Dyshimet e kryekomunarit Suma për policët e humbur
Kërkimet për dy policët e zhdukur që nga mbrëmja e së shtunës do të rifillojnë përsëri mëngjesin e së nesërmes nga të gjitha njësitet relevante, pra, FSK-ja, Policia si dhe shumë qytetarë të tjerë
Lidhur me këtë rast, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, në një prononcim për “Indeksonline” ka treguar dyshimet për fatin e dy zyrtarëve sipas informacioneve që ka pranuar.
Suma ka thënë se kërkimi i trupave do të bëhet edhe në ditët në vijim gjithnjë në koordinim me qendrën operative.
“Për me shku është Qendra operative që është ngritur atje te vendi i ngjarjes ata i koordinojnë të gjitha aktivitetet pra, FSK-ja, Policia megjithatë ne jemi në disponim të gjithë dhe sipas informacioneve që i kam dyshohet se ata kanë ardhur gati në kufi me Maqedoninë edhe njerëzit filluan apo operacionin prej kufirit deri te vendi ku ka rënë automjeti gjithashtu e kanë në plan që edhe njëherë të kontrollohet kjo hapësirë që kanë me bërë përsëri”, ka thënë Suma.
Më tej, ai ka shtuar duke thënë se nuk mund të japin vlerësim nëse të humburit mund të jenë jashtë lumit. Mirëpo, sipas tij, dyshimet janë më shumë që policët të jenë në lumë.
Kujtojmë se së fundi në kërkim të dy policëve janë angazhuar edhe klubi i alpinistëve “Dardania” nga Prishtina, të cilët kanë vëzhguar në tërësi të vendit edhe me dron.
Ndryshe, Malësor Dashi dhe Armend Trena, të dy policë të stacionit të Kaçanikut dyshohet se me veturën e tyre zyrtare derisa po udhëtonin nga Hani i Elezit për në Kaçanik kanë rënë në lumin Lepenc.