Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Gjithë diejtë e botës po më shuhen sot në Auchvitz!

Për Eftixia Jakoel Matatia dhe gjithë familjen e saj të zhdukur në Auschvitz
Në « Ditën e Holokaustit »
—————————

Rafael, Rafael, ku je shpirti im,
thuamë ku është pjella ime,
ah, ky tymi i zi i Gjermanisë që s’më lë të të shoh
të shoh sytë e tu dhe buzën tënde të tharë
gjithë diejtë e botës po më shuhen sot në Auschvitz,
kam dalë nëpër kamp të kërkoj pjellën time
por këta tela me gjëmba më kanë bërë gjak
thuam burri im i shtrenjtë ku janë,
I kërkoj ngado dhe nuk e dëgjoj zërin e tyre,
Niso dhe Lina nuk më përgjigjen më,
mos vallë janë duhitë e erës që i largojnë
vallë i ke fshehur nën krahët e tu,
thuamë Rafael, ku është pjella jonë me sy të bukur
që cicëronin si zogjtë dhe rendnin si fluturat
folmë Rafael, më dëgjon,
apo je nisur tashmë dhe ti në atë udhë pa kthim
në atë udhë pluhuri që ngjitet lart
me hijen e mortit të madh
në qiellin e zi të Gjermanisë…
Gjithë diejtë e botës po më shuhen sot në Auschvitz
burri im i jetës dhe i vdekjes,
unë s’kam më lotë të qaj,
veç pak gjak më ka mbetur,
të qaj zinë tënde dhe të pjellës time!

Fotografia e Luan Rama

Please follow and like us: