Albspirit

Media/News/Publishing

Hushi Agim: Triumfi i jetës

 

 

Tregim

– Ç’emër do t’i vëmë? – e pyeti Mirela teksa e shtrëngonte gjithë dashuri në duar, nipin e porsalindur!

Ishte trashëgimtari i djalit të saj të vetëm, Arturit dhe gëzimi që i kish pushtuar si familje ishte i madh.

– Si të doni mama, iu përgjigj Ana me zë të lodhur dhe fytyrë akoma të zbardhur nga lindja e vështirë, por që kishte përfunduar mirë për të dy, për nënën dhe foshnjën.

Turi kishte dëshirë ta quanim Erlis…

-Unë s’e kam problem, si të doni, – i tha Ana me një butësi femërore që i jepte tipareve të saj të bukura një nur ëngjëllor!

– Do ta mendojmë mirë, ia ktheu Mirela dhe në zemër i pikoi kujtimi i të shoqit, që kishte vdekur para dy vitesh, por që ajo e kishte para syve sikur të kishte ndodhur një ditë më parë…I kujtohej ajo ditë vjeshte kur i shoqi, Arbeni ishte kthyer nga puna i lodhur, i zverdhur dhe me një dhimbje therëse në brinjën e poshtme, në anën e djathtë! Të nesërmen ishte diagnostikuar me kancer në pankreas. Kishte qenë një goditje e papritur për të gjithë familjen. Mirela e kishte gdhirë atë natë duke qarë. S’mund ta besonte se njeriu i jetës së saj mund të largohej një ditë nga jeta ashtu, aq padrejtësisht. Nuk besonte se do ta përballonte atë humbje… Por Arbeni i kish dhënë zemër dhe i kishte premtuar se do ta mposhte sëmundjen…

– Unë s’do të vdes, i kishte thënë ai… Kam shumë për të kaluar para se të vdes…Do martojmë Turin, do rrisim fëmijët e tij…

Mirela ishte qetësuar dhe i kishte premtuar Arbenit se s’do qante më dhe se do ta kalonin bashkë këtë betejë me sëmundjen e egër.

Arbeni kishte filluar mjekimin dhe kimoterapinë… Muajt e parë mjekimet kishin dhënë disa rezultate dhe Arbeni ndihej më optimist se kurrë.

Po ashtu dhe Mirela…

Por një ditë Arbenit iu kthyen dhimbjet e spazmave…

Pas analizave të tjera mjekët kishin konstatuar se metastazat ishin përhapur në trup shumë agresive…

Një mjek i vjetër e thirri veçmas Mirelën dhe i tha me pikëllim se duhej të përgatitej për më të keqen…

Arbeni kishte dhe dy tre muaj jetë.

Mirelës megjithëse e dinte egërsinë e sëmundjes i ishte errur bota. Mezi e kishte mbajtur veten nga ky lajm. S’mund ta besonte që njeriu i jetës së saj, dashuria e jetës së saj do të ikte nga kjo botë kaq i ri…ishte vetëm 45 vjeç. S’mund ta besonte se një ditë Arbeni i saj do të shtrihej në tokë dhe do të mbulohej me dhe. Se do të kthehej thjesht në një pllakë të mermertë!

I vërshuan lotët dhe filloi të qante me dënesë!

Sikur ta kishte dëgjuar se çfarë i kishte thënë mjeku, papritmas Arbeni i zverdhur nga dhimbjet dhe i shfytyruar nge efekti i kimoterapisë i ishte shfaqur dhe e kishte marrë në gjoksin e dobësuar nga sëmundja!

– Mos qaj! Të premtoj se s’do ta lë vdekjen të më marrë…Dhe nëse do ndodhë kjo, mos harro se unë jam babai i një djali… gjaku im rrjedh në dejet e tij…Unë do vazhdoj të jetoj edhe në gjakun e nipave e të mbesave të mi. Unë do jem në dashurinë e tyre… do jetoj ne hapat e tyre te para, ne rritjen e tyre, në ditën e parë të shkollës dhe të mbarimit të universitetit të tyre…do jem i lumtur në martesën e tyre…Më beso se do të jem me ju dhe s’dua tju lë kurrë…kjo është jeta! Të premtoj…

Por pas një muaji Arbeni mbylli sytë i pafuqishëm të luftonte më tej me metastazat që e kishin pushtuar në të gjithë trupin….

