MITINGU I PËRBASHKËT I PARTISË KOMUNISTE DHE BALLIT KOMBËTAR
Më 22 shtator 1943, në një miting të popullit të Gjirokastrës, folën përfaqësuesit e Partisë Komuniste dhe të Ballit Kombëtar.
Në fjalën e tij, Ali Këlcyra shpalosi politikën e brendshme dhe të jashtme të Ballit Kombëtar. Midis të tjerave, ai theksoi se Balli Kombëtar, në politikën e brendshme kishte si pikë kryesore të programit të vet stabilizimin e një demokracie të vërtetë, ose popullore sic u pagëzua në mbledhjen e Mukajt.
Programi i Ballit Kombëtar në politikën e jashtme ishte për një bashkëpunim të ngushtë me demokracitë e mëdha dhe marrëveshje me fqinjët.
Kështu, me Greqinë ata kërkonin një bashkëpunim të sinqertë, duke respektuar të dy palët kufijtë e 1913-ës. Po kështu minoriteti grek në Shqipëri dhe Camëria të ishin element të afrimit dhe bashkëpunimit midis dy shteteve.
Përsa i përkiste marrëdhënieve me shtetet sllave, Këlcyra vuri në dukje se Balli kërkonte marrëdhënie të mira por, theksoi se “konditë e domosdoshme me fqinjët e veriut është respektimi prej anës së tyre i kufijve tona etnikë”.
S’ka nacionalist me ndërgjegje, -theksoi Ali Këlcyra, -që të mos kërkojë Kosovën, që përbën gjysmën e atdheut tonë, që është burimi kryesor i fuqisë ekonomike dhe i energjisë nacionale të kombit tonë. Cdo anëtar i Ballit Kombëtar, vuri në dukje ai, e ka për detyrë ta mbrojë Kosovën, ashtu sic ka për detyrë të mbrojë Vlorën, Gjirokastrën e Korcën.
Ai pyeste parinë e partisë komuniste, të pranishme në miting, pse marrëveshja e Mukjes nuk u vu në zbatim?
Përfaqësuesi i Partisë Komuniste iu përgjegj se ata nuk mund të bënin një marrëveshje me një organizatë shqiptare që kishte për parim mbrojtjen e kufijve etnikë, “pasi një gjë e tillë na vë në konflikt me aleatët tonë”. (AQSH, fondi 270, viti 1943, dosja 11, faqja 37-39).