Albspirit

Media/News/Publishing

Sokol Paja: Pse shteti shqiptar sot është shtet stalinist?

Reagimi i forcave të rendit, ministrisë së linjës dhe organit të akuzës ndaj protestuesve të Kalimashit është një formë e pastër e terrorit stalinist. Trajtimi çnjerëzor i të arrestuarve, thyerja e banesës së qytetarëve pas mesnate, tërheqja e personave zvarrë, grabitja në mesnatë e qyetarëve nga banesat e tyre si në kushte lufte, brutaliteti i shoqërimeve në polici, ngjallja e panikut e frikës në familjet kuksiane, duke përdorur metoda të dhunës, terrorit, izolimi në biruca, lënia e protestuesve pa ushqim dhe tesha, mbajtja në kundërshtim me ligjin nën arrest të personave të sëmurë dhe të moshuar, përhapja e frikës e panikut e tmerrit dhe terrorit nuk janë asgjë tjetër, veçse forma më e shëmtuar staliniste e shtetit. Inspektimi i Avokatit të Popullit në lidhje me shoqërimet e të ndaluarve, zbuloi një llahtari shkeljesh ligjore, çka dëshmon se kemi të bëjmë me një menaxhim të shëmtuar dhe një reagim stalinist ndaj qytetarëve të varfër.

Një kopjim i metodave komuniste ndaj njerëzve më të varfër dhe më të pamundur të Shqipërisë nëpërmjet dhunës mendore e fizike, nëpërmjet dhunës psikologjike duhet të ndalet mënjëherë.

Nesër do jetë vonë.

E gjithë Shqipëria duhet të ngrihet në këmbë për Kukësin.

Qytetarët sot janë të topitur dhe të tronditur. Institucionet kanë humbur besueshmërinë e publikut. Ekonomia shënon veç regres. Shteti është kapur nga interesa të ngushta të krimit dhe personave lidhur me qeverinë. Në vendin tonë tunden ngado flamuj të një trishtimi dhe zhgënjimi do thoshte Migjeni. Këtu nuk rron askush që ndërton diçka të re, veç një qeveri e shkrehur në makuteri, babëzitje, vjedhje e shkatërrim.

Pse shteti shqiptar sot është shtet stalinist?

Sepse ka mjet të qeverisjes shkatërrimin e qytetarëve të vet, se nuk ulet të diskutojë me qytetarët por u merr shpirtin nëpërmjet taksave, dhunës policore, keqtrajtimit në zyrat e administratës publike, me konkurse fiktive, me shkelje të interesave të qytetarëve për hir të interesave të njerëzve afër pushtetit. Një shtet brutal dhe qytetarë të pamundur. Një pushtet që drejton dhe kontrollon gjithçka. Kuksianët po trajtohen sot si kriminelë lufte, grabitës, shkatërrues, vandalë e plaçkitës të pronës publike të menaxhuar nga privati. Kuksianët kanë dëshmuar në histori se janë qytetarët bujarë dhe fisnikë, ky trajtim ç’njerëzor është i dëmshëm për imazhin e Shqipërisë, kjo gjuhë urrejtjeje na qeveria është akt i pashembullt në histori.

Një qeveri që mohon, denigron, asgjëson nëpërmjet gjuhës së urrjetjes, dhunës e arrogancës qytetarët e saj të varfër. Reagimi dhe propaganda kundër kuksianëve është i dëshmi mbi të gjitha për paqen sociale dhe ekuilibrat e shtetit. Raprezalja staliniste e shtetit ishte një reagim në kundërshtim me ligjin, me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, me interesat e qytetarëve. Ky është një trajtim poshtërues dhe denigrues i qytetarëve. Shteti është kapur nga interesa të ngushta ekonomike, politike dhe mafioze të klanit të oligarkëve PPP me pushtetin.

Shqipëria është sot një shtet stalinist, pasi burgosjet, torturat dhe dhuna janë e vetmja menu e përditshmërisë në këtë regjimin PPP.

Shteti është fajtori kryesor që shqiptarët sot janë të vrarë dhe të shkatërruar fizikisht dhe mendërisht. Qeveria e sotme është më antikombëtarja e 100 viteve të fundit. Si pasojë e vjedhjes e korrupsionit, Shqipëria po bëhet përditë e më shumë një shtet i pajetueshëm. Statistikisht kanë braktisur vendin 5 vitet e fundit rreth 300 qytetarë.

Nuk kam dëm më të madh për një qeveri sesa shpopullimi i vendit.

Qeveria nuk mund të fyejë dhe ofendojë qytetarët e saj, nuk mund të dhunojë me arrogancë e shpërfillje interesat e qytetarëve për të interesat e ngushta të oligarkëve PPP. Aparatit shtetëror shtypës dhe qelizat shtetërore të organeve tatimore, policore, janë kthyer në një makinë të hatashme dhune që punon pambarimisht kundër interesave të qytetarëve shqiptarë.

Please follow and like us: