, për të shpjeguar marrëdhëniet deri diku të ndërlikuara mes dy vendeve.

Please follow and like us: