Pasuria, ish-gjyqtari i Kushtetueses Besnik Ymeraj, nën hetim nga Krimet e Rënda
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj është vënë nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Hetimet ndaj tij nisën pak pasi Imeraj dha dorëheqjen nga detyra që mbante, për të mos iu nënshtruar procesit të vettingut që ka të bëjë me verifikimin e pastërtisë së figurës së tij.
Por pavarësisht dorëheqjes, dokumentet e grumbulluara rreth tij, i kaluan Prokurorisë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Ish-gjyqtari po hetohet për korrupsion, lidhur me pasurinë e tij.
Besnik Imeraj, që i përfundonte mandati në vitin 2022, u dorëhoq në vitin e pestë të mandatit të tij si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Motivet e kësaj dorëheqjeje argumentohen për shkaqe personale dhe shëndetësore.
Gjyqtari kushtetues, Imeraj, së bashku me gjyqtarin Gani Dizdari ishin dy gjyqtarët kushtetues që gjatë shqyrtimit të ligjit të Vettingut votuan kundër me argumentin se gjatë këtij procesi kishte ndërhyrje të ekzekutivit.
Më herët, Gjyqtari Imeraj ka qenë pjesë në trupat gjyqësore ku janë shqyrtuar dosje të bujshme si “Gërdeci”, dosja “Meta” apo ajo e rrugës Durrës-Kukës-Morinë.