E varrosën një ditë dimri me shi dhe asaj iu duk se natyra qante nga kjo dhimbje e pamerituar…

E pa për të fundit herë para se ta mbulonin me dhe nga frika se mos ishte akoma gjallë. Ishte e bindur se Arbeni s’donte të vdiste me gjithë dhimbjet e tmerrshme që i shkaktonin metastazat…

Javën e fundit as qetësuesit nuk kishin punuar më…

Teksa shkonte përmes dhimbjeve që i merrnin frymën ai e shikonte si për t’i dhënë kurajo: Mbahu! Unë s’do të vdes…

Por ai shkoi… Mirelës nuk i dhimbte vetëm ikja e tij kaq e parakohshme, por dhe humbja e betejës me sëmundjen që Arbeni kishte dashur ta fitonte.

Arbeni ishte një inxhinier i zoti. Gjithë jetën kishte punuar me projekte që i kishte realizuar të gjitha me sukses…Nuk e kishte pranuar kurrë dështimin…

Befas foshnja zuri të përpelitej në krahët e saj duke nxjerrë një zë si të qarë…

– Jepi të pijë, i tha Anës dhe ia vuri foshnjën tek gjoksi…

Ana e mori me kujdes dhe i biri u qetësua menjëherë sa ndjeu erën e gjirit të së ëmës…

“Unë do jetoj në rritjen e nipave të mi” iu kujtuan përsëri fjalet e Arbenit.

Madje Mirelës iu duk sikur i dëgjoi realisht ato fjalë dhe e trembur shikoi rrotull se mos vërtet dikush kishte folur.

Shikoi beben e bukur që pinte me sy të mbyllur qumështin e nënës dhe befas ndjeu një lumturi të paprovuar kurrë më parë.

Ishte nipi i saj dhe i Arbenit, gjaku i të cilit rridhte në venat e vogla…

E shikoi me një dashuri të madhe atë krijesë të vogël, e fërkoi lehtë pas kokës teksa pinte dhe papritur shqiptoi: Arbeni…

– Nuk është emër shumë i bukur por është vazhdimi i jetës, gjaku i një burri të mirë, fisnik, që luftoi aq shumë për jetën, i tha Anës që e vështroi disi me çudi…

– Jo mami, iu përgjigj nusja e të birit. Për mua është shumë e natyrshme. Jam e lumtur që lindi djalë dhe t’i vëmë emrin e babait…kjo është jeta që vazhdon… emri është një hallkë formale… po gjaku i babit rrjedh në dejet e tij dhe çdo lindje është shërimi i çdo plage që na hapin ato të afërm që na ikin… Jeta vazhdon pafundësisht duke plotësuar natyrshëm çdo boshllëk njerëzor…

Ligjërimi i Anës iu duk aq mahnitës dhe prekës sa Mirelës iu mbushën sytë.

Befas në dhomë u fut Arturi me një tufë trëndafilash shumëngjyrësh. I la tek komodina në anë të krevatit dhe e puthi të shoqen në ballë. Po ashtu puthi lehtë në kokë të birin që vazhdonte të pinte akoma.

– Do ta quajm Arben, i tha Ana me sy gati të përlotur, e prekur dhe nga Mirela.

– Vërtet? -pyeti Arturi i pushtuar nga një lumturi e fshehtë…I erdhi ta merrte në krah dhe ta përqafonte fort të shoqen për fisnikërinë e saj dhe këtë lajm kaq të bukur… iu bë sikur i ati kishte rilindur me këtë krijesë të mrekullueshme që ajo e kishte në gji…

Baba! -i erdhi t’i thërriste të birit … ti u riktheve me ne…!

Beni, e thirri të birin që kishte pushuar së piri dhe e mori në krah…

U ndërruan kohët… dikur më mbaje në krah ti, sot po të mbaj unë…

E shtërngoi fort në gji dhe thellë në shpirt ndjeu një mirënjohje të thellë për atë bebe që erdhi në jetë dhe i mbushi atë boshllëk të madh që i kish lënë ikja e të e atit. E ëma iu afrua dhe hapi krahët duke i përqafuar të dy…

Anës i shpëtuan ca pikë loti…

Por ndihej e lumtur që krijesa që ajo kishte lindur ishte pothuaj kaq e shenjtë! Si një perëndi e vërtet e triumfit të jetës…

Please follow and like us: