Tentativa e arratisjes nga burgu, zbardhen detaje të reja
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dhënë detaje të reja rreth tentativës për arratisjen e disa të dënuarve në Institucionin e Ekzekutimeve Penale, Fushë-Krujë.
Në njoftimin për mediat thuhet se gjithçka nisi pas konstatimit nga ana e grupit të sigurisë të dëmtimit të zgarës së dritares në dhomën e dënimit.
Pra, të burgosurit kishin prerë hekurat e dritares për ta bërë më të thjeshtë konkretizimin e planit për t’u arratisur.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar grupe inspektimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve si dhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, ndërsa është njoftuar edhe Komisariati i Policisë së Fushë Krujës.
Nga të dhënat paraprake, rezulton se dhoma ishte e sigurisë së ulët dhe shpesh herë ishte përdorur për akomodimin e personave të paraburgosur.
Pesë personat që ndodheshin aktualisht në këtë dhomë, ishin aty prej jo më shumë se 15 ditësh.
Hetimet e mëtejshme do të bëjën të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore për autorët, sqarohet në njoftimin për mediat.