Liverpool me një këmbë në finale, Romës i duhet sërish një mrekulli
Liverpool është “me një këmbë” në finalen e Champions League ndërsa Romës do t’i duhet një tjetër mrekulli si ajo me Barcelonën për të përmbysur humbjen 5-2 të takimit të zhvilluar mbrëmjen e së martës në Champions League.
Liverpool e nisi mjaft mirë ndeshjen duke shënuar 2 gola në pjesën e parë me Salah, ish-romanisti që nuk festoi. “Faraoni egjiptian” u shit për 50 milionë euro sezonin e kaluar, por tashmë vlen disa herë më shumë.
Në pjesën e dytë të besuarit e Klopp shënuan edhe 3 gola të tjerë me Roberto Firmino (2 herë) dhe Mane.
Atëherë kur të gjithë menduan se kapitulli u mbyll, Roma “u zgjua” duke shënuar 2 gola në 4 minuta dhe ndoshta duke rihapur gjithçka. Golat për Romën u shënuan nga Dzeko dhe Diego Perotti me penallti.
“Verdhekuqtë” tentuan në minutat e mbetura të ngushtonin diferencën, por gjithçka do të diskutohet javën e ardhshme në “Olimpico”.