Mynyr Koni dhe Dhori Kule në Prokurori, Krimet e Rënda nisin hetimet për shpërdorim detyre
Ka ndryshuar arena e përplasjeve mes profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni, të konflikuar dy muaj më parë në qarqet e arsimit. Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet për dy njerëzit e botës akademike për veprat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.
Rektori Mynyr Koni dhe dekani i ekonomikut Dhori Kule pritet ta kalojnë sërish pragun e godinës së qelqtë, pa u mbushur viti nga prezenca e tyre si dëshmitarë në procesin ndaj të pandehurit Emiliano Shullazi.
Kësaj radhe dy profesorët që dikur ishin miq dhe mbështetës të njëri-tjetrit janë përballë për një dosje tjetër që është hapur nga prokurorët e Krimeve të Rënda mbi dyshimet e korrupsionit, për mënyrën se si janë zhvilluar tenderat.
Një burim i tha Top Channel se pas kallëzimeve të dorëzuara pranë prokurorisë së Krimeve të Rënda po verifikohen tenderat e zhvilluar jo vetëm gjatë kohës kur në krye të rektoratit gjendet profesori Koni, por edhe tenderat në periudhën e drejtimit nga ish rektori Kule, aktualisht dekan i ekonomikut.
Më herët dy profesorët u shfaqën publikisht në luftë të hapur me njëri-tjetrin pas akuzave dhe kundër akuza, madje duke përdorur si argument edhe pezullimin nga detyra të kancelarit.
Për shkak të sekretit hetimor, prokuroria nuk jep detaje për zhvillimin e hetimeve.